Prezantoi programin e projekteve infrastrukturore, BDI për Ganiun: Ai duhet të mbajë përgjegjësi politike, morale dhe ligjore

Sot, në ambientet e Komunës së Çairit u mbajt konferenca për shtyp, ku u prezantua programi i projekteve infrastrukturore të planifikuara për vitin 2025, të cilat janë pjesë e mbështetjes financiare të ndarë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për njësitë e vetëqeverisjes lokale. Gjatë konferencës, përfaqësuesit e Komunës, të kryesuar nga Kryetari […]

Prill 30, 2025 - 16:00
 0  5
Prezantoi programin e projekteve infrastrukturore, BDI për Ganiun: Ai duhet të mbajë përgjegjësi politike, morale dhe ligjore
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Foto: Suad Bajrami

Sot, në ambientet e Komunës së Çairit u mbajt konferenca për shtyp, ku u prezantua programi i projekteve infrastrukturore të planifikuara për vitin 2025, të cilat janë pjesë e mbështetjes financiare të ndarë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për njësitë e vetëqeverisjes lokale. Gjatë konferencës, përfaqësuesit e Komunës, të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Çairit dhe ekipi i tij, prezantuan investimet strategjike që siç thuhet synojnë zhvillimin urban, përmirësimin e infrastrukturës publike dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët, transmeton Portalb.mk.

“U bë e ditur se vlera e përgjithshme e projekteve infrastrukturore për vitin 2025 kap shifrën prej rreth 8.7 milionë euro, ndërsa projektet që tashmë janë në proces realizimi në lagjet Dizhon, Sahat Kullë dhe Seravë arrijnë një vlerë prej mbi 2.7 milionë euro. Përmes një materiali vizual të dedikuar, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin nga afër projektet konkrete të cilat përfshijnë modernizimin e rrjeteve nëntokësore, rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e objekteve edukative si çerdhe për fëmijë, si dhe krijimin e hapësirave të reja publike në të gjitha lagjet e komunës”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Për këtë ka reaguar BDI, nga ku thonë se pas tetë vitesh mungesë të plotë në skenën publike, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, më në fund ka shfaqur shenja jete politike, por për fat të keq, siç thonë ata jo për të dhënë llogari para qytetarëve, por për të hedhur disa ide të paqarta dhe të shkëputura nga realiteti.

“Sot, kur Çairi është në gjendjen më të rëndë të mundshme, ai mundohet të shpëtojë veten me manipulime dhe teori të kota. Në vend se të merret me propagandë boshe, ai duhet të japë përgjigje konkrete përse qytetarët e Çairit ndihen të pasigurt në Komunën e tyre. Brenda vetëm dy muajsh, katër qytetarë kanë humbur jetën – disa nga të shtënat me armë, disa nga aksidentet – dhe të gjitha këto janë pasojë direkte e politikës së tij të betonizimit të komunës. Mbi 30 ndërtesa të mëdha të paligjshme janë lejuar gjatë mandatit të tij, pa asnjë kriter urbanistik, pa hapësira të gjelbra, pa vende parkimi, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të Çairit. Çdo ndërtesë e re është një kërcënim për sigurinë publike dhe për cilësinë e jetesës. Mbasi më në fund doli në opinion pas 8 vitesh, mirë është të përgjigjet si u bë Çairi komunë e pabanueshme nga kaosi urban, nga papastërtia, nga mungesa e parkingjeve. Këto janë pyetjet që duhet t’i përgjigjet Visar Ganiu. Dhe mbi të gjitha, ai duhet të marrë përgjegjësi – politike, morale dhe ligjore – për pasojat që kanë sjellë politikat e tij të papërgjegjshme dhe të dëmshme për qytetarët. Çairi nuk ka nevojë për fjalë, ka nevojë për përgjegjësi”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kujtojmë se Visar Ganiu ishe në grupin e ashtuquajtur të zjarrit në BDI, pas çka u largua për t’iu bashkuar Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit.