Punësimi i punëtorëve sezonalë në RMV pritet të rregullohet me ligj 

Në Maqedoninë e Veriut diskutohet propozimi i ri ligjor për angazhimin me punë të qytetarëve. Një nga qëllimet e këtij ligji është të parandalojë shpërnguljen e të rinjve, si dhe t’u japë kompanive të vendit marrëdhënie legale për të angazhuar punëtorë për të ardhur deri te një numër sa më i madh i punëtorëve, transmeton […]

Prill 16, 2025 - 20:00
 0  5
Punësimi i punëtorëve sezonalë në RMV pritet të rregullohet me ligj 
Punëtorët duke punuar në parcelat për lule në pjesën e sipërme të Sheshit Skënderbeu. 15.11.2023. Foto: Portalb.mk

Në Maqedoninë e Veriut diskutohet propozimi i ri ligjor për angazhimin me punë të qytetarëve. Një nga qëllimet e këtij ligji është të parandalojë shpërnguljen e të rinjve, si dhe t’u japë kompanive të vendit marrëdhënie legale për të angazhuar punëtorë për të ardhur deri te një numër sa më i madh i punëtorëve, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot në debatin publik të mbajtur në Kuvend e arsyetoi Ligjin për angazhimin e personave me punë. 

Siç sqaroi ai, me këtë ligj mundësohet procedurë më e thjeshtuar për angazhimin në punë të personave për punë të përkohshme dhe sezonale në veprimtari të caktuara, marrim numër më të madh përfitimesh në disa fusha të ndryshme. 

“Ky ligj ka për qëllim plotësimin e nevojave për punë të punëdhënësve, ku lejohet angazhimi i personave me pension pleqërie, si dhe studentë të rregullt, pa humbur me këtë rast përfitimet tjera, siç janë përdoruesit e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, personat e evidentuar të papunë (e drejta e kompensim monetar dhe nuk fshihen nga regjistrat e të papunëve), përdorues i pensionit të pleqërisë dhe familjar, përdorues i së drejtës për sigurim social, statusi i studentit të rregullt”, tha Durmishi. 

Sipas tij, ky ligj ndihmon në luftën kundër ekonomisë informale “gri”. 

Nga Lidhja e Odave Ekonomike theksojnë se është e nevojshme të rishikohen përsëri të gjitha dispozitat e këtij ligji, ndërsa kërkuan edhe ndryshime.

Romeo Kostadinov nga Lidhja Ekonomike e Odave tha se shtrohet pyetja pse duhet të paguhet sigurim pensional dhe invalidor gjegjësisht kontributi për sigurim pensional për personat që tashmë kanë statusin e pensionistit, sepse ata tashmë e kanë paguar kontributin e tyre.  

“U përmendën pensionistët, por edhe personat me sigurim social apo studentët për të cilët përsëri do të paguhet i njëjti kontribut për sigurim pensional, nëse mblidhen të gjitha këto kontribute gjatë këtyre dy muajve apo më shumë, të themi gjatë një viti, vështirë se do të ketë ndonjë ndikim të rëndësishëm në realizimin e ndonjë të drejte pensionale”, tha Kostadinov. 

Toni Jarevski nga VMRODPMNE tha se personat e angazhuar në punë, nuk do të humbasin të drejtat e fituara në lidhje me ligjet e veçanta, do të thotë, studentët nuk do të humbasin bursat e tyre, të papunët nuk do të humbasin ndihmën për papunësi dhe, çka është shumë e rëndësishme, nuk do të fshihen nga regjistri i të papunëve, ndërsa ata që përfitojnë pensionin e moshës së pleqërisë nuk do ta humbasin pensioni i tyre.  

“Këto ishin arsyet që shpesh kanë qenë motivet që punonjësit e angazhuar, thënë ndryshe punëtorë të paligjshëm, nuk kanë dashur të regjistrohen, megjithëse punëdhënësit dëshirojnë t’i angazhojnë”, tha Jarevski. 

Nga LSDM-ja thonë se me këtë ligj do të reduktohet largimi nga vendi, do të forcohet ekonomia dhe do të ketë përmirësim të fuqisë punëtore.  

Deputetja Jovanka Trençevska mendon se kjo zgjidhje ligjore është ajo që duhet për momentin. 

“Sepse nga njëra anë po përballemi me mungesë të fuqisë punëtore, sidomos në sektorët që janë të përfshirë në këtë ligj si bujqësia, gastronomia dhe turizmi dhe kur punëdhënësi paraqitet në ndonjë amvisëri gjegjësisht për punët brenda, kur thërrasim njerëz nga jashtë të na ndihmojnë në përmbushjen e këtyre detyrave brenda”, tha Trençevska. 

Në këtë ligj janë përfshirë tre fusha: Bujqësia, pylltaria dhe peshkimi; objekte për akomodim dhe veprimtari shërbyese të ushqimit; veprimtari të amvisërisë si punëdhënës. 

Angazhimi me punë në procedurë të thjeshtuar do të bëhet duke lajmëruar personin përmes regjistrit për evidencën e angazhimit në punë të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë, derisa arkëtimi i tatimeve dhe kontributeve do të bëhet përmes sendërtimit të sistemit për arkëtimin e tatimeve dhe kontributeve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.