Punëtori për përballje me dezinformatat në Tetovë: Aplikoni për trajnim, punë praktike me pagesë dhe një vizitë potenciale në SHBA

Nga data 19 deri më 21 shkurt në Tetovë do të mbahet punëtori treditore në temën përballja me dezinformatat. Konkursi për këtë punëtori është në vijim e sipër dhe në të mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë, studentë, gazetarë, anëtarë të shoqërisë civile dhe të tjerë, të cilët janë të interesuar për këtë temë […]

Jan 15, 2025 - 02:00
 0  5
Punëtori për përballje me dezinformatat në Tetovë: Aplikoni për trajnim, punë praktike me pagesë dhe një vizitë potenciale në SHBA
Punëtori për përballje me dezinformatat. Foto nga meta.mk

Nga data 19 deri më 21 shkurt në Tetovë do të mbahet punëtori treditore në temën përballja me dezinformatat. Konkursi për këtë punëtori është në vijim e sipër dhe në të mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë, studentë, gazetarë, anëtarë të shoqërisë civile dhe të tjerë, të cilët janë të interesuar për këtë temë dhe janë në moshë nga 18 deri në 29 vjet, ndërsa pjesëmarrjen e tyre mund ta konfirmojnë në këtë link deri më 5 shkurt. Në mesin e trajnuesve në këtë punëtori do të jenë gazetarë eminentë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punëtoria do të realizohet në gjuhën angleze, transmeton Portalb.mk.

Punëtoria organizohet nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarët (International Center for Journalists) në kuadër të programit “Gazetaria për gjeneratën e re” me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, e që zbatohet për të tretin vit me radhë.

Qëllimi kryesor i punëtorisë për Përballjen me dezinformatat është që pjesëmarrësit të mësojnë se si t’i dallojnë dhe zbulojnë dezinformatat nëpërmjet të punës praktike dhe shkëmbimit të njohurive dhe përvojave me profesionistë të lartë nga vendi dhe nga SHBA. Në këtë punëtori trajnues do të jenë Tоdd Helmus, profesor në organizatën ndërkombëtare RAND, Vlladimir Petreski, kryeredaktor i portalit Vërtetmatës.mk, si dhe Despina Kovaçevska, analiste dhe monitoruese e mediave në Fondacionin Metamorfozis.

Kjo punëtori është e një rëndësie të madhe sepse jetojmë në një kohë kur në rrjetet sociale po përhapentsasi gjithnjë e më e madhe e informacionit të rrejshëm dhe dezinformatave, të cilat më tej shkaktojnë pasoja të rënda sociale për publikun dhe interesin publik.

Këtë vit kjo punëtori është e dyta me radhë në serinë prej tre punëtorish, e para prej të cilave u mbajt në muajin nëntor të vitit të kaluar me temë Gazetaria e bazuar në të dhënat, ndërsa e treta është planifikuar që të mbahet në muajin prill (2025) me temë Pre-Bunking.

Gjashtë pjesëmarrësit më të mirë nga tri punëtoritë do të kenë mundësi për punë praktike njëmujore me pagesë në njërën nga tri organizatat mediatike të Fondacionit Metamorfozis – Vërtetmatës.mk, Meta.mk dhe Portalb.mk. Ndërsa, dy praktikantët më të mirë do të mund të bëjnë një vizitë studimore njëjavore me pagesë në Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë në Uashington, SHBA.