Prokuroria demantoi informacionet se Drin Ahmeti nuk do të ndiqet penalisht për rastin me fishekzjarrët
Duke qenë se informacioni për procedurën e fishekzjarreve ndaj nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmetit, është plasuar kohëve të fundit me pretendimin se ai nuk do të ndihet penalisht, Prokuroria ka dalur me sqarim. Nga atje thonë se nuk është e vërtetë se Prokuroria Publike është tërhequr nga ndjekja penale e Drin Ahmetit. Përkundrazi, shtojnë […]
Duke qenë se informacioni për procedurën e fishekzjarreve ndaj nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmetit, është plasuar kohëve të fundit me pretendimin se ai nuk do të ndihet penalisht, Prokuroria ka dalur me sqarim. Nga atje thonë se nuk është e vërtetë se Prokuroria Publike është tërhequr nga ndjekja penale e Drin Ahmetit. Përkundrazi, shtojnë se pas procedurës së kryer të plotë para hetimore dhe ekspertimit të urdhëruar, prokuroria në bazë të provave të siguruara ka konstatuar përgjegjësinë penale të personit dhe i ka lëshuar Urdhër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Byrosë së Sigurisë Publike – SPB Shkup ku kërkon inicimin e procedurës penale kundër të akuzuarit në pajtim me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen nga lëndët plasëse, transmeton Portalb.mk.
“Përsa i përket përgjegjësisë penale, eksperti ka kryer këqyrjen dhe analizën e mjeteve piroteknike të sekuestruara dhe ka konstatuar në detaje se për çfarë lloji të produkteve piroteknike bëhet fjalë. Sipas ekspertizës, në rastin konkret bëhet fjalë për 7 fishekzjarre dhe 15 kuti fishekzjarre, shkrepjet e të cilave janë regjistruar individualisht, por në thelb janë të lidhura dhe përfaqësojnë një tërësi. Për blerjen e fishekzjarrëve, i denoncuari kishte faturë nga një person juridik, aktiviteti i të cilit është shitja e lëndëve piroteknike. Sipas raportit, lënda piroteknike në fjalë që u gjet dhe sekuestrua nuk ishte e një sasie më të madhe që mund të shkaktonte ndjekje penale dhe përgjegjësi të mundshme penale, si dhe fakti se Ministria e Punëve të Brendshme si autoritet kompetent për ngjarjen ka dërguar njoftim dhe jo kallëzim penal në prokurori. Mirëpo, prokurori publik duke vepruar dhe duke i shqyrtuar të gjitha rrethanat ka konstatuar se personi nuk ka pasur leje për transportin e mjeteve piroteknike siç kërkohet me ligj, gjë që përbën kundërvajtje për të cilën Ligji për mbrojtjen nga substancat shpërthyese ka dispozita të veçanta kundërvajtëse në nenin 69 dhe për të cilin është planifikuar të drejtohet një procedurë kundërvajtëse nga një komision në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Procedura tjetër ndaj të njëjtit në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është në vazhdim e sipër”, sqarojnë nga Prokuroria.
Kujtojmë se Alsat dje shkroi se Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale e nipit të kryetarit të BDI-së, Drin Ahmeti, në lidhje me mjetet piroteknike që iu kapën në mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2023, në veturën e tij Range Rover me targa të Shqipërisë, gjatë një kontrolli të policisë në Shkup.
“Gjatë procedurës është konstatuar se nuk janë të plotësuara veçoritë e veprës penale – Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim me armë dhe materie shpërthyese nga neni 396 i Kodit Penal, as çfarëdo vepre tjetër penale për të cilën, ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare. Eksperti ka kryer ekspertizë dhe analizë të mjeteve të konfiskuara piroteknike dhe ka konstatuar në detaje dhe në mënyrë të veçantë për çdo mjet se për çfarë prodhimi piroteknik bëhet fjalë. Sipas ekspertizës së kryer, në rastin konkret bëhet fjalë për 7 pushkaliqe dhe 15 kuti me raketa fishekzjarrësh, shkrepjet e të cilave janë evidentuar në mënyrë të veçantë, por në thelb janë të lidhura dhe paraqesin një tërësi”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup”, thuhej në njoftimin që Prokuroria e kishte dhënë për Alsat.
Kujtojmë se edhe një lëndë tjetër është në procedurë parahetimore për Drin Ahmetin. E njëjta ka të bëjë me transaksionet financiare të Ahmetit. Pas shumë muajsh hetime, një pjesë e madhe e dokumentacionit të kërkuar është siguruar dhe analizuar, ndërsa analiza e pjesës tjetër pritet të përfundojë së shpejti. Nga dokumentacioni i mbledhur deri tani, ka dalë nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të verifikuar informacionet që mund të jenë të rëndësishme për hetimin.
Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, vitin e kaluar u bë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”.
Dyshohet se ai ka fituar tenderë në kurriz të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, mirëpo Drin Ahmeti e ka mohuar lidhjen e liderit të BDI-së me biznesin e tij.
Policia e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, në korrik, ngriti kallëzim penal ndaj nipërve të Ali Ahmetit, përkatësisht Drin Ahmetit dhe vëllait të tij, nën dyshimet për përfitime të kundërligjshme gjatë shfrytëzimit të koncesionit në Zajaz.
“Kallëzim penal ndaj 26 vjeçari D.A. dhe 34 vjeçarit B.A. nga Kërçova, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritet zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, sqaroi Policia.
Ata dyshohet se nga viti 2016 kanë përfituar materialisht në kundërshtim me Ligjin për burime minerale dhe Marrëveshjen për koncesion për shfrytëzimin e një lokaliteti në Zajaz. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet subjektit juridik nga Kërçova dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë e udhëhequr atëkohë nga Kreshnik Bekteshi.