Rruga nga kufiri i RMV-së për në Selanik plot gropa dhe çarje: Kjo nuk i ndal qytetarët ta frekuentojnë (Infografik)

Rruga e cila sapo kalon kufirin në Bogorodicë (Gjevgjeli) – Evzoni për në Greqi është mjaft e dëmtuar, plot gropa dhe çarje të cilat shkaktojnë revoltë te turistët, posaçërisht te qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët fundjavat, sidomos ato të zgjatura vendosin t’i kalojnë në Selanik dhe më gjerë. Megjithatë, kjo përsëri nuk i […]

maj 3, 2025 - 12:00
 0  6
Rruga nga kufiri i RMV-së për në Selanik plot gropa dhe çarje: Kjo nuk i ndal qytetarët ta frekuentojnë (Infografik)
Rruga sapo e kalon kufirin në Bogorodicë për në Selanik. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Prill 2025)

Rruga e cila sapo kalon kufirin në Bogorodicë (Gjevgjeli) – Evzoni për në Greqi është mjaft e dëmtuar, plot gropa dhe çarje të cilat shkaktojnë revoltë te turistët, posaçërisht te qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët fundjavat, sidomos ato të zgjatura vendosin t’i kalojnë në Selanik dhe më gjerë. Megjithatë, kjo përsëri nuk i ndal qytetarët e RMV-së të frekuentojnë Greqinë. Shteti grek nuk tregon nëse kanë në plan rikonstruimin e kësaj rruge, shkruan Portalb.mk. 

Ndonëse e vizitojnë shpesh Greqinë me theks të veçantë Selanikun, rruga për të arritur deri atje nuk është aq e mirë. Qytetarët e RMV-së ankohen se rruga sapo e kalojnë kufirin në Bogorodicë-Evzoni, është e dëmtuar, me të çara dhe gropa.

Ata kërkojnë që shteti grek ta rikonstruojë të njëjtën, sepse siç thonë ata shpenzojnë mjaft para për pushime dhe blerje në Greqi, dhe kjo duhet të ju kthehet në ndonjë formë. 

“Selanikun e vizitojmë shumë shpesh, të paktën një herë në muaj, por rruga sapo e kalojmë kufirin me të vërtetë është shumë e dëmtuar dhe të hyn në nerva, do kishte qenë mirë ta rregullojnë sepse besoj se numri i qytetarëve të RMV-së që e vizitojnë këtë vend dhe harxhojnë shumë para është i madh”, tha një qytetar.

“Mendoj se shteti grek duhet t’i jep përparësi kësaj rruge dhe të investojë në rikonstruimin e saj, sepse me të vërtetë për ne është e lodhshme, ka shumë gropa dhe të çara, dëmtojmë makinat”, tha një qytetare. 

“Është logjike që të investohet në rrugët të cilat lidhin shtetet, sepse jep mesazhe të rëndësishme për t’i tërhequr ose larguar turistët. Mendoj se duhet që të rregullohet kjo pjesë sepse jemi shumë që kalojmë në këtë rrugë, jo vetëm nga Maqedonia për në Selanik, por edhe nga shtetet e ndryshme evropiane kalojnë nga kjo rrugë”, tha një qytetar. 

Rruga sapo e kalon kufirin në Bogorodicë për në Selanik. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Prill 2025)
Rruga sapo e kalon kufirin në Bogorodicë për në Selanik. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Prill 2025)

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, për katër vite numri i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët e kanë kaluar kufirin në Bogorodicë për në Greqi është mbi 2.4 milionë.

Nga ana tjetër, numri i qytetarëve grekë të cilët kanë hyrë në RMV përmes këtij kufiri në periudhën e njëjtë është rreth tre herë më i vogël, mbi 790 mijë.

Portalb.mk vizualizoi statistikat se sa qytetarë nga RMV-ja dhe Greqia kanë kaluar në këtë pikë kufitare në katër vitet e fundit.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

As nga Ambasada e Greqisë në Maqedoninë e Veriut dhe as nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Greqisë nuk u përgjigjën nëse shteti grek ka në plan që ta rikonstruojë këtë rrugë.