Platforma online për zbatimin e Agjendës Reformuese në RMV ende s’është gati as pas tre muajsh nga “afati sa më i shpejtë i mundur”

Kanë kaluar pothuajse tre muaj që kur ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, deklaroi se Platforma online për zbatimin e Agjendës Reformuese do të përgatitet në “afat sa më të shpejtë të mundur”. Tani, pas gjithë kësaj kohe, kjo platformë ende nuk është gati dhe nuk dihet as sa do të zgjasë përgatitja e saj. […]

shkurt 1, 2025 - 09:00
 0  10
Platforma online për zbatimin e Agjendës Reformuese në RMV ende s’është gati as pas tre muajsh nga “afati sa më i shpejtë i mundur”
Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: MarkRubens në Canva

Kanë kaluar pothuajse tre muaj që kur ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, deklaroi se Platforma online për zbatimin e Agjendës Reformuese do të përgatitet në “afat sa më të shpejtë të mundur”. Tani, pas gjithë kësaj kohe, kjo platformë ende nuk është gati dhe nuk dihet as sa do të zgjasë përgatitja e saj. Aktualisht, në përgjigje nga Ministria e Çështjeve Evropiane për Portalb.mk, njoftuan se Platforma po punohet nga grupe pune të përbërë nga ekspertë përkatës. Paralelisht me këtë, po bëhen përgatitje për përfshirjen e ekspertëve shtesë të cilët do të jenë përgjegjës për zhvillimin dhe zbatimin e platformës.

“Në periudhën e kaluar u formua grup pune i përbërë nga ekspertë relevant, i cili në mënyrë aktive punon në përcaktimin e detajuar të specifikimeve teknike të platformës. Në këtë proces, vëmendje e veçantë i kushtohet përcaktimit të moduleve dhe funksionaliteteve bazë, të cilat do të sigurojnë se platforma i përmbushë standardet më të larta për transparencë dhe qasje. Paralelisht me këtë, bëhen përgatitje për përfshirjen e ekspertëve shtesë, të cilët do të jenë përgjegjës për zhvillimin dhe zbatimin e platformës. Projekti mbështetet nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SHIGJ), e cila mundëson burime shtesë për zbatimin e suksesshëm”, thanë nga MÇE.

Sa i përket pyetjes se sa kohë pritet të zgjasë procesi i zhvillimit dhe implementimit të saj, nga MÇE nuk dhanë përgjigje konkrete, por afat kohorë të papërcaktuar, ashtu sikurse deklaroi edhe vetë Murtezani para tre muajsh.

“Procesi zhvillohet në nivel të lartë të përkushtimit dhe përgjegjësisë, ndërkaq ne si institucion mbetemi plotësisht të përkushtuar për realizimin e tij në kohën më të shkurtër të mundshme. Njëkohësisht, do të vazhdojmë ta informojmë rregullisht publikun për të gjithë hapat dhe arritjet e rëndësishme në kuadër të kësaj nisme”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së për Portalb.mk.

Ndryshe, ministri për Çështje Evropiane gjatë një ngjarjeje, i pyetur nga Portalb-i, se si do të sigurohet zbatimi i kësaj Agjende dhe transparenca e zbatimit të saj, duke qenë vendi pati përvojë jo të mirë me Agjendën Evropa në Shtëpi, pasi nuk kishte aspak transparencë, ai tha se për këtë po zhvillohet një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese.

Kjo platformë do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Lista dhe hapat e implementimit do të jenë të disponueshëm në mënyrë të vazhdueshme për publikun. Edhe pse nuk ishte përcaktuar ende një datë e saktë, Murtezani atëkohë siguroi se puna për ndërtimin e platformës është në proces dhe ajo do të ishte e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Orhan Murtezani. Foto: Ministria për Çështje Evropiane
Orhan Murtezani. Foto: Ministria për Çështje Evropiane

“Absolutisht zbatimi i Agjendës reformuese do të jetë transparente. Ne tani si Ministri për Çështje Evropiane jemi duke punuar në një Platformë online ku do të ketë qasje i gjithë opinioni dhe grupe të caktuara. Për arsye se Agjenda e reformave është dokument publik dihen saktësisht reformat dihen saktësisht datat dhe dihet saktësisht lista e projekteve. Lista ose hapat e implementimit do jenë publike dhe opinioni do ketë qasje në mënyrë të vazhdueshme. Kur do jetë platforma gati, atë nuk mund t’ua them saktë, por aktualisht po punohet në ndërtimin e idesë, por do jetë gati në afat sa më të shpejtë të mundur”, tha Murtezani kur u pyet nga Portalb.mk në fillim të muajit nëntor 2024.

Ndërkohë, Agjenda Evropa në Shtëpi, e cila duhej të monitorohej nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Sekretariati për Çështje Evropiane, dikaster ky që u kthye në Ministri të Çështjeve Evropiane, ishte paraparë të jetë transparente, por nuk ndodhi kështu.

Për këtë dokument, i cili përmbante reforma të rëndësishme për integrimin evropian të vendit që në fillim të prezantimit të tij, u tha se do të jetë në monitorim të vazhdueshëm dhe transparent rreth zbatimit. Qeveria, në çdo seancë të saj, duhej të shqyrtojë se çfarë është bërë dhe çfarë jo lidhur me këtë dokument, megjithatë, pas përfundimit të çdo seance nuk kishte informacion të bollshëm se sa dhe çfarë konkretisht ka diskutuar mbi këtë dokument.

Ndryshe, dokumentin Agjenda-Evropa në shtëpi”, Qeveria paraprake e Maqedonisë së Veriut e shpalosi më 9 mars 2021, në të cilin ishin hartuar qëllimet, hapat dhe veprimet për reformën zgjedhore, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fusha të tjera. Ky dokument përveç se ka përmbledhur aksionet dhe reformat që duhet të zbatonin institucionet kompetente, nuk konsiderohet ndonjë risi e veçantë. Ajo që pritej të shihej nga kjo Agjendë është nëse do të respektoheshin afatet për përmbushjen e këtyre qëllimeve që kanë filluar nga marsi deri në dhjetor të këtij viti. Por, që duket se këto afate po mbesin vetëm në letër.

Nga ana tjetër, Agjenda e fundit e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.

Agjenda e reformës. Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane
Agjenda e reformës. Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane

Ky miratim i hapi rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.