Qeveria emëroi ministrin Murtezani koordinator nacional për zbatimin e Agjendës Reformuese

Në seancën e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, u miratua konkluzioni me të cilin Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani u emërua koordinator nacional për zbatimin e Agjendës reformuese, transmeton Portalb.mk. Gjatë seancës u miratua propozimi – Modeli për krijimin e strukturës që do të menaxhojë zbatimin e Instrumentit për Reforma […]

Nëntor 19, 2024 - 18:00
 0  6
Qeveria emëroi ministrin Murtezani koordinator nacional për zbatimin e Agjendës Reformuese
Orhan Murtezani. Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane

Në seancën e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, u miratua konkluzioni me të cilin Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani u emërua koordinator nacional për zbatimin e Agjendës reformuese, transmeton Portalb.mk.

Gjatë seancës u miratua propozimi – Modeli për krijimin e strukturës që do të menaxhojë zbatimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje, që rrjedh nga Rregullorja e BE-së 2024/1449 për vendosjen e  Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, me të cilin përcaktohet Agjenda Reformuese e Maqedonisë së Veriut, si dhe nga projekt-Marrëveshja për Instrumentin për Reforma dhe Rritje dhe projekt-Marrëveshja për kredi.

“Me këtë propozim-Model, Ministria për Çështje Evropiane, në koordinim me institucionet kompetente, duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për operacionalizimin e strukturës, e cila përfshin përgatitjen e të gjitha procedurave, udhëzimeve, dhe dokumenteve të tjera për ndjekjen, raportimin dhe vlerësimin, si dhe kontrollin dhe revizionin e brendshëm financiar publik, për zbatimin e Agjendës reformuese. Pas miratimit të tekstit të Projekt-Marrëveshjes mbi Instrumentin për Reformën dhe Rritjen, Qeveria autorizoi ministrin Murtezani ta nënshkruajë atë”, njoftuan nga MÇE.

Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.

Ndryshe, Ministria për Çështje Evropiane po zhvillohen një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese. Kjo platformë do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Lista dhe hapat e implementimit do të jenë të disponueshëm në mënyrë të vazhdueshme për publikun. Edhe pse nuk është përcaktuar ende një datë e saktë, Murtezani siguron se puna për ndërtimin e platformës është në proces dhe ajo do të jetë e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.