Rita Ora ka siguruar një tjetër rol – kësaj here do të jetë antagoniste në një film të gjigantit Marvel
Rita Ora thuhet se do të luajë rolin e një antagonisteje në një film të ardhshëm të Marvel-it, duke synuar kështu të zgjerojë karrierën e saj në aktrim. Këngëtarja 33-vjeçare fitoi famë përmes muzikës pas publikimit të albumit të saj të parë në vitin 2012, por gjatë viteve ka ndërtuar një portofol mbresëlënës rolesh në […]
Rita Ora thuhet se do të luajë rolin e një antagonisteje në një film të ardhshëm të Marvel-it, duke synuar kështu të zgjerojë karrierën e saj në aktrim.
Këngëtarja 33-vjeçare fitoi famë përmes muzikës pas publikimit të albumit të saj të parë në vitin 2012, por gjatë viteve ka ndërtuar një portofol mbresëlënës rolesh në aktrim.
Roli i saj i parë i madh erdhi kur luajti Mia-n, motrën e Christian Grey (Jamie Dornan) në serinë e famshme “Fifty Shades of Grey”, shkruan DailyMail.
Më pas, ajo mori pjesë në filma me buxhet të madh si “Detective Pikachu”, “Twist”, “Wonderwell”, dhe “Kung Fu Panda: The Dragon Knight”.
Por duket se roli i saj i radhës do të jetë më i madhi deri më tani. Sipas gazetës The Sun, Rita do të jetë pjesë e një filmi të gjigantit Marvel.
Një burim i tha këtij mediumi se këngëtarja ka zbuluar pjesëmarrjen e saj në këtë kast gjatë ndarjes së Çmimeve të Modës të hënën mbrëma.
“Ajo ishte e veshur si një personazh negativ nga një film i Marvel-it, dhe kur dikush e komentoi këtë, ajo zbuloi se ka marrë një rol të ri si antagoniste në një film të Marvel-it”, tha burimi.
“Ajo konfirmoi se kishte marrë një rol si dikush i keq në filmdhe ishte jashtëzakonisht e emocionuar për këtë”, shtoi burimi.
Spekulimet bëhen më interesante duke marrë parasysh që Rita është e martuar me regjisorin e njohur Taika Waititi, i cili ka qenë regjisor i dy filmave të mëdhenj të Marvel-it si: “Thor: Ragnarok” dhe “Thor: Love and Thunder”.
Për më tepër, ajo ka treguar më parë aftësinë për të luajtur personazhe negative, si në rolin e saj të fundit si Mbretëresha e Zemrave në “Descendants: The Rise of Red” më herët këtë vit.
Aktualisht, Rita është e lidhur me katër filma të ardhshëm, përfshirë rikthimin në serinë “Descendants” dhe thrillerin “He Bled Neon”.
Sipas Deadline, ajo gjithashtu pritet të jetë pjesë e filmit të Amazon MGM Studios, “Voltron”, së bashku me yje të mëdhenj si Henry Cavill dhe Sterling K. Brown.
Rita është gjithashtu pjesë e filmit të ardhshëm aksion Tin Soldier, ku luajnë Jamie Foxx dhe Robert De Niro.
Në një intervistë për DailyMail, ylli i “The Masked Singer” shprehu dëshirën e saj për të vazhduar me karrierën në aktrim pas suksesit me filmin “Fifty Shades”.
Ajo rrëfeu se aktrimi, së bashku me këngën, ka qenë një pasion i saj që nga fëmijëria dhe se “do të donte të luante në një film horror”.
“Rolin tim të parë në aktrim e pata në moshën 11-vjeçare në filmin ‘Spivs’. Më pëlqen aktrimi. Aktrimi është pothuajse si një performancë!”, tha Rita.
Megjithatë, ajo mbeti realiste për hapat e ardhshëm, duke shtuar: “Do të duhet të pres dhe të shoh se çfarë rolesh më ofrohen. Gjithçka bazohet në këtë. Por, po, është diçka që do të doja të bëja më shumë në të ardhmen”.
Përveç aktrimit dhe muzikës, Rita ka qenë e përqendruar kohët e fundit edhe në sipërmarrjet e saj biznesore. Në prill, ajo lansoi linjën e saj të kujdesit për flokët, të quajtur TYPEBEA, në bashkëpunim me eksperten australiane Anna Lahey.
Rita ka punuar gjithashtu me “Primark” për më shumë se dy vjet, duke lansuar disa koleksione të suksesshme.
Koleksioni i saj më i fundit, me një pamje festive dhe elegante, u publikua muajin e kaluar.
Duke komentuar për partneritetin, Rita tha: “Jam shumë e lumtur që po lansohet koleksioni im i ri me Primark. Ka shumë energji të ndryshme, sidomos për mbrëmjet festive – darka, pije, apo vallëzime”.