Prezantimi i vendeve të lira të punës në sektorin publik, Rama: Një dritare e re
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në aktivitetin për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik. Kreu i qeverisë tha se kjo është një dritare e re për të gjithë ata që kërkojnë një mundësi të re, duke iu krijuar mundësia që tashmë të informohet dhe të aplikojë për t’u punësuar […]
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në aktivitetin për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik.
Kreu i qeverisë tha se kjo është një dritare e re për të gjithë ata që kërkojnë një mundësi të re, duke iu krijuar mundësia që tashmë të informohet dhe të aplikojë për t’u punësuar në çdo institucion publik.
“Sot hapim një dritare të re për të gjithë ata që kanë ambicie për të punuar në sektorin publik. Nga ana tjetër i krijohet mundësia që kujtdo që dëshiron të kontribuojë në sektorin publik, të ndjekë në dinamikë sesi shkon një proces që ai/ajo është i interesuar. Ky hap krijon më shumë transparencë, ndërvepron mes individit në kërkim të një mundësie dhe shtetit që ka nevojë dhe ndaj ofron këtë mundësi për të rekrutuar më të mirët, dhe përfshinë gjithë sistemin publik në një pasqyrë ku të gjitha mundësitë janë të ekspozuara.
Administrata publike ka prodhuar të kundërtën e shumë paragjykimeve që kanë rënduar mbi të ndër vite. Ndërkohë që perceptimi ka qenë goxha i rënduar, paragjykime që patjetër që kanë marrë shkas nga sjelle dhe veprime që ndonjëherë janë ekspozuar edhe publikisht në gjithë shëmtinë e tyre, sidoqoftë ajo pjesë dërrmuese e njerëzve që nuk bëjnë lajm, që shkojnë përditë në punë për t’i shërbyer shteti, ka përballuar një provim të jashtëzakonshëm duke e përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet në gjithë procesin e derikëtushëm të negociatave”, tha Rama.
Ndërkohë ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se janë rreth 1500 vende të lira në administratë.
“Tregu i punës ka një performancë më pozitive sot. Portali puna.gov.al është hapur tashmë prej 3 muajsh. 80 institucione kanë publikuar të dhënat e tyre në këtë portal. Janë mbi 1500 vende pune të lira, që janë publikuar në këtë portal”, u shpreh ministrja.