Ramiz Merko “shuplakë” Ali Ahmetit: Mos kërko drejtësi selektive

Ish kryetari i Strugës, Ramiz Merko, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke ngritur shqetësime për standarde të dyfishta në trajtimin e ish-funksionarëve politikë. “Pse, Unë, Ramiz Merko nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa dy kryetarë po mbrohen nga opozita? Pse ky standard i dyfishtë? Deklaratat e fundit të BDI-së për presion politik ndaj […]

Prill 21, 2026 - 00:30
Ramiz Merko “shuplakë” Ali Ahmetit: Mos kërko drejtësi selektive

Ish kryetari i Strugës, Ramiz Merko, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke ngritur shqetësime për standarde të dyfishta në trajtimin e ish-funksionarëve politikë.
“Pse, Unë, Ramiz Merko nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa dy kryetarë po mbrohen nga opozita? Pse ky standard i dyfishtë?

Deklaratat e fundit të BDI-së për presion politik ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti dhe Fatmir Dehari i kam ndjekur me vëmendje. Kërkesa për drejtësi të barabartë dhe mosndërhyrje politike në institucione është e drejtë dhe e nevojshme.
Por pyetja që lind natyrshëm është: pse këto parime nuk vlejnë për të gjithë njësoj?
Unë, si dikush që për më shumë se dy dekada kam qenë pjesë aktive e jetës politike, që kam mbajtur përgjegjësi institucionale dhe kam kontribuar në fitore të rëndësishme elektorale në Strugë dhe në zonën zgjedhore 5, e kam përjetuar drejtpërdrejt këtë standard të dyfishtë.
Për vite me radhë kam qenë ndër zërat më të fuqishëm në terren, duke mbajtur gjallë strukturën dhe duke siguruar rezultate konkrete. Në disa cikle zgjedhore, pikërisht zona jonë ka bërë diferencën në balancën e mandateve”, deklaroi Merko.
“Por në momentin kur u përballa me procese gjyqësore, mbështetja mungoi. Përkundrazi, u krijua një distancim i hapur, madje deri në mohimin e lidhjes sime me strukturat.
Dhe këtu lind problemi kryesor: standardi i dyfishtë.
Sepse ndërkohë që sot flitet për presion politik ndaj disa ish-funksionarëve, për rastin tim nuk pati asnjë reagim, edhe pse proceset ndaj meje janë perceptuar gjerësisht si të motivuara politikisht nga periudha e qeverisjes LSDM-BDI.
Akuzat ndaj meje nuk kanë qenë për korrupsion të provuar apo krime financiare, por për çështje administrative dhe vendimmarrje institucionale si emërime drejtorësh apo vendosje simbolesh që lidhen me historinë dhe identitetin shqiptar.
Vendime që i kam marrë në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe në institucione, si dhe për respektimin e ngjarjeve historike si një vlerë e njohur dhe e pranuar në nivel shtetëror.
Megjithatë, këto u trajtuan si probleme, ndërkohë që në praktikë janë pjesë e përditshmërisë institucionale në vend.
Dhe kontrasti bëhet edhe më i qartë kur shohim se në raste të tjera, për figura të nivelit të lartë si ish-zv.kryeministri Artan Grubi, reagimet janë të kujdesshme, të zbutura apo edhe mbrojtëse.
Pra, në njërën anë relativizohen akuza të rënda për korrupsion, ndërsa në anën tjetër heshtet për procese që lidhen me vendimmarrje administrative dhe çështje identitare.
Kjo nuk është më çështje individësh.
Kjo është çështje parimesh.
Nuk mund të kërkohet drejtësi e barabartë vetëm në raste të caktuara.
Nuk mund të ketë mbështetje politike vetëm për disa dhe heshtje për të tjerët.
Në këtë frymë, unë, Ramiz Merko, shpreh solidarizimin dhe mbështetjen time të fuqishme ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti, Fatmir Dehari, dhe të tjerë si Festimi, Ardiani, Sabaudini, Ejupi, Lirimi, Nefiu, Kreshniku etj, përballë çdo presioni apo procesi që perceptohet si i motivuar politikisht.
Mbi të gjitha, qëndroj i palëkundur në mbështetje dhe solidarizim me të gjithë ata që sot përballen me presione të tilla, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë”, theksoi ai.