RMV, tre milionë euro të paguara për një vit për gjykimet me vonesë, asnjë qeveri nuk punon për të ndaluar këtë

Vetëm për vitin e kaluar për gjykime brenda një periudhe të paarsyeshme dhe për shkak të gabimeve të gjykatësve janë paguar 3 milionë euro, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë prezantimit të rebalancit të buxhetit për vitin 2024. Por problemi me drejtësinë e ngadaltë nuk qëndron vetëm tek gjykatësit, por është diçka dominante në […]

Korrik 27, 2024 - 13:30
 0  8
RMV, tre milionë euro të paguara për një vit për gjykimet me vonesë, asnjë qeveri nuk punon për të ndaluar këtë
Gjyqësor, gjykata, reforma, drejtësi

Vetëm për vitin e kaluar për gjykime brenda një periudhe të paarsyeshme dhe për shkak të gabimeve të gjykatësve janë paguar 3 milionë euro, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë prezantimit të rebalancit të buxhetit për vitin 2024. Por problemi me drejtësinë e ngadaltë nuk qëndron vetëm tek gjykatësit, por është diçka dominante në shtet, pra në politikë. Asnjë qeveri nuk merret me mbylljen e zbrazëtirave ligjore që e bëjnë të mundur një gjë të tillë, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Sot çdo i pandehur, sidomos një biznesmen apo politikan i pasur dhe i fuqishëm, mund të gjejë një postier që nuk merr rrogë të rregullt, t’i japë para që ai t’i grisë thirrjet për gjykim që janë dërguar për të dhe për këtë arsye gjykimet të shtyhen pafundësisht. Gjykatësve u mbetet vetëm të konstatojnë: “Dorëzim i parregullt gjyqësor” dhe të ricaktojnë një datë të re për seancën.

Arsyeja e dytë më e shpeshtë për zvarritjen e pafund të disa gjykimeve është se çdo qytetar që ka para paguajë për kujdes shtetëror në spital privat, apo një shëndetësinë publike, mund të blejë një vërtetim mjekësor me ndonjë diagnozë dhe vërtetim se nuk është në gjendje të marrë pjesë në gjykim.

Edhe në këtë rast gjykatësit nuk mund të bëjnë asgjë, sepse ato dokumente kanë firmën dhe vulën e një mjeku specialist.

Arsyeja e tretë e tejzgjatjes së procedimeve penale, për shkak të së cilës shteti paguan miliona dëme në euro çdo vit paditë e fituara në Gjykatën e Strasburgut, janë gjykatësit porotë. Kur bëhet fjalë për një zyrtar apo një biznesmen të famshëm të akuzuar, kryetarët e gjykatave sikur harrojnë të shohin se një gjykatës porot në atë lëndë do të dalë në pension, harrojnë të caktojnë gjykatës porot rezervë, ose Këshilli Gjyqësor reagon me vonesë për të zgjedhur të rinj në një gjykatë të caktuar.

Seanca e Këshillit Gjyqësor (03.06.2024). Foto: Printscreen
Seanca e Këshillit Gjyqësor (03.06.2024). Foto: Printscreen

E katërta, në gjykimet e rasteve nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP) ka ndodhur që në mes të gjykimit një gjykatës porot rastësisht të gjejë punë diku tjetër, të largohet nga këshilli gjyqësor dhe në këtë mënyrë ta kthejë gjykimin nga fillimi. Edhe në këtë rast gjykatësi është i pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë.

Pastaj, sot secili mund të paguajë një ekspert të mjekësisë ligjore i cili do të bëjë një ekspertizë të tillë me porosi të provave në favor të të akuzuarit, gjë që do ta drejtojë gjykatësin në drejtim të gabuar. Ai gjykatës, pra kryetari i këshillit, detyrohet që në një rast të tillë të kërkojë një superekspertizë dhe me këtë gjykimi të zgjasë të paktën edhe një vit e gjysmë, madje edhe dy vjet.

Edhe për këtë fajin e ka shteti, pra të gjithë ministrat e drejtësisë në 10 vitet e fundit, sepse qëllimisht nuk formojnë një komision disiplinor për të larguar nga radhët e tyre ekspertët e kriminalizuar.

Arsyeja e gjashtë, ndoshta edhe më e heshtura e shkeljes së të drejtave të qytetarëve të dëmtuar për një procedurë të shpejtë dhe të drejtë, është mosparaqitja e prokurorëve në seancë, për shkak të së cilës gjykatësi është i detyruar t’i shtyjë seancat.

Këto janë arsye të qarta që mund t’i vë re çdo qytetar që është ulur në sallën e gjyqit për të ndjekur një gjykim, çdo gazetar, si edhe palët në procedurat gjyqësore.

Për të gjitha këto nuk kanë faj gjykatësit, por shteti, i cili tashmë prej tre dekadash qëllimisht nuk i vë në vijë këto gjëra. Është rejtingu i gjykatësve ai që pëson dëm, e jo i ministrave të drejtësisë, qeverive apo individëve të paskrupullt dhe të korruptuar në prokurori.

Në lidhje me këtë gjendje të paqartë në gjyqësor, e cila po vazhdon tashmë 33 vjet që nga pavarësia e Maqedonisë ne iu drejtuam kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, pikërisht për shkak se ajo nuk është gjykatëse dhe se vjen nga radhët e bashkëpunëtorëve profesional në Gjykatën Themelore Penale Shkup, të cilët i ndjekin nga afër pengesat objektive që e rrezikojnë lëndën e gjykatësit tek i cili janë caktuar për procedim.

Ajo është e mendimit se Ligji për Procedurën Penale (LPP), Ligji për Procedurën Civile (LPC) dhe Ligji për Kontestet Administrative (LKA), të miratuar nga Kuvendi, janë ato që mundësojnë keqpërdorimin e të drejtave të palëve.

“Është fakt se gjykatësi është ai që drejton procedurën dhe që është i detyruar të parandalojë çdo abuzim të të drejtave procedurale të palëve në mënyrë që të pamundësojë zvarritjen e saj. Personalisht mendoj se ligjet procedurale, edhe LPP edhe LPC, madje edhe LKA, ofrojnë mundësi për zvarritje të procedurës në prizmin e shfrytëzimit të të drejtave procedurale të palëve”, thotë Dameva.

Ajo është edhe e mendimit se mungesa e ekipimit të gjykatave, gjendje e cila po zgjat me vite të tëra, çon në zvarritje të pajustifikuara të proceseve gjyqësore. Në lidhje me thirrjet për gjykim, ajo shpreh keqardhjen që në shekullin e 21-të njerëzit ende duhet të presin “postierin”, edhe pse ligji lejon që thirrjet për gjykim të dërgohen në formë elektronike dhe në këtë mënyrë të mos ketë abuzime.

“Do ta theksoja dorëzimin e thirrjeve si kusht për mbajtjen e çdo seance, dhe do të doja të rikujtoja rëndësinë e jashtëzakonshme të postierëve gjyqësor në këtë proces. Ky lloj dorëzimi kontrollohet nga gjykatat sepse është në juridiksionin e tyre të drejtpërdrejtë, por të mos harrojmë se gjykatat përdorin edhe dërgesën me postë. Ideja për dërgimin e thirrjeve në formë elektronike nuk u realizua në tërësi, sepse disi duket se vlen vetëm për avokatët, ndërsa jo të gjithë prej tyre janë të regjistruar për dërgesë elektronike”, thekson Dameva dhe thotë se sa i përket këtij mbase faktorit më të rëndësishëm për drejtësi të shpejtë dhe efikase nuk ka një lëvizje në drejtim pozitiv.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, foto: Vanço Xhambaski
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, foto: Vanço Xhambaski

Ajo e njeh mirë edhe problemin me gjykatësit porotë, të cilët për arsye të ndryshme gjatë procedurave penale ndryshojnë, si me kërkesë të tyre, ashtu edhe për shkak të përfundimit të mandatit, gjë që bën që procedura të rifillojë nga e para.

“Gjatë përvojës time të deritanishme mund të them se si problem për përfundimin efikas dhe të shpejtë të procedurave gjyqësore kontribuojnë edhe ekspertizat, të cilat në raste të caktuara janë të përgatitura në mënyrë jo të plotë, kështu që shfaqet nevoja për plotësimin e tyre, ndërsa ka raste edhe të zgjatjes së përgatitjes së ekspertizave. Në këtë kontekst do kisha dashur të përmend se gjykatësi ka mundësi t’i gjobisë ekspertët që paraqesin shkak për zvarritjen e procedurës, ose tua marrë lëndën dhe t’ia kalojë një eksperti tjetër, por një veprim i tillë do të çojë pashmangshmërisht në zvarritje të procedurës”, thotë Dameva për gjendjen e tanishme ekspertizat, të cilën nëse ka dëshirë dikush mund ta rregullojë brenda natës.

Për kohëzgjatjen e gjatë të procedurave të caktuara gjyqësore shpeshherë si arsye shfaqet edhe moskoordinimi dhe mosbashkëpunimi i organeve shtetërore me gjykatat, përfundon ajo.

“Zhvillimi efikas i proceseve gjyqësore në përgjithësi është në dorën e gjykatësit, por duhet të merret parasysh edhe fakti që ekzistojnë edhe rrethana objektive për shkak të të cilave procedurat zvarriten. Duke pasur parasysh se prioritet duhet të jetë zbatimi i shpejtë dhe efikas i proceseve gjyqësore, në mënyrë që qytetarët të ushtrojnë të drejtat e tyre brenda një afati të arsyeshëm, në këtë proces përveç gjykatave rol aktiv duhet të luajnë edhe organe dhe institucione të tjera shtetërore, secila në kuadër të fushëveprimit të kompetencës së tyre, për t’i tejkaluar situatat e konstatuara me zbatimin e ngadaltë të drejtësisë. Qytetarët duhet të fitojnë drejtësi të shpejtë dhe efikase”, shpreh mendimin e saj kryetarja e Këshilli Vesna Dameva.

Ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023 patën efekt të dëmshëm në sistemin e drejtësisë të Maqedonisë së Veriut dhe në rezultatin e procedimeve penale në lidhje me rastet gjyqësore të korrupsionit të lartë, pasi shumica e tyre u ndërprenë për shkak të vjetërsimit. Ekspertët në Konventën Nacionale për BE në RMV, thonë se nevojiten mekanizma ligjorë për të zbutur pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore të miratuara më datë 7 shtator 2023, që rezultuan me lirim nga akuzat të shumë ish-funksionarëve.

Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej  për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.