Punonjësit e kulturës në protestë, shkak vonimi i pagës

Me tekst nga kënga e grupit “Sanatorium”, “Pa arsye dhe vetëdije” dhe pankartë me varg të modifikuar nga filmi “Gëzuar Vitin e Ri ’49”, “Më fal, (a ishte) moralisht Zoki”, anëtarët e Sindikatës së Kulturës së Maqedonisë (SKM) protestuan para Ministrisë së Kulturës për shkak se u është vonuar rroga e marsit, transmeton Portalb.mk. “Ne […]

Prill 22, 2025 - 18:00
 0  4
Punonjësit e kulturës në protestë, shkak vonimi i pagës
Vera Atanasovska/ Foto nga protesta. prinstrcreen nga Telma TV

Me tekst nga kënga e grupit “Sanatorium”, “Pa arsye dhe vetëdije” dhe pankartë me varg të modifikuar nga filmi “Gëzuar Vitin e Ri ’49”, “Më fal, (a ishte) moralisht Zoki”, anëtarët e Sindikatës së Kulturës së Maqedonisë (SKM) protestuan para Ministrisë së Kulturës për shkak se u është vonuar rroga e marsit, transmeton Portalb.mk.

“Ne qëndrojmë këtu sot, jo sepse duam, por sepse duhet! Duhet, sepse ka shumë kohë që vazhdon kjo çmenduri, e cila çdo vit, në mars dhe prill, na sjell përsëri këtu, në prag të durimit dhe dinjitetit. Grupi prej vetëm pesë superheronjsh, të cilët e quajnë veten me krenari ‘Ministria’, nuk zhgënjen as këtë vit. Ata luftuan me guxim për të ruajtur një traditë specifike, traditën e protestave të muajit prill të punëtorëve të kulturës. Në emër të drejtësisë, ata u sollën në mënyrën më të pahijshme dhe totalisht të papërgjegjshme ndaj punonjësve të institucioneve, duke mos u dhënë udhëzime në kohë se si të vazhdonin përllogaritjet e reja të pagave, me shumë gjasa duke shijuar vetë aktin e sodit në tryezat bosh të Pashkëve të mbi 3000 punonjësve, duke ditur koston, por jo dëmin e tyre! Ironia është – kjo nuk ndodh në ndonjë lojë abstrakte burokratike, por pikërisht në Ministrinë që ekziston për hir tonë”, tha kryetarja e SKM-së, Vera Atanasovska.

Kujtojmë se, më 18 prill, Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi se punonjësit e kulturës do të merrnin paga pas festave të Pashkëve.

“Punonjësit në institucionet e kulturës do t’i marrin pagat me rritjen e nevojshme në dy ditët e para të punës të javës së ardhshme, në përputhje me ligjin dhe kontratën kolektive. Vonesa është për shkak të koordinimit të përllogaritjeve të pagave me Ministrinë e Financave”, njoftoi Ministria e Kulturës më 18 prill, pas reagimit të Sindikatës se kanë mbetur pa rrogë gjatë pushimeve.

Atanasovska sot ndër të tjera tha se problem është respektimi i Marrëveshjes Kolektive për Kulturë, e cila parasheh rregullimin e pagave për të gjithë punëtorët në përputhje me rritjen e standardit jetësor.

“Dhe tani kemi një situatë ku një Kontratë Kolektive e nënshkruar, e njohur dhe e vërtetuar me Kushtetutë po shpallet në heshtje, mes nesh, pas dyerve të mbyllura, ose ‘antikushtetuese’ ose ‘ilegale’. Ne sot nuk protestojmë për luks, por për të drejta të garantuara me Kushtetutë”, tha Atanasovska.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov, i cili me profesion është aktor, më 19 prill përmes një postimi në Facebook u ka kërkuar falje kolegëve të tij për pagat e vonuara.

“Jam i vetëdijshëm se ky është një problem i madh që ka shkaktuar shqetësim për ju dhe familjet tuaja, veçanërisht pasi këto duhet të jenë ditë gëzimi dhe feste familjare. Më vjen sinqerisht keq që kjo vonesë ka ndodhur me gjithë përpjekjet e mia për të arritur në kohë. Shkak për këtë është problemi i kahershëm dhe i pazgjidhur me rregullimin e pagave të punonjësve të kulturës, i cili çdo vit krijon probleme të mëdha. Për ta tejkaluar përfundimisht dhe përgjithmonë këtë sfidë, të gjithë palët e interesuara duhej të bashkoheshin, gjë që nuk ishte praktikë në të kaluarën, dhe e gjithë kjo fatkeqësisht çoi në vonesa në pagesa”, shkroi Lutkov.