RMV, u zhvillua debati i parë për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, vitin e ardhshëm pritet zgjidhje konkrete
Sot u mbajt debati i parë nga seria e debateve për draft ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor, të përgatitura nga grupi i punës i formuar nga Ministria e Drejtësisë. Ngjarja është organizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të projektit “Mbështetje e BE-së për sundimin e ligjit”, transmeton Portalb.mk. “Kjo është vetëm një nga disa ngjarjet […]
Sot u mbajt debati i parë nga seria e debateve për draft ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor, të përgatitura nga grupi i punës i formuar nga Ministria e Drejtësisë. Ngjarja është organizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të projektit “Mbështetje e BE-së për sundimin e ligjit”, transmeton Portalb.mk.
“Kjo është vetëm një nga disa ngjarjet konsultative të publikut profesional të cilat Ministria e Drejtësisë ka planifikuar të organizojë, me qëllim që të sigurohet proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të kontribuojë në përmirësimin e kornizës ligjore që rregullon funksionimin e Këshillit Gjyqësor”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve tha se Këshilli Gjyqësor duhet të funksionojë vetëm në shërbim të drejtësisë dhe ky trup duhet të reformohet dhe të punojë me integritet të lartë, duke u fokusuar në profesionalizëm dhe respektimin rigoroz të sundimit të ligjit.
“Është e qartë se deri më tani funksionaliteti i Këshillit Gjyqësor është vënë në pikëpyetje disa herë. Fillojmë me proces të hapur dhe transparent me praninë e publikut profesional, organizatave ndërkombëtare si dhe një pjesë e organizatave joqeveritare për gjetjen e zgjidhjeve më të mira të mundshme për Këshill Gjyqësor funksional, mbi të gjitha të pavarur, i çliruar nga çdo ndikim politik”, deklaroi Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
Konkluzionet dhe rekomandimet nga tryeza e rrumbullakët do të shërbejnë si bazë për përmirësimin e mëtejshëm të tekstit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për këshillin gjyqësor. Diskutimet do të jenë gjithëpërfshirëse, do të përfshijnë të gjithë faktorët relevantë dhe do të kenë qëllim krijimin e zgjidhjeve që do të garantojnë pavarësinë e këtyre institucioneve.
Pritet që katër debatet e planifikuara, të përfundojnë deri në fund të dhjetorit, pas së cilës do të dalin me zgjidhje konkrete.
Ndryshe, për “reformën në gjyqësor”, Komisioni Evropian në Raportin e progresit adresoi kritika.
“Njoftimet e qeverisë së re për planet për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë janë një shqetësim serioz, pasi veprime të tilla do të cenonin pavarësinë e gjyqësorit. Rritja e deficitit të burimeve njerëzore në gjyqësor ngre shqetësime për ndikimin në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë”, thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Kryeministri Hristijan Mickoski para pak kohësh shprehu gatishmërinë që të ulet në të njëjtën tryezë me ambasadorët në vend dhe të bisedojë me ta për një zgjidhje më të mirë potenciale që do të ofronin për të ardhmen e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publikë si organe gjyqësore-prokuroriale, ndërsa kjo të mos jetë shpërndarja e tyre.
VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shpërbërjen e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor dhe reformim në pjesën e zgjedhjes së ardhshme të anëtarëve të tij. Në një prononcim për “Sloboden Peçat” dhe “Fokus” Këshilli tha se gjyqësori, si një nga tre autoritetet, është i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga autoritetet e tjera mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.