Protestuesit në Izrael kërkojnë armëpushim në Gazë dhe lirim pengjesh

Protestuesit kanë dalë të dielën nëpër rrugët e Izraelit me thirrjet për dhënie fund të luftës në Gazë dhe arritje të marrëveshjes për lirim pengjesh, që po mbahen nga militantët e Hamasit – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – teksa ushtria izraelite përgatitet për ofensivë të re. Protestat […]

gusht 17, 2025 - 16:30
 0
Protestuesit në Izrael kërkojnë armëpushim në Gazë dhe lirim pengjesh

Protestuesit kanë dalë të dielën nëpër rrugët e Izraelit me thirrjet për dhënie fund të luftës në Gazë dhe arritje të marrëveshjes për lirim pengjesh, që po mbahen nga militantët e Hamasit – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – teksa ushtria izraelite përgatitet për ofensivë të re.

Protestat janë organizuar rreth një javë pasi kabineti i sigurisë së Izraelit i ka miratuar planet për kapjen e qytetit të Gazës në Rripin e Gazës, pas 22 muajve luftë që ka përkeqësuar rëndë situatën në territorin palestinez.

Lufta është nxitur nga militantët e Hamasit, të cilët kanë kryer sulm në Izrael në tetor të vitit 2023, dhe i kanë marrë rreth 250 pengje. Besohet se 49 pengje vazhdojnë të jenë në Gazë, përfshirë 27 që janë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite.

Një flamur i madh izraelit me portretet e pengjeve të mbetura, është shpalosur në të ashtuquajturin Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv.

Protestuesit i kanë bllokuar disa rrugë në qytet, përfshirë autostradën që lidh Tel Avivin me Jerusalemin, duke ua vënë zjarrin gomave dhe duke bllokuar trafikun.

Organizatorët e protestave dhe përfaqësuesit e familjeve të pengjeve kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme të dielën – ditën e parë të javës në Izrael.

Në Jerusalem dhe Tel Aviv, shumë biznese janë mbyllur. Egjipti ka thënë ditëve të fundit se ndërmjetësuesit janë duke negociuar një armëpushim 60-ditor që përfshin lirimin e pengjeve, pasi rundi i kaluar i bisedimeve në Katar ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Disa pjesëtarë të Qeverisë që kundërshtojnë çdo marrëveshje me Hamasin, i kanë kritikuar protestat e së dielës. REL