Kos: Maqedonia e Veriut është një histori e trishtueshme sa i përket integrimit evropian
Kur bëhet fjalë për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), Maqedonia e Veriut është në shoqërinë e vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e ka përshkruar si një histori të trishtueshme. Duke folur në një intervistë me Radion Evropa e Lirë rreth Ballkanit Perëndimor, Kos thotë se ka […]


Kur bëhet fjalë për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), Maqedonia e Veriut është në shoqërinë e vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e ka përshkruar si një histori të trishtueshme. Duke folur në një intervistë me Radion Evropa e Lirë rreth Ballkanit Perëndimor, Kos thotë se ka dy ose tre histori të trishtueshme në rajon – njëra është Kosova, tjetra është Maqedonia e Veriut dhe e treta është Bosnja dhe Hercegovina, transmeton Portalb.mk.
Në bisedën që zgjati pak më shumë se 20 minuta, në të cilën tema është ekskluzivisht zgjerimi i Bashkimit Evropian, zhvillimet aktuale gjeopolitike që ndikojnë në proces dhe pritjet prej tij, Kos e përmend vendin vetëm në dy raste. Një herë në kontekstin e Ballkanit Perëndimor dhe herën e dytë, duke bërë një lloj parabole me rrugën e integrimit evropian të Ukrainës, e cila, megjithëse në luftë, është një vend kandidat për anëtarësim.
“Përmendët Ballkanin Perëndimor. Unë vij nga Sllovenia, e cila dikur ishte pjesë e këtij territori në një kuptim më të gjerë. Në disa aspekte, rajoni ishte më mirë 20 vjet më parë sesa është tani. Dhe ka dy ose tre histori shumë të trishtueshme. Njëra prej tyre është se Kosova nuk mund të shkojë më tej. Një tjetër histori e trishtueshme është Maqedonia e Veriut… E dini, nëse do të prisnim aq gjatë sa Maqedonia e Veriut pret për të filluar negociatat, Ukraina do të fillonte negociatat në vitin 2045. Dhe, sigurisht, është Bosnja dhe Hercegovina”, thotë komisionerja e BE-së Kos.
Në fillim të bisedës, ajo pajtohet plotësisht me pohimin se, ndonëse zgjerimi ka qenë gjithmonë një proces, tani gjeopolitika është e përfshirë në të më shumë se kurrë, në nivelin më të lartë.
“Pajtohem plotësisht me ju. Edhe kur isha kandidate për komisionere në nëntor ose tetor, thoja se zgjerimi sot është i ndryshëm nga ai që ishte pesë vjet më parë. Megjithatë, sot them se procesi i zgjerimit është i ndryshëm nga ai që ishte në janar sepse shumë gjëra kanë ndryshuar, përfshirë qeverinë e re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Gjeopolitika ka ndryshuar në kuptimin që ishte një përparësi para zgjerimit, por nuk lidhej aq shumë me pjesën që ka të bëjë me sigurinë dhe paqen. Dhe përsëri, me zgjerimin e sotëm ne po kthehemi disi te themelet për të cilat u themelua Bashkimi Evropian. Ishte për të siguruar paqen, lirinë, prosperitetin dhe sot mund të shtojmë – për sigurinë”, thotë Kos.
Dhe më tej, siç shtoi ajo, bëhet fjalë për kapituj dhe grupe dhe vlera referuese, por ajo që është e rëndësishme, siç thotë ajo, është që BE-ja të mos dështojë në procesin e zgjerimit, i cili, sipas saj, është politika e jashtme më e suksesshme e Bashkimit Evropian.
Një dështim brenda këtij procesi, sipas komisioneres evropiane për zgjerimin, do të ishte nëse përbërja aktuale e Komisionit Evropian nuk arrin të sjellë asnjë anëtar të ri në BE gjatë mandatit të tij, i cili zgjat deri në vitin 2029.
Sipas Kos, Mali i Zi dhe Shqipëria janë vendet me të cilat BE-ja mund të zgjerohet në këtë periudhë katërvjeçare.
“Mund ta bëjmë këtë me Malin e Zi. Të gjitha kapitujt janë të hapur, kështu që po i mbyllim në mënyrë që ta përfundojmë procesin deri në fund të vitit 2026, nga një këndvështrim teknik. Me Shqipërinë, mund ta përfundojmë procesin nga një këndvështrim teknik deri në fund të vitit 2027. Pse them nga një këndvështrim teknik? Sepse është një procedurë negociuese, (vendet kandidate) duhet të zbatojnë reformat, por më pas u takon shteteve anëtare të vendosin nëse do të bëhen anëtarë apo jo”, thotë ajo.
Kur u pyet nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të jenë shteti i 28-të dhe i 29-të anëtar i Bashkimit Evropian kur ajo të largohet nga detyra në vitin 2029, Kos u përgjigj kategorikisht – “po”.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.