Rritja e çmimeve të derivateve/ Hoti kritikon masat e Qeverisë, propozon alternativa

Avdullah Hoti ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të derivateve në Kosovë, duke vlerësuar se masat e ndërmarra nga Qeveria janë të pamjaftueshme dhe të gabuara për përballimin e krizës aktuale ekonomike. Sipas tij, çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind që nga 28 shkurti 2026, kur nisën zhvillimet e fundit ndërkombëtare

Prill 1, 2026 - 15:30
Rritja e çmimeve të derivateve/ Hoti kritikon masat e Qeverisë, propozon alternativa
rritja-e-cmimeve-te-derivateve/-hoti-kritikon-masat-e-qeverise,-propozon-alternativa

rritja-e-cmimeve-te-derivateve/-hoti-kritikon-masat-e-qeverise,-propozon-alternativa

Avdullah Hoti ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të derivateve në Kosovë, duke vlerësuar se masat e ndërmarra nga Qeveria janë të pamjaftueshme dhe të gabuara për përballimin e krizës aktuale ekonomike.

Sipas tij, çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind që nga 28 shkurti 2026, kur nisën zhvillimet e fundit ndërkombëtare që ndikuan në tregjet globale.

Duke propozuar masa efektive, Hoti thotë: “Në kontekst të këtyre tri obligimeve që ka shteti, masat duhet të jenë balancuese dhe të lidhura e të kushtëzuara nga njëra-tjetra. Masat, para së gjithash, duhet të përfshijnë kontrollin e tregut, i cili duhet të jetë ligjor dhe kushtetues për të mos cenuar liritë ekonomike dhe për të parandaluar monopolizimin e ofertës së tregut, që do të kishte pasoja edhe më të mëdha për konsumatorin e fundit sesa rritja aktuale e çmimit. Duhet gjithashtu të ndërmerren masa që ulin përgjithësisht kostot shoqërore nga rritja e çmimit të derivateve. Kostot e paevitueshme duhet të shpërndahen gjerësisht mes shtetit, bizneseve dhe konsumatorëve”.

Ai gjithashtu thekson se, për shkak të integrimit të tregjeve globale, efektet e tilla zinxhirore përhapen shpejt dhe ndikojnë në rritje të çmimeve dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

Hoti paralajmëron se Kosova, për shkak të varësisë së lartë nga importi dhe nivelit të të ardhurave, pritet të jetë ndër vendet më të prekura nga kjo krizë.

Ky është postimi i plotë i tij:

Çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet. Rrjedhimisht, janë rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, të cilat po barten te çmimet e produkteve të konsumit dhe produkteve të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se këto efekte zinxhirore janë relativisht të shpejta në mbarë botën. Pa asnjë dyshim, kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët.

Kosova nuk përbën përjashtim nga ky rregull dhe pasojat kanë filluar të ndihen gjerësisht. Praktikat ndërkombëtare tregojnë se në kriza të tilla vendet preken në mënyrë asimetrike. Ekonomitë që karakterizohen me import të lartë, në veçanti me import të energjisë, natyrshëm preken më së shumti. Ekonomitë me të ardhura të ulëta preken gjithashtu më shumë, pasi në këto ekonomi rreth 36 për qind e shpenzimeve të konsumit shkon për ushqime, krahasuar me 20 për qind në ekonomitë në zhvillim dhe 9 për qind në ekonomitë e avancuara (të dhëna nga FMN). Kosova i përmbush të dy kushtet për t’u renditur ndër ekonomitë që pritet të preken më së shumti nga kjo krizë.

Përse masa e ndërmarrë nga Qeveria është gabim?

Për t’u përballur me këtë krizë, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vetëm një masë: ka përcaktuar marzhet e fitimit për bizneset që merren me derivate. Gama e gjerë e masave të nevojshme në raste të tilla nuk është shqyrtuar fare nga Qeveria. Kjo qasje është e çuditshme, kur kihet parasysh rritja e deritanishme prej 40 për qind e çmimit të derivateve.

Kjo masë e Qeverisë nuk është adekuate për dy arsye.

E para, caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Me këtë masë, bizneset nuk kanë asnjë nxitje të ulin shpenzimet. Kështu që, konsumatori jo vetëm që nuk mbrohet, por e paguan plotësisht rritjen e çmimit të derivateve.

E dyta, përvoja dëshmon se intervenimet e tilla, në dukje tërheqëse për qytetarin, e përkeqësojnë situatën. Këto lloj intervenimesh bëjnë që, në pamundësi të operimit brenda marzheve të fitimit të përcaktuara nga Qeveria, disa biznese të dalin nga tregu. Rrjedhimisht, konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në pak biznese. Ato biznese që mbesin në treg mund të përballojnë marzhe të ulëta për shkak të “ekonomizimit të shkallës” – që nënkupton se rritja e qarkullimit të tyre, që rezulton nga rritja e pjesëmarrjes së tyre në treg, mundëson uljen e kostove mesatare për njësi (pasi kostot fikse mbesin të pandryshueshme).