RMV, nuk ka terapi biologjike për pacientët onkologjikë

Në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë që nga dita e premte nuk ka terapi biologjike për pacientët, përkatësisht barna “atezolizumab (tecentriq)“, „bevacizumab (avastin)“, „palbociclib“, „ribociclib“, „fulvestrant“ dhe „cetuximab”. Pacientët kanë frikë se së shpejti nuk do të mbarojnë “trastuzumab emtansine (kadcyla)”, “nivolumab”, “cobimetinib” dhe “vemurafenib”, raporton MIA, transmeton Portalb.mk. Sipas deklaratave të pacientëve, arsyeja e […]

Jan 21, 2025 - 14:00
 0  5
RMV, nuk ka terapi biologjike për pacientët onkologjikë
klinika, radioterapi, onkologji

Në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë që nga dita e premte nuk ka terapi biologjike për pacientët, përkatësisht barna “atezolizumab (tecentriq)“, „bevacizumab (avastin)“, „palbociclib“, „ribociclib“, „fulvestrant“ dhe „cetuximab”. Pacientët kanë frikë se së shpejti nuk do të mbarojnë “trastuzumab emtansine (kadcyla)”, “nivolumab”, “cobimetinib” dhe “vemurafenib”, raporton MIA, transmeton Portalb.mk.

Sipas deklaratave të pacientëve, arsyeja e mungesës është se Klinika Onkologjike nuk është në gjendje t’i përgjigjet rritjes së numrit të pacientëve me kancer metastatik.

“Si një arsye të dytë dhe diçka që ne pacientët e shohim si rezultat pozitiv, e ajo është se zgjatet jeta e pacientëve dhe prandaj ata kanë nevojë për këtë terapi për një periudhë më të gjatë kohore. Ndonëse vitin e kaluar me aneks janë miratuar mjete shtesë, me sa duket as ato nuk kanë mjaftuar. Mungon terapia që nga e premtja, Onkologjia po përpiqet të marrë fonde shtesë për të mbyllur këtë boshllëk deri në miratimin e buxhetit të ri”, thotë në një deklaratë për MIA-në Ana Marjanoviç, paciente dhe pjesë e shoqatës “Hema-onko”.

Ajo u bën thirrje autoriteteve që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për pacientët dhe shton se si pacient dhe si shoqatë këmbëngulin për ndryshimin e Listës Pozitive.

“Nëse Fondi i Shëndetësisë dhe Ministria e kuptojnë urgjencën e këtij ndryshimi dhe gjejnë zgjidhjen e duhur, në të ardhmen problemet e mospasjes së terapisë, që do të thotë jetë për shumë pacientë, nuk do të jenë temë diskutimi. Prandaj i bëjmë sërish thirrje Ministrisë dhe Fondit të Shëndetësisë që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për pacientët që kanë mbetur pa terapi gjatë kësaj periudhe, por edhe të punojnë për zgjidhjen që të njëjtat barna të jenë në listën pozitive në të ardhmen”, shton ajo.

Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup për këtë problem u thotë pacientëve se është rezultat i procedurave administrative, të cilat zbatohen sipas buxhetit për vitin 2024.

“Situata me disponueshmërinë e terapisë biologjike është rezultat i procedurave administrative, të cilat zbatohen sipas buxhetit të vitit 2024. Ky buxhet është përgatitur në vitin paraprak në bazë të vlerësimeve të asaj kohe dhe nuk ka pasqyruar plotësisht nevojat aktuale të klinikës. Gjithashtu, duhet të merret parasysh rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve onkologjikë, si dhe kompleksiteti i proceseve administrative dhe financiare që ndikojnë në prokurimin e barnave”, thuhet në njoftimin e Klinikës për MIA-në.

Në lidhje me sfidat që kanë të bëjnë me procedurat e tenderit, siç bëjnë me dije, tashmë po merren masa për planifikim më të mirë të prokurimit dhe thjeshtësim të procedurave, në bashkëpunim me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

“Qëllimi ynë është që të sigurojmë furnizim në kohë dhe të vazhdueshëm me këtë lloj terapie për pacientët, besojmë se me këto masa do të tejkalohet mungesa aktuale në një kohë sa më të shkurtër. Në ndërkohë pacientët trajtohen me terapinë që aktualisht disponohet në Klinikë, sipas rekomandimeve të specialistëve dhe protokolleve mjekësore për mjekim”, shtojnë nga Onkologjia.

Kujtojmë se Enti Shtetëror i Revizionit, vitin që lam pas konstatoi parregullsi në zbatimin e regjistrimit të furnizimit dhe menaxhimin pas auditimit të pasqyrave financiare së bashku me auditimin e përputhshmërisë në Klinikën Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë për vitin 2023.

Gjatë vitit 2023, siç shtohet në njoftim, Klinika ka pranuar barna në vlerë prej 33 milionë denarë nga donacionet, por këto të dhëna nuk janë futur në evidencën financiare.