Presidenti Begaj pret në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë bisedës u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, […]

Nëntor 13, 2024 - 17:00
 0  8
Presidenti Begaj pret në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë bisedës u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, social dhe kulturor.

Kreu i Shtetit vlerësoi rëndësinë e rolit të faktorit shqiptar si “faktor shtetformues, paqedashës dhe i vendosur për integrimin Euroatlantik” për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, i cili shërben edhe si urë lidhëse mes dy vendeve tona. Shqiptarët kanë një rol të veçantë edhe për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Kreu i Shtetit vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe me një rol prioritar për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjin për gjuhën dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë.

“Shqipëria është e gatshme të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy vendeve për avancimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, si dhe kontekstin evropianizues të zhvillimeve në mbarë rajonin”, theksoi Presidenti Begaj, duke garantuar një klimë miqësore dhe konstruktive, një model i fqinjësisë së mirë në rajon.

Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike u theksua rëndësia e vazhdimit të projekteve të nisura, ndër më të rëndësishmit, Korridori VIII, i cili, sipas Presidentit të Republikës, është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor.

“Korridori VIII, – u shpreh Presidenti Begaj – është një projekt strategjik në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.”

Presidenti Begaj theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e integrimit evropian është një proces i rëndësishëm, pavarësisht veçimit të dy vendeve në këtë rrugëtim, për të cilin shprehu bindjen se do të takohen sërish.