Rritja e çmimeve godet familjet – reagon Sindikata, BDI propozon masa konkrete

Lufta dhe rritja e çmimit të naftës po ndikojnë drejtpërdrejt në shportën e qytetarëve, duke rritur frikën për çmime edhe më të larta të produkteve ushqimore. Lupço Radovski nga Lidhja The post Rritja e çmimeve godet familjet – reagon Sindikata, BDI propozon masa konkrete appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Mars 11, 2026 - 16:00
 0
Rritja e çmimeve godet familjet – reagon Sindikata, BDI propozon masa konkrete

Lufta dhe rritja e çmimit të naftës po ndikojnë drejtpërdrejt në shportën e qytetarëve, duke rritur frikën për çmime edhe më të larta të produkteve ushqimore. Lupço Radovski nga Lidhja e Sindikatave tha për Alsat se një familje katëranëtareshe për të përballuar vetëm një ditë të muajit me produkte bazë ushqimore ka nevojë për mbi 1,200 denarë, ndërsa shpenzimet për fëmijë dhe aktivitete shtesë e rrisin shumën mbi 1,500 denarë.

“Nëse marrim parasysh rritjet vjetore që shkojnë nga 30–50% për disa artikuj, pas krizës së naftës pritshmëria është për një rritje tjetër. Nga eksperienca ime si konsumator, një familje katëranëtareshe ka nevojë për 1,000–1,200 denarë për një tryezë modeste çdo ditë,” tha Radovski.

Pjesa tjetër e qytetarëve ndjejnë ndikime të ndryshme të rritjes së çmimeve. “Çmimet rriten çdo ditë, çfarë mund të them?”, tha një qytetare. Një tjetër shtoi: “Unë dhe gruaja kemi pension dhe shkon disi, përndryshe katër persona me pension është shumë vështirë, shtrenjtë.”

Sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave, për të përballuar një muaj, një familje katëranëtareshe ka nevojë për mbi 67,000 denarë, dhe nëse jetojnë në qira, shuma rritet mbi 82,000 denarë.

BDI paralajmëron se standardi i jetesës po goditet çdo ditë, ndërsa institucionet e Qeverisë dhe Ministria e Ekonomisë, e udhëhequr nga përfaqësues të VLEN-it, tregojnë mungesë interesi për të adresuar krizën. “Në vend që të ndërmerren masa për të mbrojtur qytetarët, Qeveria nuk po vepron,” tha partia në një deklaratë për Tetovasot.

Si zgjidhje, BDI propozon masa konkrete për të lehtësuar barrën mbi familjet:

  • Vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë ose përcaktimin e marzheve minimale për të parandaluar abuzimet.
  • Rritjen e pagës minimale në të paktën 3,500 denarë nga muaji mars, në vend të rritjes simbolike aktuale prej 1,600 denarësh.
  • Uljen e përkohshme të TVSH-së për produktet bazë ushqimore për tre muaj.
  • Rishikimin e të dhënave doganore për importin e pemëve dhe perimeve, duke parandaluar manipulimet që ndikojnë në çmime.
  • Rritjen e kontrolleve nga inspektoratet për të ndaluar spekulimet.

Po ashtu, BDI i bën thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që të shqyrtojë çmimet e derivateve të naftës të paktën dy herë në javë, duke marrë parasysh rëniet ndërkombëtare të çmimeve.

“Qytetarët kanë nevojë për veprime konkrete, jo për heshtje institucionale. Qeveria duhet të veprojë menjëherë për të mbrojtur standardin jetësor të familjeve,” theksojnë nga BDI.

LSDM akuzoi qeverinë se nuk po kufizon çmimet e karburanteve, edhe pse çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare po bie dhe vendet e rajonit kanë vendosur masa kufizuese. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, rikujtoi se kur VMRO ishte opozitë, premtonte uljen e akcizës për karburantet, por tani, pas marrjes së pushtetit, qeveria refuzon të ulet akciza dhe të lehtësojë çmimet për qytetarët. Kuzeska shtoi se qytetarët përballen edhe me pagat më të ulëta në Evropë, duke humbur fuqinë blerëse dhe duke u përballur me një standard jetësor të ulët. Sipas LSDM-së, qeveria refuzon të rrisë pagën minimale në 600 euro, ndërsa kërkesa për një pagë dinjitoze cilësohet si “histeri” nga Mickoski.

“Kur VMRO ishte opozitë, ata kërkonin dhe premtonin uljen e akcizës për karburantet. Ata fituan besimin e qytetarëve dhe i mashtruan qytetarët. Sot, kur janë në pushtet, kur mund të ulin akcizën dhe të ulin çmimet, ata refuzojnë. Edhe pse në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës po ulet, qytetarët e Maqedonisë paguajnë karburant më shtrenjtë. Të gjitha vendet në rajon kanë vendosur masa për kufizimin e çmimeve të karburanteve, vetëm qeveria e Mickoskit nuk e ka bërë këtë”, theksoi Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së. Gazeta Flaka

The post Rritja e çmimeve godet familjet – reagon Sindikata, BDI propozon masa konkrete appeared first on Flaka, në çdo lajm... .