Kalitja e urrejtjes fetare në Maqedoninë e Veriut

Кале(ње) на верската омраза

dhjetor 21, 2024 - 08:00
 0  4
Kalitja e urrejtjes fetare në Maqedoninë e Veriut
Foto: D.M. / Civil Media

Urrejtja fetare është një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë moderne. Ajo jo vetëm që i cenon parimet themelore të tolerancës dhe respektit, por krijon edhe përçarje dhe konflikte, të cilat mund të kenë pasoja të përhershme për kohezionin social dhe paqen, shkruan CivilMedia, transmeton Portalb.mk.

Inkurajimi i urrejtjes fetare nga deputetët dhe ndaj deputeteve

Gjuha eksplicite e urrejtjes në rrjetet sociale është shfaqur ndaj deputetes së parë me shami, Imërlije Saliu-Fetai, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila vjen nga radhët e partisë politike Alternativa (koalicioni VLEN).

Deputetja Saliu-Fetai për CIVIL Media thotë se fenomeni i gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale është pothuajse i pashmangshëm për personalitetet publike, sidomos kur bëhet fjalë për femrat. Zemërimi i tillë shprehet nga njerëz të papërgjegjshëm dhe të painformuar.

“Çdo individ që është pjesë e jetës publike, kështu edhe unë personalisht, i kam marrë parasysh të gjitha këto rrethana përpara se të bëhem pjesë e politikës dhe ato vërtet nuk janë pengesë për mua, por motiv më tepër për të kontribuar për ndërgjegjësimin në shoqërinë tonë multikulturore, multietnike dhe multifetare.

Në rastin tim konkret, u shfaq jo vetëm urrejtja kundër femrave, por edhe gjuha e urrejtjes me bazë fetare. Së pari, merrem me politikë për shkak të arsimimit tim akademik dhe kjo nuk ka kurrfarë lidhje me çështjen e fesë që unë e konsideroj çështje shumë personale. Zakonisht gjuha e urrejtjes me bazë fetare përdoret nga njerëzit që kanë shumë pak njohuri për fenë islame. Do të dëshiroja që qytetarët të japin mendim për punën time në Dhomën Ligjvënëse, sepse në Kuvend jam për t’i përfaqësuar ata, jo për bindjet e mia fetare”, thotë SaliuFetai.

Arsyet pse ekziston fenomeni i tillë janë të ndryshme. Kjo mund të jetë islamofobia e cila vjen nga njerëzit që kanë frikë dhe urrejnë, ose kanë paragjykime ndaj fesë islame.

“Një gjë tjetër dhe mjaft e rëndësishme është se kjo dukuri është aq prezente sa mungesa e rregullimit adekuat të platformave sociale dhe mungesa e mekanizmave për parandalimin e këtyre dukurive të shëmtuara, si dhe mosndëshkimi i këtyre rasteve nga organet kompetente. Kjo u mundëson njerëzve të papërgjegjshëm pa asnjë hezitim të përdorin hapur gjuhën e urrejtjes kundër personaliteteve publike. Këta stereotipë, për fat të keq, u drejtohen femrave që i kontestojnë normat tradicionale dhe zënë pozicione udhëheqëse në shoqëri”, thotë deputetja Saliu-Fetai.

Shpeshherë në rrjetet sociale ka gjuhë të urrejtjes, veçanërisht ndaj myslimanëve gjatë namazit të sabahut, kur hoxha i thërret besimtarët në namaz herët në mëngjes. Por, ka edhe “thirrje” që mos të lejohen shamitë në vendin e punës, sepse këtu nuk është Palestinë, Arabia Saudite, etj.

Gjuha e urrejtjes dhe mosdurimi fetar inkurajohen edhe nga deputetë të caktuar. I tillë është rasti me deputetin dhe liderin e partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, i cili para disa vitesh në paraqitjen si mysafir në emisionin “Vetëm e vërteta (Само вистина)” në Kanal 5, theksoi se “i gjithë vendi është islamizuar”.

“Cili është problemi te ne? Ja shikoni, i gjithë vendi është islamizuar. Hoxhallarët këndojnë si në Republikën Islamike. A të zgjon ty hoxha në orën 4, apo thjesht më zgjon vetëm mua? Ti nuk e sheh islamizimin që po ndodh këtu – nga Bit Pazari e andej?”, tha Apasiev në emision.

Depolitizimi i fesë

Gazetari dhe redaktori i portalit Religija.mk, Marjan Nikollovski për CIVIL Media thotë se gjuha e urrejtjes në vend është shumështresor, por ajo që aktualisht është momentum i mirë është se pothuajse nuk kemi raste eksplicite të gjuhës së urrejtjes bazuar në urrejtjen fetare. Ndoshta individë në rrjetet sociale, por nuk ka urrejtje të tillë të gjeneruar nga mediat.

Sipas tij, një nga arsyet është edhe bashkëpunimi i mirë ndërkonfesional, me mirësjellje korrekte midis bashkësive fetare. Përndryshe, nga të gjitha llojet e gjuhës së urrejtjes, ky lloj është më i rrezikshmi.

“Një aspekt shumë i rëndësishëm është depolitizimi i fesë. Ne kemi raste që shkëlqejnë dhe digjen, kur politika do të përfshihet, por partitë do të duhet të kuptojnë se ai zjarr fillimisht do t’i djegë ata, sepse simfonia e ezanit dhe e kambanës në Maqedoni është më e vjetër se retorika e tyre antifetare”, theksoi ai.

Nikollovski konsideron se Maqedonia ka për obligim të investojë në parandalim.

“E di që për mediat nuk është temë fitimprurëse dhe tërheqëse, por përvoja ime tregon se publikut në vend i pëlqejnë rrëfimet pozitive. Parandalimi më i mirë është pikërisht dukshmëria e komunikimit të përbashkët të diversiteteve fetare. Sa më shumë shembuj, ku përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare janë në një vend, aq më shumë të rinjtë do të kuptojnë konceptin se fetë nuk janë kundër njëra-tjetrës, por përkrah njëra-tjetrës”, thotë ai.

Nikollovski thekson se edhe shteti duhet të përfshijë respektin ndërfetar në sistemin arsimor, si instrument mirëkuptimi.

“Shoqëria jonë është specifike, por kjo mund të jetë përparësia”, konkludon ai.

“Kryqtarët” rrahën studentët në sheshin e Shkupit të cilët protestuan kundër ndërtimit të kishës, myslimanët protestuan për ndërtimin e “Xhamisë Burmali”

Më 28 mars 2009, studentët dhe qytetarët protestuan kundër paralajmërimit për ndërtimin e kishës në sheshin Maqedonia. Ata u sulmuan fizikisht nga kundër-demonstruesit që mbanin kryqe, ikona dhe pankarta ku shkruhej “Duam kishë”.

Në të njëjtin vend protestuan edhe myslimanët dhe kërkuan ndërtimin e “Xhamisë Burmali”.

Mirëpo, disa vite më vonë, në vend të kishës apo xhamisë, në sheshin Maqedonia u ndërtua projekti “Shkupi 2014”.

Rrahje për kishën – muze në Kalanë e Shkupit

Në shkurt të vitit 2011, në Kalanë e Shkupit ka ndodhur një rrahje e ashpër midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të ndërtimit të kishës-muze. Njërin grup e drejtonte Artan Grubi, asokohe kryetar i OJQ-së “Zgjohu”, ndërsa grupi i dytë ishte grupi i tifozëve “Komitët”.

Në vendin e ngjarjes ishte zëvendësministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Xhevad Buçi nga BDI-ja, i cili personalisht ua ka hequr prangat disa të arrestuarve.

Artan Grubi, kur ndodhi ngjarja, ishte i punësuar në Ambasadën e Holandës, më pas u bë shef i kabinetit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Të gjithë të dyshuarit për këtë incident janë dënuar me kusht.

Edhe sot e kësaj dite nuk dihet fati i kishës-muze.

Shënimi i territorit me kryq

Në shkurt të vitit 2016, kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov, ishte rrahur nga Bekir Asani nga BDI-ja (askush nuk ka marrë përgjegjësi për atë rast) pas shugurimit të gurthemelit të kryqit në lagjen Butel të Shkupit.

Kryqi në Butel nuk u ndërtua, ndoshta si kompensim u ndërtua kryqi në Radishani, i cili është monument për djemtë e vrarë pranë Liqenit të Smilkovës.

Një kryq i madh u ndërtua në Aerodrom ngjitur me ndërtesat e Xhavahir Holding, si përgjigje ndaj “frikës” se shumë myslimanë do të vendoseshin në atë lagje dhe do të ndërtohej një xhami. Pra, para se të mendohej për ndërtimin e xhamisë, territori ishte “shënjuar” me një kryq të madh dhe dhjetëra kishash.

Një kryq kaq i madh këtë vit shkëlqeu në lagjen Draçevë gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Kohë më parë u tentua për të shkaktuar tensione ndëretnike dhe ndërfetare kur ikona e Shën Marisë ishte dëmtuar, ndërsa në tokë ishte lënë Kurani.

Kryqi në Kodrën e Diellit dhe “shpëtimtari” Stojançe

Gjatë fushatës parazgjedhore, një pjesë e politikanëve përhapën dezinformata dhe islamofobinë, madje i frikësuan qytetarët se do të duhej të bëhen sunet nëse vendoseshin mijëra migrantë me fenë islame. U mblodhën nënshkrime për të “parandaluar” islamizimin dhe kundër ndërtimit të kampeve të migrantëve.

Në vitin 2023, në fushatën parazgjedhore u gjet edhe kryqi pesëmbëdhjetë metra në kompleksin e manastirit “Oshënar Naumi në Ohër, Çudibërësi” në Kodrën e Diellit, Tetovë, i cili i nxiti pasionet politike midis Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lëvizjes BESA, si dhe një pjese të partive politike maqedonase.

Dy partitë shqiptare akuzuan njëra-tjetrën se kryqi në Kodrën e Diellit ishte vendosur në koordinim me VMRO-DPMNE-në opozitare.

Gjuha më eksplicite e urrejtjes pasoi pasi pushteti lokal në Tetovë, i udhëhequr nga Bilall Kasami nga BESA, deklaroi se kryqi është ndërtim i paligjshëm dhe se çdo gjë e paligjshme do të shembet.

Si shpëtimtar i kryqit në atë periudhë u shfaq lideri i “Dinjitetit (Достоинство)” dhe drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov, i cili dërgoi mesazh kërcënues se “me disa miq të tij nga viti 2001 do të organizojë mbrojtjen e kryqit nëse dikush dëshiron ta shemb”.

“Është bukur të ruani qetësinë, është mirë të mos bini pre e provokimeve, por shtrohet pyetja, çfarë do të ndodhë më pas nëse nuk bëjmë rezistencë agresive nga pala jonë maqedonase? Prandaj i paralajmëroj faktorët politikë shqiptarë në vend, assesi mos t’i përmendin fjalët “heqje” apo “shembje” në të njëjtën fjali me kryqin në Kodrën e Diellit. Përndryshe, unë si qytetar, me disa miq të mi nga viti 2001 do të organizojë mbrojtjen e tij. Ndërsa ju tentoni ta shembni”, tha Stojançe.

Zgjedhjet mbaruan, askush nuk flet më për kryqin në Kodrën e Diellit!

Kisha e Shën Prendës në fshatin Gallatë i ndezi marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare

Pastrimi, rinovimi, restaurimi apo ndërtimi i kishës në fshatin Gallatë, Komuna e Vrapçishtit, ndërprerja e aktiviteteve rreth kishës me ndërhyrjen e policisë, (edhe pse nuk bëhet fjalë fare për ndërtimin e kishës), sulmi i qytetarëve në Komunën e Vrapçishtit, dy të arrestuar në komunë, më pas të liruar në stacionin policor. Kështu dukej rasti për kishën e Shën Prendës në fshatin Gallatë, e cila u dogj nga zjarri në vitin 2001.

Për përpjekjen për të krijuar tensione ndëretnike dhe ndërfetare rreth rastit të kishës së Shën Prendës në partitë politike të Gostivarit (pushteti dhe opozita) e akuzojnë njëra-tjetrën.

“Mesazhi” i aktivistit i lëndoi ndjenjat e besimtarëve

“Largojeni kishën” shkruhej një mesazh në marshin për të drejtat e grave më 8 Mars. Ky mesazh i lëndoi ndjenjat e një numri të madh besimtarësh dhe në rrjetet sociale pati gjuhë eksplicite të urrejtjes ndaj vajzës që mbante atë pankartë, që njeriu nuk mund të dallojë nëse bëhet fjalë për ndonjë lloj barbarie apo besimtarë të vërtetë.

Le të ndërtojmë shoqërinë pa urrejtje fetare

Gjithkush ka të drejtë t’i praktikojë bindjet e tij fetare pa frikë nga dhuna, urrejtja apo diskriminimi. Është e rëndësishme të kuptohemi se besimi është çështje personale dhe intime, dhe se çdokush ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij drejt spiritualitetit.

Të folurit kundër urrejtjes fetare nuk është vetëm detyrim moral, por edhe juridik, sepse e drejta për lirinë e fesë është e drejtë themelore e njeriut. Për të ndërtuar shoqërinë ku mbizotëron respekti dhe solidariteti, ne të gjithë duhet të ngrihemi kundër urrejtjes fetare dhe të punojmë për të krijuar mjedis ku diversitetet të pranohen, dhe jo të përdoren si rast për konflikte.

Vetëm me vullnet të përbashkët për të ndërtuar shoqërinë pa urrejtje fetare mund të arrijmë lirinë dhe dinjitetin e vërtetë për të gjithë.

Ky artikull është përgatitur kuadër projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re. 

Autor: Dehran Muratov