Një muaj pas: Koçani mes tragjedisë, zemërimit dhe kërkimit të përgjegjësisë
Një muaj pas zjarrit tragjik në lokalin e improvizuar të natës “Puls” në Коçan popullata në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e tronditur, ndërsa institucionet po përballen me hetim kompleks dhe të gjerë për t’i gjetur përgjegjësit. Deri më sot bilanci i të vdekurve është 61 persona dhe rreth 200 janë të lënduar, në […]


Një muaj pas zjarrit tragjik në lokalin e improvizuar të natës “Puls” në Коçan popullata në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë e tronditur, ndërsa institucionet po përballen me hetim kompleks dhe të gjerë për t’i gjetur përgjegjësit. Deri më sot bilanci i të vdekurve është 61 persona dhe rreth 200 janë të lënduar, në mesin e tyre 25 janë të mitur, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
Mëngjesin e 16 marsit Maqedonia e Veriut u trondit nga tragjedia më e madhe njerëzore në historinë e vendit. Në diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan, gjatë koncertit të duos së famshme të hip-hopit, DNK, shpërtheu një zjarr i tmerrshëm.
Tridhjetë e një ditë më vonë njerëzit ende janë në pritje të përgjigjeve, ndërsa institucionet po përballen me një hetim të gjerë. Përveç kryetarit të komunës së Koçanit asnjë ministër aktual apo zyrtar shtetëror nuk dha dorëheqje për arsye morale.
Natën e tragjedisë në diskotekën “Puls” ka pasur mbi 600 persona, edhe pse sipas kushteve dhe kapacitetit në të kanë mundur të futen shumë më pak persona. Efektet piroteknike që u përdorën gjatë performancës së DNK shkaktuan një zjarr pasi shkëndijat që u lëshuan gjatë shpërthimit të tyre i ndezën materialet me të cilat ishte i mbuluar tavani. Zjarri u përhap shpejt, ndërsa paniku, dalja e vetme dhe sistemi joadekuat i sigurisë shkaktuan stampedo. Dhjetëra persona kanë mbetur të bllokuar brenda, ndërsa shumë të tjerë kanë pësuar djegie dhe lëndime të rënda. Disa nga viktimat kanë ndërruar jetë në vend, ndërsa në ditët dhe javët më pas edhe disa të tjerë si pasojë e plagëve të marra.
Numri fillestar i të vdekurve ishte 59, por ai u rrit në 61 pas vdekjes së dy të rinjve të tjerë të cilët po trajtoheshin në një spital në Lituani. Në mesin e viktimave kishte gjashtë të mitur. Viktimat janë nga Koçani, Zërnovci, Çeshinovë – Oblesheva, Vinica, Shtipi, Probishtipi, Shkupi dhe Strumica.
Mbi 60 të dyshuar për tragjedinë – të gjithë e kanë ditur, askush nuk e ka penguar
Një ditë pas tragjedisë kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se diskoteka “Puls” dyshohet se ka funksionuar me një licencë të falsifikuar “të marrë me ryshfet” dhe edhe pse ka qenë e paligjshme, në ditën e tragjedisë asaj kishte dy ditë që i kishte skaduar afati. Mickoski madje në një konferencë për shtyp në Qeveri e tregoi para publikut licencën për të cilën pretendoi se ishte e falsifikuar.
Organet hetimore tashmë një muaj po kryejnë një hetim të gjerë për përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe institucionale. Hetimi i deritanishëm i udhëhequr nga Prokuroria Themelore Publike e Koçanit me mbështetjen e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka përfshirë mbi 60 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në mesin e tyre janë pronari i diskotekës “Puls” Dejan Jovanov, tre kryetarë të Komunës së Koçanit, ish-ministra të ekonomisë, inspektorë, policë dhe persona të tjerë të lidhur me lëshimin dhe vazhdimin e lejeve për funksionimin e diskotekës së improvizuar.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Ljupço Papazov, i cili ishte kryetar komune në kohën e fatkeqësisë, ndërsa një ditë pas saj dha dorëheqje. Koçani këtë javë u bë me një ushtrues detyre kryetar i ri i komunës– Venko Krstevski. Përveç Papazovit, në arrest shtëpiak janë edhe paraardhësit e tij Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski.
I dyshuar ishte edhe Aleksandar Karadakovski, menaxheri i kompanisë “MMM Kafe” që menaxhonte me kabarenë e improvizuar, i cili ndërroi jetë më 4 prill teksa po trajtohej në një spital në Lituani. Edhe pse në letër figuron si menaxher, banorët e Koçanit e dinë se në “Puls” Karadakovski ka punuar si banakier.
Hetimet po vijojnë ndërsa në to janë përfshirë 13 prokurorë. Deri më tani janë bërë një numër i madh i bastisjeve, janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe janë mbledhur mbi një mijë prova materiale, bëjnë të ditur nga Prokuroria Publike.
Fillimisht hetimi u përqendrua tek 27 persona dhe tre kompani, por në ndërkohë u zgjerua duke përfshirë edhe 19 persona të tjerë, si tre ish-ministra të ekonomisë, por jo edhe ministrin aktual Besar Durmishi. Në paraburgim janë edhe të gjithë drejtorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim nga viti 2012 e deri më sot, përfshirë këtu edhe drejtorin aktual. Të dyshuar janë edhe inspektorë të ndërtimit, zyrtarë dhe sekretarë shtetërorë në Ministrinë e Ekonomisë dhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT).
Nga mbrëmë nën hetim janë edhe dhjetë policë nga Koçani dhe Shtipi. Ata dyshohen se nga viti 2012 deri në vitin 2022 kanë dhënë pëlqime dhe i kanë mundësuar “Puls”-it marrjen e licencës për të ushtruar veprimtari hotelierike, edhe pse kompania nuk i ka plotësuar kushtet e parapara. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se gjashtë prej punonjësve të policisë janë ndaluar, një është në kërkim dhe tre prej tyre aktualisht janë në paraburgim.
“Në rastin konkret nuk ka dokumentacion të plotë dhe ligjor. Ky është një reagim zinxhir sa i përket dhënies së licencave, sepse ministri ose saktësisht të gjithë ministrat nuk i kanë respektuar ligjet dhe kanë lëshuar licenca që kanë qenë të pakompletuara dhe nuk kanë pasur dokumentacion ligjor”, deklaroi mbrëmë në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma prokurori publik shtetëror, Ljupço Kocevski.
Ai tha edhe se licencat që klubi i natës në Koçan i ka pasur nga viti 2012 deri në vitin 2017 janë lëshuar pa dokumentacionin e plotë dhe të nevojshëm dhe se po hetohet se ku janë blerë mjetet piroteknike dhe nëse janë përdorur siç duhet gjatë koncertit kur ka shpërthyer zjarri.
Të lënduarit ende po mjekohen
Sipas informacioneve të fundit zyrtare të ministrit të shëndetësisë, Arben Taravari, të cilat ai i ndau ditën e hënë, në spitalet brenda dhe jashtë vendit vazhdojnë të trajtohen 57 pacientë, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike. Shumica e të lënduarve ndodhen në spitale jashtë vendit, ndërsa nëntë prej tyre po trajtohen në vend.
Pas fatkeqësisë të lënduarit u shpërndanë në disa shtete – Serbi, Bullgari, Greqi, Slloveni, Turqi, Kroaci, Hungari, Poloni, Spanjë, Austri, Suedi dhe Lituani. Të lënduarit kanë pësuar djegie të rënda dhe komplikime të tjera, ndërsa mjekët njoftuan se për t’i trajtuar duhet një mjekim dhe kujdes afatgjatë dhe ndërhyrje kirurgjikale. Sipas autoriteteve, shpenzimet për transportin e të plagosurve dhe familjeve të tyre i mbuloi shteti.
Reagime të fuqishme në opinion
Pas tragjedisë në Maqedoni u shpall shtatë ditë zi. Në shenjë empatie edhe Serbia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi shpallën ditë zie.
Menjëherë pas shpërthimit të zjarrit publiku reagoi ashpër për ngjarjen dhe lëshimet të rënda që sollën deri tek ajo. Të nesërmen në Koçan u mbajt një tubim i qytetarëve të zemëruar, gjatë të cilit u rrënua edhe objekti tjetër hotelierik në pronësi të Jovanovit – kafe-bari “Klasik”.
Tubime dhe marshime paqësore u organizuan në disa qytete të vendit, me tubime më masive në Shkup të udhëhequra nga iniciativa qytetare “Kush e ka radhën?”.
Gjatë dy fundjavave të fundit edhe familjet e të ndjerëve kanë mbajtur tubime të veçanta në formë proteste, duke e shprehur kështu zhgënjimin për ritmin e hetimeve dhe duke kërkuar drejtësi të shpejtë dhe efektive për të dashurit e tyre.
Qytetarë, kompani dhe organizata prej javësh kanë bërë donacione për familjet e viktimave dhe të lënduarve në diskotekën e Koçanit. Një grup qytetarësh nga Koçani krijuan edhe platformën “SupportKocani“, ku mund të gjenden të dhënat për donacionet për të prekurit nga kjo tragjedi.
Presion ndaj mediave dhe dezinformata
Në ditët pas tragjedisë edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski organizuan konferenca të përditshme për shtyp në të cilat folën për fillimin e luftës kundër “sistemit të korruptuar”, i cili, sipas tyre, ishte fajtor për tragjedinë në Koçan. Kryeministri Mickoski para kamerave tregoi një dokument, i cili sipas tij është licencë e falsifikuar e lëshuar për diskotekën “Puls”. I pyetur nëse do të mbante përgjegjësi morale, ai tha se fillimisht do të merrej me “sistemin” dhe pastaj vendimin do ta merrte populli.
Në ditët në vijim Qeveria u dërgoi deklarata mediave duke u kërkuar atyre që të kenë kujdes për ato që publikojnë, ta respektojnë privatësinë e familjeve të viktimave dhe të mos publikojnë përmbajtje emocionale. Ishte një fushatë intensive që ndikoi në autocensurimin e shumë mediave profesionale. Gjithashtu, gjatë varrimit të viktimave në Koçan, si dhe gjatë tubimeve qytetare që pasuan, u ndalua plotësisht përdorimi i dronëve për filmimin e ngjarjeve.
Në publik u shpërndanë një sërë dezinformatash dhe u shpërndanë në mediat sociale. Së pari, se numri i të vdekurve është më i madh se sa ai i publikuar zyrtarisht, pastaj se numri i të miturve të vdekur është më shumë se 30. Gjithashtu u shpërndanë dezinformata se zjarri është shkaktuar qëllimisht dhe se ka qenë vepër e pushtetit properëndimor për t’i shkatërruar maqedonasit. Para se Krstevski të zgjidhej ushtrues detyre kryetar i Komunës së Koçanit në rrjetet sociale u postua dezinformata se ai ishte satanist. Kohëve të fundit po manipulohet edhe me përkatësinë etnike të të dyshuarve të përfshirë në hetimin e kësaj fatkeqësie.