Reagon Faton Bislimi: Nëse republika më thërret për shërbim, jam gati

Faton Bislimi, një ndër emrat që është përfolur javët e fundit për postin e presidentit, ka reaguar disa ditë pasi u bë i ditur kandidati konsensual i Vetëvendosjes dhe LDK-së, Bekim Sejdiu. Në një postim të gjatë, ai tha se ka marrë shumë ...

shtator 2, 2026 - 16:00
Reagon Faton Bislimi: Nëse republika më thërret për shërbim, jam gati

Faton Bislimi, një ndër emrat që është përfolur javët e fundit për postin e presidentit, ka reaguar disa ditë pasi u bë i ditur kandidati konsensual i Vetëvendosjes dhe LDK-së, Bekim Sejdiu.

Në një postim të gjatë, ai tha se ka marrë shumë mbështetje për propozimin që ai të konsiderohet për kryetar shteti.

“Kam marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga njerëz që dashurinë për Kosovën e kanë dëshmuar me jetë e me vepra; nga miq të dëshmuar të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë ambasadorin William Walker dhe ish-kongresmenin Joe DioGuardi; nga familjet e heronjve Sali Çekaj dhe Agim Ramadani; nga shqiptarët e Luginës së Preshevës; nga miq e kolegë të mi nga Harvard Kennedy School; dhe, mbi të gjitha, nga qytetarë e atdhedashës të shumtë të Kosovës, nga çdo kënd i vendit dhe nga diaspora jonë.”

Tutje, ai ka shkruar se shërbimin ndaj Kosovës nuk e sheh si çështje pozite, duke lënë të kuptohet se nëse përmendet emri i tij në një situatë të re, është i gatshëm.

“Unë nuk e kam parë asnjëherë shërbimin ndaj Kosovës si çështje të një pozite. Për mua ai ka qenë dhe mbetet mision. Pozitat janë të përkohshme. Përgjegjësia ndaj vendit është shumë më e madhe se çdo pozitë dhe shumë më jetëgjatë se çdo moment politik.”

Në fud, kandidatura e përfolur, ai tha se është ofertë për t’i shërbyer Kosovës, duke shtuar se si e tillë akoma qëndron.

“Kandidatura ime nuk është kërkesë drejtuar një partie dhe nuk është ndërtuar kundër asnjë partie apo individi. Ajo ka qenë një ofertë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës në një moment kur vendit i duhet unitet, seriozitet institucional dhe besim në të ardhmen.

Dhe ajo ofertë qëndron! Nuk tërhiqem nga asnjë përgjegjësi që e kam marrë si amanet të brezave e si mision për të ardhmen e shtetit!

Nëse elitat politike nuk e konsiderojnë atë, atëherë fjalën do ta ketë populli. Dhe kur të vijë ajo ditë, në cilëndo fushëbetejë demokratike, unë do të jem aty. I qetë. I përgatitur. Pa borxhe ndaj askujt, përveç Kosovës.

Nëse Republika më thërret për shërbim, jam gati. Kjo përgjigje nuk ka ndryshuar”.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.