Një muaj nga fushata për reforma në administratë, MAP: Zgjidhjet ligjore në fazë të avancuar përgatitjeje
Edhe pse ka kaluar një muaj që nga fillimi i fushatës “Të gjithë së bashku për një administratë publike profesionale dhe cilësore”, të promovuar nga ministri i Administratës Publike Goran Minçev, pakoja me katër propozim ligje me të cilat mëtohet standard dhe efikasitet më i lartë në punën e administratës publike është ende në fazë […]


Edhe pse ka kaluar një muaj që nga fillimi i fushatës “Të gjithë së bashku për një administratë publike profesionale dhe cilësore”, të promovuar nga ministri i Administratës Publike Goran Minçev, pakoja me katër propozim ligje me të cilat mëtohet standard dhe efikasitet më i lartë në punën e administratës publike është ende në fazë të përgatitjes, shkruan Portalb.mk.
Nga zyra e kabinetit të ministrit Minçev për Portalb-in u zotuan se zgjidhjet e reja ligjore që i paralajmëruan, si fillim i reformës në administratën publike, janë tashmë në një fazë të avancuar përgatitjeje.
“Draft zgjidhjet ligjore, pas një debati të gjerë të realizuar më parë, u vendos në platformën ENER më 27.12.2024 dhe në përputhje me procedurat ligjore, të gjithë të interesuarit, si dhe institucionet e sektorit publik, patën mundësinë të parashtrojnë propozime, komente dhe vërejtje deri më 27.01.2024, pra 30 ditë nga publikimi i tyre. Një numër i madh i mendimeve, sugjerimeve dhe komenteve janë pranuar dhe aktualisht janë duke u shqyrtuar nga grupi i punës me mbështetjen e ekspertëve”, thanë nga Ministria e Administratës Publike.
Ministria njëherazi po zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve dhe sindikatave që paraprakisht kanë paraqitur vërejtje dhe komente për ligjet.
“Zgjidhjet e propozuara ligjore për të cilat Ministria e Administratës Publike ka punuar në mënyrë aktive në periudhën e kaluar synojnë krijimin e një sistemi administrativ efikas, transparent dhe të përgjegjshëm, i cili do të jetë një nxitje për zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë. Synimi ynë është që këto reforma të krijojnë një bazë për një administratë publike që do të jetë një shërbim i vërtetë për qytetarët dhe sektorin privat”, thuhet më tutje në sqarimin e tyre.
Nga aty sqarojnë se në periudhën e ardhshme do të veprohet për propozimet e pranuara dhe do të vijojë koordinimi me institucionet kompetente që sipas Rregullores së Punës të Qeverisë janë të obliguara të japin mendim, përkatësisht Ministria e Financave, Sekretariati për Legjislacion dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
“Në një kohë sa më të shkurtër presim që propozim zgjidhjet ligjore të finalizohen dhe të dorëzohen për miratim fillimisht nga Qeveria, e më pas në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do të hapë një kapitull të ri në modernizimin dhe profesionalizimin e administratës publike”, thanë nga zyra e kabinetit të ministrit.
Pakoja me ligjet të cilat priten të reformojnë administratën publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut përfshinë: Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, ligjin për nëpunës administrativ, ligjin për përsosjen profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ dhe ligjin për mbikëqyrje inspektuese.
Kujtojmë se, ministri Minçev gjatë promovimit të fushatës për reforma në administratë, theksoi se pakoja e re ligjore do të mundësojnë kritere më strikte për punonjësit e rinj, konkurrencë më të madhe dhe vlerësim të vazhdueshëm. Si shembull, ai vuri në dukje shfuqizimin e Këshillit të Inspektimit, i cili do të rezultojë në kursime të konsiderueshme buxhetore dhe racionalizim të burimeve publike.
“Ne po shfuqizojmë organet në përputhje me standardet evropiane, duke bërë kështu kursime të konsiderueshme në buxhet. Ky është vetëm fillimi i një procesi afatgjatë të racionalizimit”, pati thënë ministri.
Ligjet në fjalë janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, por edhe për procesin eurointegrues të vendit.