Rrahman Jasharaj: Pas protestës nuk na kanë ftuar në takim, Nagavci nuk po reflekton

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj,  për FrontOnline ka shprehur shqetësimin se edhe pas protestës të organizuar nga sindikatat, nuk janë thirrur për takime nga Qeveria e Kosovës. Ai theksoi se sindikata ka pritur që, së paku, të kishte një reflektim pas protestës, veçanërisht nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, por kjo nuk ka ndodhur. ‘’

dhjetor 15, 2024 - 12:00
 0  6
Rrahman Jasharaj: Pas protestës nuk na kanë ftuar në takim, Nagavci nuk po reflekton
rrahman-jasharaj:-pas-protestes-nuk-na-kane-ftuar-ne-takim,-nagavci-nuk-po-reflekton

rrahman-jasharaj:-pas-protestes-nuk-na-kane-ftuar-ne-takim,-nagavci-nuk-po-reflekton

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj,  për FrontOnline ka shprehur shqetësimin se edhe pas protestës të organizuar nga sindikatat, nuk janë thirrur për takime nga Qeveria e Kosovës.

Ai theksoi se sindikata ka pritur që, së paku, të kishte një reflektim pas protestës, veçanërisht nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, por kjo nuk ka ndodhur.

‘’ Fatkeqësisht edhe pas protestës nuk na kanë thirre në takime , kemi pritur së paku ndonjë reflektim pas protestës veçmas nga ministrja Nagavci kjo gjë nuk ka ndodhur’’, tha Jasharaj.

Jasharaj njoftoi se Sindikata ka mbajtur një takim me kryetarët e sindikatave në nivelet komunale dhe të universiteteve, ku është marrë një qëndrim i përbashkët për të vazhduar me angazhimet dhe kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës.

‘’Ne kemi mbajtur një takim me kryetarët e niveleve komunale, sindikale, të universiteteve dhe është marrë qëndrim që të vazhdohet me angazhimet tona’’, tha kreu i SBASHK-ut.

Ai shtoi se, duke u bazuar në ligjin për grevat, SBASHK-u do të dërgojë një kërkesë për të zgjedhur një ndërmjetësues ligjor, i cili do të mundësojë komunikimin dhe dialogun mes sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit. Jasharaj theksoi se nëse edhe ky hap nuk do të sjellë rezultat dhe ministrja Nagavci vazhdon me qëndrimin e saj të gabuar ndaj kontratës kolektive dhe kërkesave të sindikatës, SBASHK-u do të ndërmarrë veprime të tjera, përfshirë mundësinë e shpalljes së një greve të përgjithshme në arsimin e Kosovës.

‘’Duke u bazuar në ligjin për grevat ne sot do të dërgojmë letër që të përzgjidhet një ndërmjetësues ligjor i cili do të provojë në afatin ligjor të vë komunikim dhe dialog mes nesh dhe MASHT-it dhe nëse edhe kjo nuk jep ndonjë rezultat nëse ministrja Nagavci rri prapë me qëndrimin  e gabuar ndaj dialogut veçmas me qëndrimin ndaj kontratës kolektive të arsimit atëherë do të shohim dhe do të ndërmarrim vendime’’, tha Jasharaj për FrontOnline.

Ai theksoi se sindikata është angazhuar dhe po realizon detyrat që i janë përcaktuar nga Këshilli Drejtues, organi më i lartë sindikal, i cili përfshin përfaqësues të të punësuarve nga nivelet më të ulëta deri në universitetet e Kosovës.

Jasharaj bëri thirrje për një dialog të sinqertë dhe konstruktiv, duke shprehur shpresën që Qeveria dhe Ministria e Arsimit të ulen për të gjetur një zgjidhje dhe të shmangin përjetimin e një situate të ngjashme me vitin 2022, kur kishte pasur tensione të ngjashme mes sindikatave dhe qeverisë.

‘’ Pra jemi në angazhim dhe po realizojmë detyrat që po na i përcakton këshilli drejtues si organi më i lartë mes dy kongreseve e ku janë përfaqësues e të punësuarve që nga çerdhet e deri në universitet. Unë e lus Qeverinë dhe ministren Nagavci që të ulemi e të bisedojmë të gjendet zgjidhje sepse nuk duam të përsëritet gjendja e vitit 2022’’, tha Jasharaj.

Në fund, Jasharaj theksoi se Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka qenë kategorik në qëndrimin se, nëse përpjekjet për të zgjidhur këtë çështje, përfshirë protestat dhe angazhimin për ndërmjetësim, nuk japin rezultate, sindikata do të ndërmarrë veprime të tjera, duke përfshirë mundësinë e një greve të përgjithshme.

‘’ E them publikisht që Këshilli Drejtues ka qenë kategorik që në qoftë se edhe këto përpjekje pra edhe protesta edhe angazhimi I ndërmjetësuesit nuk japin asnjë rezultat atëherë duhet marr veprime sindikale dhe ata nuk e kanë përjashtuar as grevën e përgjithshme në arsim’’, përfundoi Jasharaj.

 

Nëse nuk plotësohen kërkesat/ Sindikata e Arsimit paralajmëron grevë të përgjithshme, ajo e Shëndetësisë protestë – FrontOnline