Qytetarët në RMV me nismë për bojkot të marketeve: Mickoski e përkrah, opozita e fajëson pushtetin
Në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut po përhapen thirrje për qytetarët që të premten më 31 janar të përmbahen nga blerja dhe përdorimi i shërbimeve në markete. Qëllimi i kësaj është, siç komentohet në rrjetet sociale, ashtu si kroatët dhe malazezët, të dërgohet mesazhi i pakënaqësisë për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve […]
Në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut po përhapen thirrje për qytetarët që të premten më 31 janar të përmbahen nga blerja dhe përdorimi i shërbimeve në markete. Qëllimi i kësaj është, siç komentohet në rrjetet sociale, ashtu si kroatët dhe malazezët, të dërgohet mesazhi i pakënaqësisë për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë, transmeton Portalb.mk.
Nga LSDM thonë se kjo do të thotë se trendi nga rajoni për bojkotimin e marketeve është bartur te ne dhe për këtë fajin e kanë Qeveria dhe VMRO-DPMNE-ja dhe direkt Mickoski.
Lidhja Social Demokrate në opozitë, thekson se në muajt e kaluar vazhdimisht kanë ofruar zgjidhje konkrete për problemin e çmimeve.
“Në vend që VMRO-DPMNE të pranojë masat tashmë të dëshmuara me të cilat LSDM luftoi goditjet e çmimeve, ata vendosën ta lënë problemin dhe ta menaxhojnë me shporta të rreme. Rezultatin e shohim sot dhe këta janë qytetarë të varfër, të cilët duhet të zgjedhin se cilin nga produktet bazë të blejnë”, thuhet në deklaratën e partisë opozitare.
Nga atje thonë se pamundësia e kryeministrit Hristijan Mickoski për t’u përballur me rritjen e çmimeve, si dhe fushatat e rrejshme e PR për shporta, kanë bërë që qytetarët të merren vetë me problemin.
Ata i bëjnë thirrje Qeverisë që të pranojë propozimet e tyre dhe të marrë masa për mbrojtjen e qytetarëve në të ardhmen.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se e kupton aksionin e paralajmëruar të qytetarëve për bojkotimin e marketeve, sepse siç tha ai, prej kohësh ka folur për sjelljen e individëve në këtë biznes se po mundohen të nxjerrin fitime të larta në mënyrë spekulative.
“Kam mirëkuptim personal për këtë veprim të qytetarëve dhe këtu nuk duhet të kemi asnjë dilemë. Që në fillim kam folur për sjelljen e individëve në këtë biznes dhe se në mënyrë spekulative përpiqen të gjenerojnë fitime të larta. Institucionet, inspektorati i tregut, po e monitorojnë situatën dhe reagojnë me shpejtësi”, tha Mickoski në konferencën e sotme për media, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a do ta përkrah iniciativën qytetare për bojkotimin e tregjeve të premten e kësaj jave.
Edhe VMRO–DPMNE-ja në pushtet, sot përmes një komunikate për media njoftoi se përkrah iniciativën për bojkotimin e marketeve.
“Në të njëjtën kohë, pritet që qeveria të përgatisë një sërë masash për të kontrolluar rritjen e çmimeve, për të hetuar këto sjellje të marketeve, nëse kanë kryer abuzime, evazion fiskal apo shkelje të tjera të ligjeve ndër vite dhe në të njëjtën kohë të forcohet kontrolli mbi punën e tyre”, thonë nga partia në pushtet dhe shtojnë se tërbimi në tregje duhet të ndalet.
Kanë reaguar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ata shprehën shqetësim të thellë për situatën alarmante që po ndodh në vend.
“Qytetarët janë të detyruar të organizohen vetë për të mbrojtur interesat e tyre përballë rritjes së papërballueshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe bazike. Kjo nismë është shenjë e fundit e një populli të lodhur nga një qeveri arrogante dhe e paaftë, e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të mbrojtur qytetarët nga goditjet ekonomike dhe padrejtësitë sociale. BDI i bën thirrje qeverisë të reflektojë menjëherë dhe të ndërmarrë masa konkrete për të ulur çmimet e produkteve bazike dhe për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet në treg”, thanë nga BDI.
Në Kroaci, më 24 janar, u mbajt bojkot i dyqaneve, rrjeteve të marketeve dhe pikave të benzinës për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Thirrjet për bojkot të dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve të premten (31 janar 2025) po përhapen në mediat sociale në Bosnje dhe Hercegovinë.