RMV, ja çfarë parasheh ligji që do ta zëvendësojë “Balancuesin”
Propozim-ligji që do të zëvendësojë balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik. Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve. Punësimet e reja do të […]
Propozim-ligji që do të zëvendësojë balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik. Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve. Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me një metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve. Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase, ndërsa ligji është dërguar për vlerësim në Komisionin e Venedikut, raporton Portalb.mk.
Plani do të bëhet në përputhje me një metodologji që do të miratohet nga Agjencia për Nëpunës Administrativë. Kjo metodologji ende nuk është përcaktuar.
Institucionet në të cilat është përmbushur përfaqësimi i drejtë nuk do të mund të punësojnë sipas çelësit etnik deri në momentin kur kjo situatë të ndryshojë. Nëse dhe ku është përmbushur përfaqësimi i drejtë do të vlerësohet nga Organi Koordinues që do të drejtohet nga një Zëvendëskryeministër, ndërsa anëtarë do të ketë nga disa institucione të tjera dhe komuniteti akademik.
Me iniciativë të përbërjes së mëparshme të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në tetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi ta shfuqizojë “balancuesin“. Sipas arsyetimit të Gjykatës ky mjet e ka arritur qëllimin e tij dhe tashmë po humbet kuptimi i ekzistencës së tij, sepse bie ndesh me vlerat e tjera themelore kushtetuese.
“Pretendimi se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka shfuqizuar të drejtat e cilit do komuniteti është një gënjeshtër dhe manipulim. Kjo nuk është e vërtetë, ne jemi roje të Kushtetutës ashtu siç është. Përfaqësimi i drejtë qenësor dhe adekuat është këtu në Kushtetutë dhe ekziston”, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, më 9 tetor të vitit 2024.
Qeveria, e cila edhe në programin e saj zgjedhor mbështeti shfuqizimin e balancuesit, ka përgatitur një ligj të ri për përfaqësimin adekuat dhe të drejtë. Sipas njoftimeve rregullorja e re duhet t’i tejkalojë mangësitë e asaj të mëparshmes.
“Pas kaq shumë vitesh abuzimi le të shkëputemi nga e kaluara duke ndërtuar institucione që nuk i mbështesin të bindurit, por që i vlerësojnë të aftit. Një sektor publik ku një i ri me cilësi mund të përparojë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski më 24.06.2025.
Si do të tejkalohen abuzimet e së kaluarës me ligjin e ri? Si do të zbatohet nga njëra anë vlera themelore e Kushtetutës për përfaqësim adekuat dhe të drejtë dhe nga ana tjetër sistemi meritor gjatë punësimit në sektorin publik?
Më pak se dhjetë faqe dhe pesëmbëdhjetë nene. Kaq i gjatë është në letër Propozim-ligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë. Dokumenti e kaloi filtrin qeveritar, pas çka pushteti ekzekutiv e dorëzoi pranë Komisionit të Venedikut në qershor të këtij viti. Mendim nga atje ende nuk ka, por ligji është publikuar në portalin e Komisionit të Venedikut.
Ndërsa në të thuhet se qëllimi i ligjit është që ta respektojë, afirmojë dhe promovojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
Ndër risitë kryesore në nenin 9 të ligjit propozohet krijimi i një organi koordinues për monitorimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë. Ky organ i ri qeveritar është planifikuar të funksionojë në bashkëpunim me Agjencinë për nëpunësit administrativë.
Përbërja e tij do të përcaktohet nga Qeveria dhe është planifikuar të drejtohet nga një nga zëvendëskryeministrat. Anëtarë do të jenë edhe ministrat, nga një përfaqësues i Agjencisë, Avokati i Popullit, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe komuniteti akademik.
“(5) Organi Koordinues mundet, me iniciativën e vet ose me propozim të një institucioni kompetent, të propozojë revizion të politikave, programeve dhe planeve për punësimin dhe avancimin në sektorin publik, me qëllim përmirësimin e përfaqësimit.
(6) Organi Koordinues e ndjek dhe vlerëson zbatimin e të drejtave të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve, si dhe gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në sektorin publik. Mbi këtë bazë ai propozon masa për promovimin e barazisë, inkluzivitetin dhe efikasitetin e administratës publike”, thuhet në projektligj.
Që një institucion të mund të punësojë, ai do të duhet të ketë një plan. Plani do të bëhet në përputhje me një metodologji që do të miratohet nga Agjencia për Nëpunës Administrativë.
Plani trajtohet më detajisht në nenin 11, në të cilin përshkruhet se si do të sigurohet përfaqësimi i drejtë:
“(3) Shpërndarja do të bazohet në përfaqësimin procentual të punonjësve në institucion në fillim të vitit kalendarik, duke marrë parasysh të dhënat për popullsinë nga regjistrimi i fundit i popullsisë dhe përfaqësimin e qytetarëve në nivel qendror dhe/ose lokal.
(4) Nëse mbi bazë të të dhënave dhe analizave vërtetohet një mbipërfaqësim i anëtarëve të një komuniteti të caktuar në ndonjë nga institucionet… Organi Koordinues do të jetë i detyruar të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve të reja në përputhje me Metodologjinë. Në institucionet ku është arritur ose tejkaluar përfaqësimi adekuat, nuk duhet të planifikohen punësime të reja në bazë të përfaqësimit për aq kohë sa vazhdon një gjendje e tillë”, thuhet në nenin 11.
Duke pasur parasysh se edhe me “balancerin” bëheshin plane për punësim në institucionet publike, pyetëm në Ministrinë e Administratës Publike se çfarë është ndryshe në ligjin e ri? Çfarë do ta garantojë respektimin e vlerës themelore të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë nga njëra anë dhe respektimin e parimit të bazuar në meritë gjatë punësimit në sektorin publik nga ana tjetër?
Sipas ministrit Goran Minçev, ligji i ri duhet parë në korrelacion me dy ligjet për punonjësit në sektorin publik dhe nëpunësit administrativë. Siç shpjegon ai, me ato bëhen më rigoroze masat për punësim.
“Sidomos në kuadër të Agjencisë për Administratë, ku metoda e re e punësimit do të monitorohet në mënyrë elektronike dhe do të ketë tre nivele testimi. Praktikisht një në agjenci, provime me gojë dhe sigurisht vendimi përfundimtar i institucionit që e ka shpallur konkursin. Por është shumë e rëndësishme të theksohet se kemi miratuar edhe një ligj tjetër ku për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë kemi themeluar të ashtuquajturën Akademi për trajnim dhe edukim të nëpunësve publikë, që do të thotë se brenda kornizës së atij ligji parashikojmë 120 orë trajnim për punonjës të rinj potencialë në sektorin publik nga disa fusha të cilët do t’i nënshtrohen provimit dhe testimit nga një komision ekspertësh që do të formohet në atë akademi”, thotë Minçev për 360 Gradë.
Lidhur me pyetjen se në nenet e ligjit parashihet që punësimi të rregullohet me metodologjinë. Në nenin 11 thuhet se plani i punësimit do të jetë në bashkëpunim me organin koordinues dhe se a nuk është kjo e ngjashme me atë që e ka rregulluar balancuesi deri më tani, Minçev sqaron si vijon:
“Në këtë pikë flasim për përmbajtje të përfunduar të ligjit që është në Komisionin e Venedikut. Çfarë parasheh, çfarë parashihet në atë ligj? Formimi i një organi koordinues që do të drejtohet nga një nga zëvendëskryeministrat. Në atë organ koordinues do të marrin pjesë disa ministra, do të ketë edhe përfaqësues nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, nga Avokati i Popullit, por do të ketë edhe një përfaqësues nga komuniteti akademik, që do të thotë se ky proces, meqenëse është një kategori kushtetuese, po e hapim pak më gjerë. Ai organ koordinues një herë në vit do të raportojë për cilin do institucion për përfaqësimin adekuat të përfaqësimit të drejtë të komuniteteve etnike. Që do të thotë se ai ka të drejtë që të kërkojë informacion nga çdo institucion se cila është përbërja etnike e punonjësve në atë institucion dhe për këtë t’i raportojë Qeverisë. Institucioni duhet të japë një përgjigje brenda 30 ditëve”.
I pyetur se a do të thotë kjo se gjatë punësimit sërish do të kërkohet që qytetarët të deklarohen për përkatësinë e tyre etnike, Minçev tha “jo”.
“Jo, më lejoni të mbaroj. Pra, ky proces do të kryhet në kuadër të atij organi koordinues që është në bashkëpunim me Agjencinë për Administratë, është një proces paralel, i cili do të jetë përgjegjës për testimin e njohurive të çdo punonjësi të ri në sektorin publik. Por, është shumë e rëndësishme që pas legjitimimit të këtij ligji në shtëpinë ligjvënëse të Republikës së Maqedonisë Agjencia të përgatisë një metodologji të veçantë për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike. Tani për tani nuk do të doja të spekuloja për këtë dhe as të paragjykoja se cila do të jetë përmbajtja e asaj metodologjie”, tha Minçev.
Në pyetjen se si ligji i ri do t’i parandalojë abuzimet që ndodhnin në të kaluarën kur qytetarët deklaronin përkatësi të ndryshme etnike në varësi të nevojave të punësimit, Minçev thekson se manipulimet kishin të bënin me “balancuesin”.
“Për momentin, ajo për të cilën ne si Ministri këmbëngulim është që punësimet e reja të bazohen kryesisht në njohuri dhe cilësi. Që do të thotë se mendoj se është koha që etnia, edhe pse është një kategori kushtetuese, të mos jetë elementi i parë me të cilin do të zhvillohet konkursi në një institucion të caktuar, por përkundrazi, në Maqedoni ka ardhur koha që të krijohet një administratë publike cilësore, e cila do të dijë, do të krijojë breza të rinj të nëpunësve të sektorit publik që do ta marrin mbi supet e tyre procesin e rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Evropian, pra procesin e integrimit evropian”, shton Minçev.
Dhe si është harmonizuar ligji i ri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar “balancuesin” nëse në arsyetimin thuhet se kur veprimi afirmativ e shteron qëllimin e ekzistencës së tij ai e humbet kuptimin e tij, Ministri Minçev thotë se zgjidhja e re ligjore po përgatitet me ekspertë kushtetues dhe se për këto arsye pritet një mendim nga Komisioni i Venedikut.
Vlerësimi duhet të arrijë në dhjetor. Pas vërejtjeve pritet që ligji të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa më pas të kalojë edhe nëpër një debat publik.
Senaca plenare e Komisionit të Venedikut do të mbahet më 12 dhe 13 dhjetor dhe në të pritet të miratohet vlerësimi i këtij organi.
Projektligji për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në qershor nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut pret nga ky institucion të jep mendim për kualitetin e ligjit. Ky ligj nga ana e RMV-së, i është dorëzuar Komisionit më 11 korrik 2025 duke kërkuar nga ata vlerësim urgjent mbi këtë ligj.
Edhe pse nga ky institucion për Portalb.mk fillimisht thanë se vlerësimi do të publikohet në tetor, pas vizitës së tyre në Maqedoni ata ndryshuan mendje.
Në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venedikut, erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së. Ata u takuan edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe gjyqtaren Ana Pavllovska Daneva. Delegacioni, siç njoftoi Gjykata, ishin të interesuar për kuptimin dhe përmbajtjen e vendimit për shfuqizimin e Balancuesit.
Kujtojmë se pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Maqedoni, ka një vit që nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e “Balancues”-it, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. Për çështjen në fjalë pati reagime nga opozita se shqiptarët po anashkalohen për t’u punësuar bashkëqytetarët maqedonas. Nga ana tjerët, partia shqiptare në pushtet i mohon këto akuza.
Lënda për shfuqizimin e “Balancuesit” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.