Prokuroria: Kallëzimet penale ndaj ish-kryeministrit dhe ish-sekretarit të Qeverisë për ‘Lotarinë’ nuk janë hedhur poshtë, hetohen ende akuzat
Prokuroria Publike Republikane ka lëshuar sot një sqarim ku thuhet se ish-kryeministri dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë nuk janë përfshirë në hetimet për rastin “Lotaria”, por edhe se kallëzimet penale të ngritura kundër tyre nuk janë hedhur poshtë, transmeton Portalb.mk. Përndryshe, konfuzioni në opinion lindi pasi Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër […]
Prokuroria Publike Republikane ka lëshuar sot një sqarim ku thuhet se ish-kryeministri dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë nuk janë përfshirë në hetimet për rastin “Lotaria”, por edhe se kallëzimet penale të ngritura kundër tyre nuk janë hedhur poshtë, transmeton Portalb.mk.
Përndryshe, konfuzioni në opinion lindi pasi Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër tetë personave në këtë rast, ndërsa Prokuroria dje ka njoftuar se është hapur hetim për gjashtë të dyshuar për vepra penale që kanë shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit prej gjashtë milionë eurosh.
Ish-kryeministri dhe sekretari i përgjithshëm janë në mesin e personave kundër të cilëve janë ngritur kallëzime penale për veprat penale që kanë sjellë dëmin më të madh të buxhetit në rastin e Lotarisë, njoftoi ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në konferencën e djeshme për media.
Edhe pse as Prokuroria e as MPB nuk kanë dalë me emra dhe iniciale, shumica e mediave tashmë shkruajnë se bëhet fjalë për ish-kryeministrin dhe liderin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski.
“Me 13 dhjetor 2024 është parashtruar kallëzim penal nga Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe korrupsionit – Sektori për hetime penale, Njësia për korrupsion, e cila është parashtruar në Prokurorinë Publike Shkup kundër tetë personave”, tha Toshkovski dje ku informoi për tre aksionet që Ministria e Brendshme kreu gjatë fundjavës dhe dje.
Prokuroria Publike, megjithatë, pa përmendur emra, njoftoi se për këtë rast është hapur hetim ndaj gjashtë personave, mes të cilëve ish-zëvendëskryeministri i parë dhe zyrtari i lartë i BDI-së, Artan Grubi dhe ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami.
Në lidhje me pyetjen se pse në hetim nuk janë përfshirë edhe Kovaçevski edhe Dimovski, Prokuroria sot ka dhënë këtë sqarim:
“Prokuroria Publike tashmë ka raportuar se kallëzimet penale ndaj personave të përmendur nuk janë hedhur poshtë. Prokuroria Themelore Publike në Shkup në këtë rast ka vepruar sipas kallëzimeve penale të parashtruara nga MPB-ja dhe Drejtoria e Policisë Financiare. Pas të gjitha veprimeve të ndërmarra nga të gjitha institucionet kompetente për rastin konkret, deri më sot janë siguruar prova që nxjerrin në pah dyshimin e arsyeshëm se gjashtë personat e përmendur kanë ndërmarrë veprime që plotësojnë karakteristikat e veprave penale për të cilat është nisur procedura. Hetimet për pretendimet e mbetura në raporte janë duke vazhduar. Vërejmë se dy personat që ju përmendni janë raportuar për një periudhë krejtësisht të ndryshme kohore dhe për veprime të tjera dhe në seancën e datës 06.06.2023 kur vendimi i lartpërmendur ishte në rend dite, ka kryesuar vetëm i dyshuari aktual”.
Kjo do të thotë se kontrollet për akuzat në kallëzimin penal kundër Kovaçevskit dhe Dimovskit janë ende duke vazhduar.
Ndërkohë, Gjykata Penale e Shkupit pritet të marrë vendim lidhur me propozimin e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.
Duke pasur parasysh se të dyja janë të paarritshme për organet e zbatimit të ligjit, nëse Gjykata përfundimisht urdhëron paraburgimin e tyre, masa do të fillojë të zbatohet pas zbulimit dhe heqjes së lirisë së tyre.
Grubi dhe Bajrami dyshohet se në vitin 2023 si bashkëkryerës dhe persona përgjegjës në SHA “Lotaria Shtetërore”, duke kryer kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta, i kanë shkaktuar dëm shoqërisë aksionare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të mjeteve buxhetore të Lotarisë në shuma mbi tetë milionë euro.
Rasti ka të bëjë me blerjen e terminaleve VLT për organizimin e lojërave elektronike të fatit, të cilat Lotarisë Shtetërore nuk i ishte lejuar t’i organizojë me ligj, sepse tashmë kishte 51 përqind të aksioneve në “Video Lotaria Shtetërore – Casinos Austria ShA Shkup”.
Mirëpo, përkundër kësaj, në seancën e Qeverisë më 6 qershor 2023, të udhëhequr nga Grubi si zëvendëskryeministër i atëhershëm, është marrë vendim për blerjen e terminaleve të VLT-së, pasi paraprakisht më 9 maj të po këtij viti, i dyshuari i parë Bajrami ka paraqitur informacion për nevojën për të marrë përsipër veprimtaritë për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit nga Lotaria Shtetërore.
“Pavarësisht blerjes, ato (terminalet VLT) as nuk janë vënë në përdorim”, tha Prokuroria.
Katër të dyshuarit e tjerë të rastit, ndaj të cilëve Gjykata Penale ka caktuar masa sigurie, akuzohen se si kryetar dhe anëtarë komisioni kanë keqpërdorur kompetencat dhe detyrimet e veçanta dhe kanë hapur thirrje publike për kalimin e së drejtës për organizimin e lojërave elektronike dhe online, edhe pse e dinin se një procedurë e tillë në rastet konkrete nuk duhej të kryhej për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore.