RMV, sot do të zhvillohet debat publik për projektligjet për administratorët dhe punonjësit e sektorit publik

Komisioni Parlamentar për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve sot duhet të mbajë debat publik për versionet e punës së disa ligjeve për zyrtarët administrativë dhe punonjësit në sektorin publik, transmeton Portalb.mk. Në dëgjim publik duhet të diskutohet projektligji për nëpunësit administrativë, projektligji për të punësuarit në sektorin publik dhe projektligji për ngritjen profesionale dhe […]

tetor 28, 2024 - 12:02
 0  5
RMV, sot do të zhvillohet debat publik për projektligjet për administratorët dhe punonjësit e sektorit publik
kuvendi

Komisioni Parlamentar për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve sot duhet të mbajë debat publik për versionet e punës së disa ligjeve për zyrtarët administrativë dhe punonjësit në sektorin publik, transmeton Portalb.mk.

Në dëgjim publik duhet të diskutohet projektligji për nëpunësit administrativë, projektligji për të punësuarit në sektorin publik dhe projektligji për ngritjen profesionale dhe trajnimin e zyrtarëve administrativë.

Kujtojmë se në kohën e Qeverisë BDI-LSDM, këto tre propozime për të cilat do të debatohet sot,  si dhe dy të tjera, pra pesë propozim-ligje për reforma në administratën publike dhe transformim digjital u miratuan në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kaluan leximin e parë në Kuvend. Ligjet u dorëzuan në Kuvend me flamur evropian dhe me procedurë të shkurtër. Por që atëherë, nuk pati më asnjë informacion për ligjet në fjalë.

Më 15 janar të këtij viti, ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu në seancë plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i prezantoi 5 propozim-ligjet, të cilat paraprakisht u miratuan në Qeveri, gjegjësisht Ligjin për nëpunësit administrative; Ligjin për të punësuarit në sektorin publik; Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transformim digjital; Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbimeve elektronike; dhe Ligjin për përkryerje profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ.

Pasi ligjet ishin propozuar me procedurë të shkurtuar leximi i dytë dhe i tretë duhej të mbahen në mbledhjen e njëjtë, me ç’rast menjëherë duhej të fillonte procedura e përcaktuar për lexim të dytë, ndërsa amendamentet mund të parashtroheshin deri në fillim të mbledhjes për lexim të dytë.

Por, pavarësisht paralajmërimeve do të fillonte me leximin e dytë, seanca nuk u caktua.

Ligjet në fjalë janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, por edhe për procesin eurointegrues të vendit, duke e pasur parasysh se për disa prej tyre, në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2023 është theksuar nevoja urgjente për t’u miratuar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar mori “karton të verdhë” apo notë 3 për fushën e reformave në administratën publike nga Komisioni Evropian. Shumica e ligjeve të shumëpritura me vite për çështjen e digjitalizimit, shërbimeve elektronike, meritokracinë, punësimet, nuk po arrijnë të miratohen. Në udhëkryq ka mbetur ligji për drejtorë profesional, i cili do të duhet ta rregulloje procedurën që zgjedhja e udhëheqësve të bëhet sipas kritereve përkatëse dhe jo në bazë të koalicioneve mes partive.