Reforma zgjedhore, BE dhe KiE: Zbatoni rekomandimet e OSBE dhe Venecias
Reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse, kërkoi ambasadori i BE në Shqipëri. Silvio Gonzato theksoi se është e nevojshme që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, pasi sipas tij ecuria e reformës zgjedhore është e lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Nevojitet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, është një kërkesë e […]
Reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse, kërkoi ambasadori i BE në Shqipëri. Silvio Gonzato theksoi se është e nevojshme që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, pasi sipas tij ecuria e reformës zgjedhore është e lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Nevojitet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, është një kërkesë e nënvizuar edhe në raportin e OSBE që nxjerr edhe mangësitë domethënëse në këtë proces zgjedhor, duke nisur nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe mungesa e fushës së barabartë të lojës. Këto reforma nuk janë vetëm rregullime teknike, por hapa themeltarë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian mirëpret ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe nxit të gjitha palët politike që të ndërmarrin një reformë gjithëpërfshirëse, duke zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Reforma Zgjedhore është pjesë domethënëse e rrugëtimin dhe zotimit që ka Shqipëria në grupkapitullin e parë për anëtarësimin në BE, është grupkapitulli i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet”, tha ambasadori i BE-së.
Gonzato vlerësoi edhe nismën e KQZ të ndërmarrë pas zgjedhjeve për të bërë një analizë të situatës, si dhe mbështeti propozimet e Ilirjan Celibashit për depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Historia jo vetëm me zgjedhjet e fundit, ka treguar që administrata zgjedhore kështu siç është ndërtuar sot nuk siguron të gjitha garancitë që duhet të japin, për administrimin profesional të procesit zgjedhor. Ndaj është me rëndësi e dorës së parë që në kuadër të reformës zgjedhore, kjo çështje të jetë ndër të parat që duhet të adresohet”.
Ndërkohë Liri Kopaçi-Di Michele, Drejtore e Divizionit të Zgjedhjeve dhe Bashkëpunimit Parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve si gur-themel i demokracisë.
“Mesazhi ynë është që stabiliteti dhe qëndrueshmëria në zgjedhje lidhet jo vetëm me cilësinë e ligjeve, por edhe me zbatueshmërinë e tyre. Krijimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore është një shans shumë i dobishëm, por vetëm nëse përqendrohet te zbatimi i rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare”.
Këto komente u bënë gjatë konferencës të organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me temë “Mbështetje për Ciklin e Procesit Zgjedhor në Shqipëri”.