Qeveria e prerë se nuk do të kalojë nisma për riemërimin e rrugëve në Tetovë, Kasami: Është deformim i deklaratës së Qeverisë

Nisma për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë ka hapur diskutime të mëdha politike në vend. Qeveria e vendit theksoi se nuk do të pranojë një propozim të tillë, megjithatë kryetari i Komunës së Tetovës thotë se kjo është deformim i deklaratës së Qeverisë, pasi sipas tij nuk do të ketë proces të imponuar […]

Jan 28, 2025 - 15:00
 0  7
Qeveria e prerë se nuk do të kalojë nisma për riemërimin e rrugëve në Tetovë, Kasami: Është deformim i deklaratës së Qeverisë
Tetova, foto nga Portalb.mk

Nisma për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë ka hapur diskutime të mëdha politike në vend. Qeveria e vendit theksoi se nuk do të pranojë një propozim të tillë, megjithatë kryetari i Komunës së Tetovës thotë se kjo është deformim i deklaratës së Qeverisë, pasi sipas tij nuk do të ketë proces të imponuar por gjithçka do të bëhet në mënyrë transparente dhe demokratike, shkruan Portalb.mk. 

Pas reagimeve të shumta nga partitë dhe Qeveria e vendit, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami sot theksoi se nisma për riemërimin e rrugëve në Tetovë nuk do të bëhet me imponim ndaj askujt. 

“Jo, nuk është ashtu, është deformim i deklaratës së Qeverisë. Qeveria thotë nuk do të ketë ndryshim me imponim të emrave të rrugëve, në asnjë moment Komuna e Tetovës nuk ka një proces të imponimit të ndryshimit të emrave të rrugëve. Prej fillimi flasim për një proces të emërimit të rrugëve, duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat demokratik dhe ligjor. Në asnjë moment Komuna e Tetovës nuk ka për qëllim të imponojë ndonjë vendim në kundërshtim me kërkesën e qytetarëve të Komunës së Tetovës, kushdo qofshin ata”, tha Kasami. 

Ai sqaroi se aty ku rrugët kanë numra dhe jo emra, do të vendosen emra, ndërsa aty ku ka emra, vetë komisioni ku ka përfaqësues të të gjitha subjekteve politike në këshillin komunal të Tetovës do të vlerësojë që një emër ekzistues do të vlerësojë a do të vazhdojë të jetë apo do të ndryshohet. 

Qeveria e vendit pas reagimeve të partive politike doli me qëndrim se nëse një propozim i tillë vjen në shqyrtim të qeverisë, ai nuk do të pranohet. 

“Qeveria nuk do të japë pëlqimin për një ndryshim të tillë. Qeveria ende nuk ka marrë vendim përfundimtar lidhur me iniciativën për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë. Po ashtu theksojmë se kryetari i Komunës së Tetovës është duke e ndjekur agjendën e tij lidhur me këtë çështje, madje as që është pjesë e marrëveshjes së koalicionit”, deklaruan nga Qeveria për Portalb.mk. 

Nisma për riemërimin e rrugëve është kundërshtuar nga LSDM-ja. 

“Këshilltarët e LSDM-së do të qëndrojnë fuqishëm kundër riemërtimit të rrugëve. Si partner i koalicionit të Kasamit, kërkojmë që Mickoski publikisht t’i bëjë thirrje atij që të tërhiqet nga ky propozim. Edhe këshilltarët e DPMNE-së duhet të kundërshtojnë dhe të dalin kundër”, tha Andrijana Tomoska.

Edhe partia “E Majta” ka kërkuar nga VMRO-DPMNE që ta ndalojë menjëherë Kasamin që të emërojë rrugët e Tetovës. 

“Të marrin masa urgjente dhe të ndalojnë procesin e riemërtimit të mbi dyqind rrugëve të Tetovës”, thanë nga “E Majta” 

Grupi i Këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Këshillin e Komunës së Tetovës theksuan se pranojnë të të diskutojnë vetëm për rrugët që nuk kanë emra, si dhe për rrugët që janë të regjistruara vetëm me numër, vetëm nëse kjo është e pranueshme nga popullata që jeton në atë rrugë. 

“Duke respektuar përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të komuniteteve në Tetovë, me qëllim të zgjidhjes së problemit të mungesës së numrave të shtëpive dhe emrave të rrugëve në një numër të madh të rrugëve në Tetovë”, thanë nga VMRO-DPMNE. 

Ditë më parë në një deklaratë për Portalb.mk këshilltari komunal Liridon Disha nga BDI thekson se duke e marrë parasysh faktin se Tetova ka shumë rrugë të cilat nuk kanë emra, por janë të shënuara me numra, iniciativën për vendosjen e emrave këtyre rrugëve e mirëpritën dhe e përkrahën bashkërisht. 

“Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë i kyçur direkt në këtë proces përmes Këshilltarit Veton Murati i cili ka dërguar një listë emrash veprimtarësh të cilët ne i kemi seleksionuar përmes një bashkëbisedimi me esnafë të qytetit dhe intelektualë e njohës të mirëfilltë të familjeve e individëve që kanë dhënë kontribut për Tetovën dhe shqiptarët në përgjithësi”, pati thënë Disha. 

Aktualisht sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, është konstatuar që në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim. 

Grupi punues për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës u themelua më 26 gusht 2024,

Ky grup punues përbëhet nga këshilltarët komunal: Argjend Veliu (LB), Abdyrahim Maksuti (LB), Veton Murati (BDI), Anita Boshkovska Jovanovska (VMRO-DPMNE), Visar Palloshi (PDSH), Faton Selami (AAA) dhe Gligorije Stojanovski (LSDM). 

Anëtarë të tjerë janë: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani. 

Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse. 

Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës. 

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë. 

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.