Ndërprerja e ujit, ISHP me rekomandime për banorët e Shkupit, spitalet dhe objektet hotelerike

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u ka dhënë rekomandime banorëve të Shkupit që duhet t’i ndjekin prej sot në mbrëmje, kur është paralajmëruar ndërprerja e furnizimit me ujë. ISHP thotë se banorët e Shkupit duhet të ruajnë ujë të mjaftueshëm në enë të pastra, nga të cilat mund të përdoren për pije, gatim dhe higjienë. […]

dhjetor 20, 2024 - 14:01
 0  4
Ndërprerja e ujit, ISHP me rekomandime për banorët e Shkupit, spitalet dhe objektet hotelerike
Disa prej banorëve të Komunës së Likovës, duke mbushur ujë, në një çeshme publike në fshatin Allashec. Foto nga Portalb.mk

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u ka dhënë rekomandime banorëve të Shkupit që duhet t’i ndjekin prej sot në mbrëmje, kur është paralajmëruar ndërprerja e furnizimit me ujë. ISHP thotë se banorët e Shkupit duhet të ruajnë ujë të mjaftueshëm në enë të pastra, nga të cilat mund të përdoren për pije, gatim dhe higjienë. Përveç kësaj uji është i nevojshëm edhe për nevoja sanitare, të cilat mund të mbushen në kova apo enë të mëdha, transmeton Portalb.mk.

ISHP këshillon edhe blerjen e ujit në shishe.

Uji i magazinuar, shton ISHP, duhet të kursehet dhe të përdoret vetëm për nevoja elementare si pirje, gatim dhe higjienë personale dhe aktivitetet si larja e rrobave, pastrimi i makinave e të ngjashme duhet të shtyhen.

Për sa i përket higjienës, këshilla e ISHP-së është përdorimi i dezinfektantit të duarve nëse nuk ka ujë në dispozicion, përdorimi i pecetave të lagura për higjienën personale, ndërsa në lavamanë dhe tualete të përdoret uji nga rezervat apo alternativat si solucione dezinfektuese.

Gjatë periudhës së ndërprerjes së furnizimit me ujë, ISHP këshillon gatimin e ushqimeve që nuk kërkojnë shumë ujë për përgatitje dhe larje, si dhe përdorimin e pjatave dhe takëmeve njëpërdorimshme për servirje, duke shmangur larjen.

Këshilla e dhënë nga ISHP-ja është që edhe nëse uji përdoret nga burime jokonvencionale si p.sh. pus, duhet zier gjithmonë para përdorimit.

ISHP këshillon që gjatë kësaj periudhe duhet pasur kujdes edhe për kategoritë vulnerabël, pra personat që kanë foshnja, të moshuar apo persona me probleme shëndetësore në afërsi të tyre duhet të sigurohen që të kenë furnizim të mjaftueshëm me ujë.

Rekomandime për institucionet shëndetësore

Edhe këtu rekomandohet që spitalet dhe klinikat të sigurojnë ujë të mjaftueshëm për nevojat elementare të pacientëve dhe stafit, por edhe të blejnë furnizime shtesë me ujë në shishe.

Stafi mjekësor këshillohet të përshtatë orarin e procedurave që kërkojnë ujë dhe të shtyjë procedurat jokritike.

“Përdorni peceta të lagura sterile për të pastruar duart dhe pajisjet, informoni pacientët për mungesën e ujit dhe rekomandimet e higjienës personale dhe sigurohuni që pacientët të marrin lëngje të mjaftueshme. Përdorni dezinfektues duarsh dhe pastrues sipërfaqesh. Kujdesuni që tualetet të mbahen të pastra me përdorim minimal të ujit”, thuhet në rekomandimet e ISHP-së.

Rekomandime për restorantet dhe kafenetë

Kur ka ndërprerje të furnizimit me ujë, ISHP-ja thotë se restorantet dhe kafenetë duhet të sigurojnë një sasi të mjaftueshme uji të ambalazhuar për pije, gatim dhe përgatitje të pijeve.

Institucionet e hotelerisë duhet të rregullojnë menutë e tyre për të shmangur pjatat dhe pijet që kërkojnë shumë ujë, si supat ose salcat e ndërlikuara dhe të fokusohen në vaktet dhe pijet që mund të përgatiten me një sasi minimale uji. Për nevoja sanitare, ata duhet të kenë të mbushur me ujë depozita, kazanë ose kova për larjen e enëve, duarve dhe sipërfaqeve, si dhe të kenë mjaftueshëm dezinfektues duarsh, peceta pastrimi kimik dhe solucione dezinfektuese për pastrimin e sipërfaqeve.

Ndërmarrja publike “Ujësjellës Kanalizime” njoftoi se për shkak të sanimit të katër defekteve, pas orës 22:00 do të ketë ndërprerje të ujit në Shkup prej sot (20 dhjetor) dhe do të zgjasë deri në sanimin e defektit.

Përdoruesit nuk do të kenë ujë kryesisht në anën e djathtë të lumit Vardar, duke filluar nga PS Planet në Gjorçe Petrov, pastaj nëpër Porta Vlae, Karposh, Taftalixhe, Vodno, Qendër, Kisella Voda, Draçevë, Pintija, 11 tetor, Lisice, Novo Lisice, Aerodrom, Avtokomanda (zona e ulët), deri në Zelenikovë dhe Studeniçan.

Këto ditë, ndërprerja e paralajmëruar e ujit në një numër të komunave të Shkupit ka rritur kërkesën për ujë nëpër supermarkete dhe më së shumti po zbrazen raftet ku ndodhen shishet prej pesë litrash.