“Reago” – mjeti i i ri digjital i qytetarëve në RMV për luftën kundër korrupsionit

Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSC), së bashku me partnerët e programit “Qytetarët kundër korrupsionit”, krijuan aplikacionin “Reago”, i cili është mjet inovativ, digjital i dedikuar për qytetarët që duan të kontribuojnë në transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike, transmeton Portalb.mk. Aplikacioni synon të mbështesë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, duke mundësuar reagim të […]

Nëntor 19, 2024 - 18:00
 0  6
“Reago” – mjeti i i ri digjital i qytetarëve në RMV për luftën kundër korrupsionit
Promovimi i mjetit të ri digjital, “Reago”. Foto: Instituti për Demokraci "Societas Civilis"

Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSC), së bashku me partnerët e programit “Qytetarët kundër korrupsionit”, krijuan aplikacionin “Reago”, i cili është mjet inovativ, digjital i dedikuar për qytetarët që duan të kontribuojnë në transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike, transmeton Portalb.mk.

Aplikacioni synon të mbështesë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, duke mundësuar reagim të lehtë dhe të shpejtë në rast të mosveprimit të institucioneve kur është e nevojshme, apo në rastet që kërcënojnë integritetin e institucioneve.

“Qëllimi i “Reago” është të mundësojë komunikim më të shpejtë dhe më efikas mes qytetarëve dhe institucioneve. Me një klikim të thjeshtë në butonin “reago”, krijohet një email të cilin përdoruesi mund ta dërgojë më pas tek institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e problemit. Në këtë mënyrë qytetarët janë të përfshirë drejtpërdrejt në luftën aktive kundër korrupsionit dhe kanë mundësinë të veprojnë dhe të reagojnë tek vendimmarrësit”, thotë Misha Popoviq, kryetare e Qendrës për Qeverisje të Mirë në IDSCS.

Në platformë qytetarët mund të gjejnë të gjitha nismat që janë krijuar dhe që u drejtohen institucioneve të ndryshme. Këto veprime mbulojnë fusha të ndryshme, si arsimi, shëndetësia, shërbimet publike. Çdo veprim ka një kohëzgjatje dhe qëllim të ndryshëm, duke i lejuar qytetarët të përfshihen në iniciativat që i shqetësojnë më shumë. Për momentin ka reagim aktiv ndaj gjendjes alarmante me transportin publik në Shkup, me të cilën qytetarët kërkojnë përmirësim të cilësisë dhe investime në zhvillimin e një sistemi të transportit publik modern, financiarisht të qasshëm dhe të qëndrueshëm. Aplikacioni “Reago” është i qasshëm në këtë LINK.

Programi “Qytetarët kundër korrupsionit” zbatohet nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) në partneritet me Qendrën për Komunikim Qytetar (QKQ), Institutin për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS), Oda Ekonomike e Maqedonia e Veriut (OEMV), 360 Gradë, Laboratori për Raportim Hulumtues Maqedoni (IRL) dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese Maqedoni (BIRN). Programi financohet nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID/Maqedonia e Veriut.

Ndryshe, Raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, u publikua më 30 tetor. Në fushën e luftimit dhe parandalimit të luftës kundër korrupsionit u tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.