Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta të enjten do të vizitojë Shkupin
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, do të vizitojë Shkupin të enjten, si pjesë e një turneu në Ballkanin Perëndimor që fillon sot dhe përfundon më 16 maj. Përpara turit, Kosta tha se vjen për të folur me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për t’u treguar atyre se BE është e gatshme t’i […]


Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, do të vizitojë Shkupin të enjten, si pjesë e një turneu në Ballkanin Perëndimor që fillon sot dhe përfundon më 16 maj. Përpara turit, Kosta tha se vjen për të folur me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për t’u treguar atyre se BE është e gatshme t’i ndihmojë ata me sfidat me të cilat përballen, transmeton Portalb.mk.
“Forcimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore politike për BE-në dhe për mua personalisht. Ekziston një moment i qartë për zgjerim, por momenti kërkon angazhim”, tha Kosta, duke riafirmuar angazhimin e BE-së ndaj rajonit për anëtarësim në Union.
Pjesa e punës e vizitës së Kostës fillon në Beograd, ku ai do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macut dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Serbisë.
Nga Beogradi, Kosta do të udhëtojë për në Sarajevë nesër pasdite ku do t’u drejtohet anëtarëve të Forcave të BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, pas së cilës do të takohet me anëtarët e presidencës së BeH, Zheljka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq.
Presidenti i Këshillit Evropian do të udhëtojë më pas për në Podgoricë ku do të takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, Kryeministrin Milojko Spajiq dhe anëtarë të Qeverisë së Malit të Zi. Të mërkurën pasdite, ai do të udhëtojë për në Prishtinë për t’u takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu.
Kosta të enjten do të jetë në Shkup, ku do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Pasdite, ai do të niset për në Shqipëri për takime me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, si dhe do të flasë me studentë në Kolegjin e Evropës në Tiranë.
Të premten, Kosta do ta përfundojë turneun me samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë, ku ai do të jetë bashkë-organizator. Tema e samitit është “Evropa e Re në Botën e Re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i Përbashkët” me fokus në siguri. Si pjesë e samitit do të mbahen gjithashtu tre tryeza të rrumbullakëta tematike.