Që nga marsi i vitit 2012 nuk ka inspektor për mbrojtje nga zjarri në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Koçan

Në Departamentin Rajonal i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh) në Koçan, posti i inspektorit të mbrojtjes nga zjarri nuk është plotësuar që nga viti 2012, pasi i mëparshmi doli në pension në mars të të njëjtit vit. Sipas të dhënave zyrtarisht të disponueshme nga Drejtoria, gjysma e vendeve të planifikuara për inspektorë në vend […]

Mars 24, 2025 - 17:00
 0  4
Që nga marsi i vitit 2012 nuk ka inspektor për mbrojtje nga zjarri në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Koçan
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Në Departamentin Rajonal i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh) në Koçan, posti i inspektorit të mbrojtjes nga zjarri nuk është plotësuar që nga viti 2012, pasi i mëparshmi doli në pension në mars të të njëjtit vit. Sipas të dhënave zyrtarisht të disponueshme nga Drejtoria, gjysma e vendeve të planifikuara për inspektorë në vend janë të lira, përkatësisht vetëm pesëmbëdhjetë janë aktualisht të punësuar, shumica prej tyre në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Para se të kalojnë në DMSH, inspektorët e mbrojtjes nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore ishin nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gjatë asaj periudhe gjithsej 63 ishin të punësuar në të gjitha komunat. Prej tyre, 35 u transferuan në Drejtori dhe numri u zvogëlua gradualisht, kryesisht për shkak të daljes në pension dhe nuk u plotësuan vendet vakante.

“Zjarri tragjik në diskotekën e Koçanit është konfirmim se problemi me parandalimin dhe mbrojtjen është i kahershëm, dhe sistemi është jofunksional. Mungesa e një inspektori adekuat mund të mos ketë qenë çelësi për parandalimin e aksidentit, por ndoshta mund të ketë pasur ndikim në parandalim. Besoj se mungon edhe edukimi më elementar dhe njohja e popullatës me shkaqet dhe metodat e mbrojtjes dhe veprimit në rast zjarri”, tha Zlatko Ilijev, kryetar i Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve nga Koçani.

Ekspertët për mbrojtje nga zjarret dhe fatkeqësitë tjera natyrore kërkojnë që Qeveria të sigurojë mjetet e nevojshme për plotësimin e pozitave të parapara inspektuese. Gjithashtu, në periudhën e ardhshme në nivel shtetëror duhet të organizohet edukimi i duhur për më të rinjtë nga mosha parashkollore deri në atë të mesme për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri.

Kujtojmë se në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.