RMV, Koncepti i ri për arsimin fillor gati: Historia, Gjeografia, Biologjia, Fizika dhe Kimia sërish lëndë të veçanta

Ministria e Arsimit njoftoi janë bërë ndryshimet në Konceptin për arsimin fillor, nevojën e të cilit e kanë vënë në dukje ekspertët dhe opinioni i gjerë në periudhën e kaluar, ndërsa veçanërisht mësimdhënësit e shkollave fillore. Konform sugjerimeve të dorëzuara gjatë periudhës në të cilën Koncepti u hodh për diskutim publik, Byroja për Zhvillimin e […]

Nëntor 14, 2024 - 18:00
 0  5
RMV, Koncepti i ri për arsimin fillor gati: Historia, Gjeografia, Biologjia, Fizika dhe Kimia sërish lëndë të veçanta
Shkollë, klasë, arsim, mësim, nxënës, provim

Ministria e Arsimit njoftoi janë bërë ndryshimet në Konceptin për arsimin fillor, nevojën e të cilit e kanë vënë në dukje ekspertët dhe opinioni i gjerë në periudhën e kaluar, ndërsa veçanërisht mësimdhënësit e shkollave fillore. Konform sugjerimeve të dorëzuara gjatë periudhës në të cilën Koncepti u hodh për diskutim publik, Byroja për Zhvillimin e Arsimit ndërhyri dhe përgatiti përmbajtjen e re të avancuar, transmeton Portalb.mk.

“Ndryshimet lejojnë kthimin e disiplinave shkencore të historisë, gjeografisë, biologjisë, fizikës dhe kimisë si lëndë të veçanta në periudhën e tretë dukativo- arsimore të arsimit fillor (klasa e shtatë, e tetë dhe e nëntë), duke pasur parasysh se më parë Koncepti parashikonte integrimin e tyre me udhëzime të përcaktuara në mënyrë të paqartë për realizimin e orëve  por edhe shkurtim të shumë përmbajtjeve të cilat janë me  rëndësi të jashtëzakonshme për nxënësit e moshës përkatëse”, njoftoi MASH.

Si rezultat i ndryshimeve në Konceptin, në periudhën në vazhdim do të përgatitet edhe plan i ri Mësimor për arsimin fillor, por edhe programe të reja mësimore për lëndët përkatëse në klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë, të cilat do futen në etapa duke filluar nga viti shkollor 2025/2026, si dhe në dy vitet shkollore në vazhdim.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpreh mirënjohjen për të gjithë pjesmarësit e interesuar shoqërorë të cilët kontribuan me sugjerimet e tyre në avancimin e përmbajtjes së Konceptit për arsimin fillor, si dhe për Byronë për Zhvillimin e Arsimit, e cila është bartëse e të gjithë procesit. Gjitashtu vazhdon puna transparente, me përfshirjen dhe pjesëmarrjen aktive të të gjithë pjesmarësve të interesuar në krijimin e ndryshimeve arsimore”, thonë nga MASH.

Ndryshe, debati për programet mësimore për klasat e shtata, teta dhe nënta ishte i hapur gjatë gjithë gushtit, përkatësisht deri më 31 gusht.

Kujtojmë se në fillim të vitit 2021, aktuale ishte tema për konceptin e ri të arsimit fillor, me të cilin parashiheshin disa ndryshime për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Koncepti i ri ngjalli reagime në opinion, të cilat në fillim kishin të bëjnë me shkrirjen e disa lëndëve në një lëndë të integruar. Ministrja e atëhershme Carovska tha se frika nga integrimi i lëndëve, në një moment të caktuar, ishte keqpërdorë për qëllime politike, por që më pas ishte zvogëluar. Ajo në disa raste përsëriti se arsimi duhet të pësojë ndryshime, gjë që e sugjerojnë edhe testimet vendore edhe ato ndërkombëtare, si dhe prindërit e mësimdhënësit të cilët i kanë propozuar këto ndryshime konceptuale.

Ministria e Arsimit (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), i qetësonin ankesat e prindërve duke thënë se nuk do të lejojnë që nxënësit të mos pajisen me njohuri nga historia, gjeografia apo përmbajtje nga ndonjë disiplinë tjetër shkencore, por që mësimi i këtyre degëve do të përshtatet me moshën e nxënësve.

Pasi u hap thirrja për propozime dhe sugjerime, koncepti i ri për arsimin fillor u miratua në mars të vitit 2021.