Rreziqet klimatike, aktivistët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë masa urgjente
Qeveria dhe institucionet lokale në Maqedoninë e Veriut nuk u kushtojnë vëmendje të duhur çështjeve të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së mjedisit, si dhe ekosistemeve natyrore, thonë aktivistët që merren me mbrojtjen e mjedisit në këtë vend, raporton Radio Evropa e Lirë. Këto reagime pasojnë Raportin e ri të Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, të […]
Qeveria dhe institucionet lokale në Maqedoninë e Veriut nuk u kushtojnë vëmendje të duhur çështjeve të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së mjedisit, si dhe ekosistemeve natyrore, thonë aktivistët që merren me mbrojtjen e mjedisit në këtë vend, raporton Radio Evropa e Lirë.
Këto reagime pasojnë Raportin e ri të Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, të titulluar “Raporti i klimës dhe zhvillimit të vendit”, i cili paralajmëron për rreziqet që vendi mund të përballet si pasojë e këtyre fenomeneve.
“Gëzohem shumë që së fundmi po dëshmohet ajo që për vite me radhë paralajmërohej nga organizatat joqeveritare dhe vullnetarët për rrezikun që na kërcënon dhe, fatkeqësisht, është populli ai që i vuan të gjitha pasojat nga puna joserioze për vite me radhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë ambientalistja Elmedina Abdulahi.
Ajo nënvizon se masat urgjente janë të domosdoshme, pasi “rreziku është shumë i madh dhe vendi e ka përjetuar këtë disa herë”, duke shtuar se ligjet janë të mira, vetëm duhet zbatimi i tyre në terren.
Në Raportin e Bankës Botërore thuhet se Maqedonia e Veriut është një nga vendet më të ndjeshme ndaj katastrofave natyrore në Ballkanin Perëndimor, duke i veçuar përmbytjet dhe zjarret.
Raporti, gjithashtu, paralajmëron se ndryshimet klimatike përkeqësojnë qasjen në ujë të pastër dhe rrisin rrezikun për sëmundje të transmetuara përmes ujit. Kurse, dëmet ekonomike janë më të ndjeshme në “sektorin e bujqësisë, ku fermerët familjarë janë më të prekurit për shkak të mungesës së sigurimeve bujqësore, sistemeve të ujitjes dhe mbrojtjes nga breshëri”.
Në skenarin më pesimist, sipas Raportit, vendi mund të përballet me humbje deri në 4% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2050, nëse nuk investon në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, për të kuptuar se cilat janë masat konkrete që kjo ministri planifikon të ndërmarrë për të përballuar rreziqet klimatike në vend, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë dhënë përgjigje.
Ndryshimet klimatike në Maqedoninë e Veriut i komentoi edhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen. Gjatë një vizite në Shkup të enjten, ajo tha se Bashkimi Evropian (BE) ka aktivizuar dy herë “mekanizmat e mbrojtjes civile”, si dhe ka mobilizuar gjashtë avionë dhe tre helikopterë, të ofruara nga shtetet anëtare, për të ndihmuar vendin gjatë zjarreve të verës.
Shefja e KE-së, gjithashtu potencoi se Plani i Përbashkët i investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka mobilizuar 1.7 miliard euro investime, të cilat përqendrohen në tranzicionin drejt energjisë së pastër.
“Siç e dini, ne në Bashkimin Evropian jemi zotuar të bëhemi neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Prandaj është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të na bashkohen në këtë rrugëtim”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski.
Sipas kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, e drejta e mjedisit të shëndetshëm jetësor është një e drejtë themelore qytetare dhe njerëzore dhe është e lidhur drejtpërdrejtë me menaxhimin e shëndetit të qytetarëve dhe me detyrime ligjore të nënshkruara për ruajtjen e mjedisit jetësor.
- LEXO: Mbi 67 përqind e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet në termocentrale, vetëm 5 përqind në panele solare
- LEXO: Gjykata Supreme: Qytetarët do të mund të paditin shtetin para Gjykatës Administrative për shkak ajrit të ndotur
- LEXO: Maqedonisë së Veriut i nevojitet strategji për dekarbonizimin e sektorit të energjetikës, vlerësoi Llorkovski