Rutte në raportin vjetor: NATO në gatishmëri të lartë përballë kërcënimeve globale, 500 mijë trupa të gatshme për luftë
Në raportin e tij të parë vjetor si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte thekson se Aleanca është futur në një epokë të pasigurisë më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Me një forcë të shtuar prej 500,000 trupash në gjendje gatishmërie të lartë dhe me investime mbrojtëse që arritën 486 […]


Në raportin e tij të parë vjetor si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte thekson se Aleanca është futur në një epokë të pasigurisë më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Me një forcë të shtuar prej 500,000 trupash në gjendje gatishmërie të lartë dhe me investime mbrojtëse që arritën 486 miliardë dollarë vetëm në vitin 2024, NATO po përgjigjet fuqishëm ndaj sfidave të reja globale. Rutte paralajmëron se përballë bashkëpunimit në rritje midis kundërshtarëve si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, Aleanca duhet të rrisë ndjeshëm aftësitë industriale të mbrojtjes dhe të ndërtojë një bazë transatlantike më të fuqishme dhe inovative. Mbështetja për Ukrainën mbetet shtyllë themelore, ndërsa NATO zyrtarizoi një mision të ri për trajnimin dhe ndihmën e forcave të Kievit – NASATU, transmeton Portalb.mk.
Fokusi i NATO-s është në përmbushjen e misionit të saj kryesor – sigurimin e mbrojtjes kolektive të aleatëve të saj, thuhet në Raportin Vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte, për vitin 2024, i cili ofron një pasqyrë të arritjeve kryesore të Paktit gjatë vitit të kaluar në përmbushjen e prioriteteve kryesore politike – nga forcimi i parandalimit dhe mbrojtjes, deri te ofrimi i mbështetjes për Ukrainën.
“Në vitet e fundit, NATO e ka zhvendosur qartë fokusin e saj në forcimin e aftësisë së saj për të ofruar mbrojtje kolektive për aleatët në një botë më komplekse. “Prioriteti im si Sekretar i Përgjithshëm është të forcoj këtë përshtatje në mënyrë që NATO të mund të bëhet edhe më e fortë, më e shkathët dhe më e përgatitur për të penguar dhe mbrojtur në mënyrë të besueshme kundër të gjitha kërcënimeve ndaj sigurisë sonë”, thotë Rutte në raport.
Rutte thekson se kur u bë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në tetor 2024, pas një dekade udhëheqjeje nga Jens Stoltenberg, ai gjeti një Aleancë të fortë prej 32 kombesh me një qëllim të përbashkët – ruajtjen e paqes dhe sigurisë për një miliard qytetarët e tyre.
“Ky qëllim është më i rëndësishëm se kurrë më parë, ndërsa përballemi me mjedisin më të rrezikshëm të sigurisë: një luftë brutale në Evropë, kërcënimin e vazhdueshëm të terrorizmit, konkurrencën strategjike në rritje dhe thellimin e bashkëpunimit midis kundërshtarëve dhe konkurrentëve të Aleancës”, theksoi Rutte në dokument.
Sipas Rutte, vitin e kaluar NATO vazhdoi të forcojë qëndrimin e saj kolektiv të parandalimit dhe mbrojtjes, duke miratuar planet më gjithëpërfshirëse dhe ambicioze të mbrojtjes që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe duke rritur forcat e saj në gjendje gatishmërie të shtuar prej 500,000 ushtarësh të gatshëm për luftë që veprojnë në ajër, në tokë, në det, në hapësirën kibernetike dhe të pajisur për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
Në kushte të tilla, shton Rutte në raportin vjetor, është thelbësore të rriten shpenzimet e mbrojtjes në mënyrë që të sigurohen forcat dhe aftësitë e nevojshme për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen.
“Në vitin 2024, investimet në mbrojtje u rritën ndjeshëm në të gjithë Aleancën. Aleatët e NATO-s në Evropë dhe Kanada investuan gjithsej 486 miliardë dollarë në mbrojtje, një rritje prej 19.4 përqind në terma realë krahasuar me vitin 2023. Në vitet e fundit, aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja kanë ndarë mbi 700 miliardë dollarë shtesë për mbrojtje”, thuhet në dokument.
Rutte thekson më tej në të se aleatët evropianë dhe Kanadaja tashmë po marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen dhe sigurinë e zonës euroatlantike, por se ata duhet të “përshpejtojnë në mënyrë dramatike këto përpjekje në vitin 2025” dhe duhet të bëjnë një “kërcim kuantik” kur bëhet fjalë për kontributet dhe mundësitë për investime dukshëm më të mëdha.
“Po aq e rëndësishme, ne duhet të riaktivizojmë bazën industriale të mbrojtjes në të gjithë Aleancën dhe të investojmë masivisht në aftësinë tonë për të inovuar dhe prodhuar si në një shkallë më të gjerë ashtu edhe më shpejt. Ndërsa buxhetet e mbrojtjes vazhdojnë të rriten, industria jonë transatlantike duhet të mbajë ritmin. Kundërshtarët dhe konkurrentët tanë po i përgatisin ushtritë e tyre për konkurrencë, shtrëngim dhe potencialisht për konflikt. Ne duhet të forcojmë kapacitetin tonë industrial të mbrojtjes për t’iu përgjigjur kësaj sfide dhe për të ruajtur paqen”, tha Rutte.
Ai shton se anëtarët e NATO-s duhet të rrisin në mënyrë eksponenciale mbështetjen për ndërtimin e një baze industriale transatlantike të mbrojtjes më të fortë, më elastike dhe më inovative, përmes bashkëpunimit me industrinë dhe midis aleatëve, duke mbështetur sigurinë e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe duke lehtësuar prokurimin e përbashkët për nevojat e planeve mbrojtëse të NATO-s.
Rutte theksoi gjithashtu në raport se mbështetja e fortë e NATO-s për Ukrainën në përballimin e pushtimit rus vazhdoi në vitin 2024, me shtetet anëtare që ndanë mbi 55 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për të ndihmuar Kievin të mbrohet nga agresioni sot dhe ta pengojë atë në të ardhmen. Ai kujton gjithashtu se 60 përqind e ndihmës së NATO-s për Ukrainën vjen nga anëtarët evropianë dhe Kanadaja.
NATO ka rënë dakord për një emër të ri për misionin e saj në Ukrainë: Projekti nuk do të quhet më Misioni i NATO-s në Ukrainë (NMU), por Ndihma dhe Trajnimi i NATO-s për Sigurinë dhe Trajnimin për Ukrainën (NASATU).
“Duke parë drejt së ardhmes, aleatët e NATO-s janë të bashkuar në dëshirën e tyre për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi Rutte.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaron gjithashtu se në vitin 2024 patëm “rritje të harmonizimit strategjik dhe bashkëpunimit praktik” midis Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, përfshirë edhe vendosjen e mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në Evropë.
“Ky përshkallëzim i papërgjegjshëm ilustron lidhjet midis sfidave të sigurisë në të gjithë rajonet euroatlantike dhe indo-paqësore dhe nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët. Përveç kësaj, ambiciet dhe politikat shtrënguese të Pekinit vazhdojnë të sfidojnë interesat, sigurinë dhe vlerat e aleatëve dhe paraqesin një sfidë sistemike për sigurinë e zonës euroatlantike”, konsideron Rutte.
Prandaj, sipas tij, përballë “kërcënimeve të tilla të ndërlidhura dhe konkurrencës strategjike në rritje”, NATO vazhdoi të investojë në forcimin e rezistencës së Aleatëve dhe kolektive të infrastrukturës kritike dhe zinxhirëve kryesorë të furnizimit të mbrojtjes, në mënyrë që të jetë në gjendje të parandalojë, t’i rezistojë dhe t’i përgjigjet sabotimit, operacioneve kibernetike dashakeqe, shtrëngimit ekonomik dhe fushatave të tjera destabilizuese të zhvilluara kundër Aleatëve.
Sipas Ruttes, viti 2024 shënoi 75-vjetorin e themelimit të Aleancës dhe angazhimin e palëkundur të të gjithë aleatëve të NATO-s ndaj marrëdhënies transatlantike.
“Kjo është demonstruar nga progresi i vërtetë në forcimin e forcave, aftësive dhe industrisë sonë mbrojtëse për t’iu përgjigjur sfidave të një mjedisi më të rrezikshëm sigurie. Në vitin 2025, ne duhet të rrisim ndjeshëm përpjekjet tona për të siguruar që NATO të mbetet një burim kyç i avantazhit ushtarak për të gjitha kombet tona. Liria dhe prosperiteti ynë i vazhdueshëm varen nga kjo” theksoi Rutte në raport.
Kujtojmë se kur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte mori detyrën deklaroi se anëtarët e aleancës së shpejti do të diskutojnë rritjen e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë. Rutte theksoi se nevoja për shpenzime më të larta të mbrojtjes tejkalon kritikat e mëparshme të ish-presidentit amerikan Donald Trump për kontributet e mbrojtjes të Evropës.
Ideja e promovuar nga SHBA-ja që shtetet anëtare të NATO-s të ndajnë së paku 5 përqind të BPV-së së tyre kombëtare për mbrojtjen është një qëllim shumë i vështirë për t’u arritur për Maqedoninë e Veriut, tha ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski.
Ndryshe, më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.