Ramiz Lladrovci: Pa unitet politik, Kosova mbetet në stagnim – PDK në defensivë
Kryetari i Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci, në një intervistë për “Bota sot” ka folur për Drenasin dhe politikën në përgjithësi. Për punët në Drenas, kryetari thotë se, prioritetet në Drenas janë arsimi, shëndetësia, uji dhe ambienti, ndërsa infrastruktura dhe shërbimet publike po zhvillohen sipas planeve dhe kërkesave të qytetarëve. Ai ka kritikuar […]
Kryetari i Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci, në një intervistë për “Bota sot” ka folur për Drenasin dhe politikën në përgjithësi.
Për punët në Drenas, kryetari thotë se, prioritetet në Drenas janë arsimi, shëndetësia, uji dhe ambienti, ndërsa infrastruktura dhe shërbimet publike po zhvillohen sipas planeve dhe kërkesave të qytetarëve.
Ai ka kritikuar PDK-në duke thënë se është në pozitë të heshtur dhe në defensivë.
Derisa për zgjedhjen e presidentit, ai theksoi se Kosovës i duhet më shumë unitet politik, orientim drejt aleatëve SHBA-BE dhe një president konsensual, duke e vënë interesin shtetëror mbi atë partiak.
Kurse, për opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, Lladrovci thotë se duhet të shmangen nëse ka zgjidhje, pasi shkaktojnë stagnim dhe kosto për vendin. Ai thekson se prioritet duhet të jenë zhvillimi, investimet dhe mirëqenia e qytetarëve.
E në rast koalicionesh, i pari i Drenasit thotë se nuk është i sigurt për koalicione, por thekson se partitë duhet të bashkëpunojnë në interes të shtetit dhe të shmangin konfliktet politike, duke respektuar vlerat e Kosovës dhe të kaluarën e saj.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Cilat janë tri prioritetet kryesore për Drenas këtë vit?
Ramiz Lladrovci: Tri prioritetet e pushtetit lokal në Drenas janë arsimi, shëndetësia, menaxhimi i ujit dhe ambienti. Janë këto prioritete dhe çështje të lidhura edhe me nivelin qendror dhe planifikimet e qëndrueshme, të vazhdueshme dhe me pritshmëri nga qytetarët.
“Bota sot”: Si po e përmirësoni infrastrukturën dhe shërbimet publike në komunë?
Ramiz Lladrovci: Puna jonë në infrastrukturë, është vijim i projekteve të planifikuara ndër vite, vazhdim dhe planifikim i projekteve të reja, në pajtim me prioritetet e përcaktuara nga qytetarët në dëgjimet buxhetore. Shërbimet publike bashkë me emergjencat, janë shumë të përkushtuara, konsideroj se veprimet tona janë në pajtim me mundësitë e pushtetit lokal, me falënderim për zyrtarët e palodhshëm të cilët janë çdo herë në vendin e ngjarjes, në shërbim të qytetarëve.
“Bota sot”: Kalojmë te politika, zoti Lladrovci, si e vlerësoni pozicionin aktual të PDK-së në skenën politike?
Ramiz Lladrovci: Pozitën e PDK-së, aktualisht e shoh në defensivë, madje, e konsideroj se është mjaft e heshtur, përball situatës në të cilën ndodhet vendi. Vendi, nuk e ka pozitën e vet meritore në nivelin rajonal, aleancat e qëndrueshme historike si dhe perspektivën që synojmë si shtet dhe si qytetarë. Pozita e Kosovës si shtet, duhet të jetë me më shumë optimizëm, projekte, perspektivë e kontribut për mirëqenien e qytetarëve por edhe në skenën rajonale, me përkrahjen e aleatëve tanë, ShBA-së dhe Bashkimit Evropian. Kreditë tona si shtet i ri, si burim i paqes dhe sigurisë në rajon bashkë me vendet mike, nuk janë shteruar, vetëm duhet gjetur rrugën për të promovuar kapitalin tonë njerëzor, shtetëror e politik, në rrethanat aktuale, punë kjo që pret angazhimin e plotë e të pakursyer të PDK-së.
“Bota sot”: A duhet vendi të ketë një president konsensual apo partiak? A ka PDK një emër konkret për president?
Ramiz Lladrovci: Nuk e di se çfarë do të propozojë PDK, por, mendimi im është se Kosovës i duhet president. Unë kam qenë kritik edhe më herët, për të gjetur zgjidhje në rrethanat që përcjellin shtetin tonë, pa tentuar të ketë në skenën tonë politike arroganca të dëmshme. Dhuna e numrave nuk i sjell asnjë të mirë vendit, marrëveshjet, harmonizimet dhe uniteti, janë rruga e vetme, për vendin tonë të vogël, Kosovën. Nuk jam në dijeni për ndonjë emër për president nga PDK, por, subjekti i lirisë dhe pavarësisë, asnjëherë nuk e ka vendosur interesin partiak mbi atë shtetëror. Opozita, nuk diti të veprojë lidhur me propozimin e pozitës për kryeministër dhe kryeparlamentar për të evituar 28 dhjetorin. Vendimi politik, duhet të jetë maksimalist në rrethanat e caktuara, abstenimi nuk ofron çdo herë zgjidhje, kjo e bën PDK-në ndryshe nga natyra e saj, për veprime të drejta e të dobishme institucionale në rrethanat konkrete.
“Bota sot”: A janë të pashmangshme zgjedhjet e reja në këtë situatë politike? A është PDK gati për zgjedhje të reja?
Ramiz Lladrovci: Zgjedhjet janë rrugë për situatat pa shtegdalje, zgjedhjet e shpeshta, irritojnë qytetarët dhe shkaktojnë shpenzime që mund të evitohen. Mund të flas për klimën në komunën e Drenasit, si bastion i PDK-së, çdo herë është gati për zgjedhje, por, çështja është a na duhen, a mund të shmangën vonesat dhe bllokimet e vazhdueshme. Me zgjedhje, çdo shtet ka stagnim, pushon zhvillimi dhe shkaktohen vonesa në të gjitha proceset së paku për një vit. Partitë politike duhet ta mendojnë çështjen e rinisë, investimet kapitale, projektet me perspektivë për shtetin dhe njëmijë çështje tjera, nga uji i pijes, energjia, ambienti dhe prioritetet tjera në funksion të mirëqenies së qytetarëve.
“Bota sot”: Çfarë ndryshimesh i duhen PDK-së për të rikthyer besimin e qytetarëve?
Ramiz Lladrovci: Besimi i qytetarëve ndaj PDK-së nuk është zbehur, këtë e tregojnë zgjedhjet. Kemi mundur më shumën si parti, por, situatat e krijuara, deshtëm apo jo, prodhuan këtë rezultat. Fitorja e PDK-së në disa komuna emblematike si Prizreni, Ferizaj, dy komunat e Drenicës dhe komunat tjera, dëshmojnë se kemi qëndrueshmëri, megjithatë, energjia e PDK-së është shumë më e madhe, këtë e dëshmon e kaluara e anëtarësisë tonë, arritjet për shtatë vjet qeverisje, si dhe vizioni i fuqishëm dhe i palëkundur euro-atlantik. Gabimet e lidershipit në zgjedhjet e kaluara lidhur me Drenasin, uroj të mos përsëriten, sepse korrigjimet do të jenë shumë të vështira. Kjo e dobëson mesazhin për elektoratin me efekt negativ në tërë trupin elektoral, dekurajon simpatizantët, për më keq, godet aktivistët e devotshëm e të qëndrueshëm të misionit dhe vizionit të PDK-së për shtetin dhe rrugën që duhet ndjekur. Tashmë është e qartë se llogaridhënia është e pandashme nga demokracia dhe ecja përpara, është e lidhur ngushtë me evidentimin e lëshimeve dhe mos përsëritja e tyre.
“Bota sot”: Çfarë skenarësh parashihni për muajt në vijim?
Ramiz Lladrovci: Nuk jam optimist, megjithatë, pres të ketë një marrëveshje në mes të subjekteve politike, të cilat nuk janë aktualisht të harmonizuara, por as të armiqësuara. Popullizmat nuk i bëjnë mirë kreatorëve të tyre, kauzat e shtetit janë më të vlershme se sa parullat e fushatave. Pres të kemi zgjedhje, pres të ketë çalim në zhvillim ekonomik dhe zhvillimin e gjithmbarshëm, por, është për brengosje edhe mungesa jonë në agjendën e ShBA-së, etj. Takimet në seminare dhe sesionet për opinione me grupe këshilluese joformale ndërkombëtare, nuk e plotësojnë as rrolin e as nevojat emergjente të shtetit tonë. Kosova duhet të punojë fort e të mbaj lartë shtetin e ndërtuar me aleatët, thellimin e demokracisë dhe perspektivën si model i shtetit të dalë nga një luftë e drejtë e përkrahur nga NATO dhe BE.
“Bota sot”: A do të hynte PDK në koalicione pas zgjedhjeve?
Ramiz Lladrovci: Nuk jam i sigurt për koalicion, sepse, priten disa ngjarje me peshë si vendimi për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, ngurtësimi i pozicioneve që çojnë në zgjedhje dhe lodhjen e qytetarëve me papërgjegjësinë e subjekteve politike, në veçanti për partitë shtetformuese e shtetndërtuese. Sido që të jetë, duhet të nderohet angazhimi shekullor për liri, vlerat e UÇK-së, pavarësinë e Republikës së Kosovës, njohjet nga mbi 115 shtete, duke kontribuar me mirëkuptim për të kaluarën, për veprimet në pajtim me mundësitë e asaj kohe, duke respektuar shtetformimin e shtetndërtimin. Shteti ynë, nuk është ai i vitit 2000, as 2008. Nuk guxojmë të rrimë prapa situatave dhe tendencën konflikteve në mes të partive politike, për rrethanat jashtë kontekstit kohor e historik, do evituar prapakthimin, për të ndërtuar koalicione për shtetin, qytetarët dhe të ardhmen e vendit.