Samiti Brdo-Brijuni/ Begaj: Bashkëpunimi rajonal, faktor kyç për integrimin në BE
Shqipëria po mirëpret sot Samitin dyditor të Procesit të Brdo-Brijunit, i cili po zhvillohet në Golem dhe drejtohet nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Të pranishëm janë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të dy shteteve themeluese të këtij procesi, Kroacisë dhe Sllovenisë, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të përshpejtuar integrimin europian të […]

Shqipëria po mirëpret sot Samitin dyditor të Procesit të Brdo-Brijunit, i cili po zhvillohet në Golem dhe drejtohet nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Të pranishëm janë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të dy shteteve themeluese të këtij procesi, Kroacisë dhe Sllovenisë, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të përshpejtuar integrimin europian të rajonit dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta.
Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.
Në fjalën e tij hapëse së samitit Brdo-Brijuni, presidenti Bajram Begaj, ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal, është faktor kyç në integrimin e rajonit në Bashkimin Europian. Begaj tha se vazhdon të mbështesë dialogun rajonal me fokus bashkëpunimin dhe integrimin në BE.
“Për ne bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit europian. Ne duhet të shkëmbejmë eksperiencat dhe përvojat për Integrimi në BE.
Shqipëria vazhdon të mbështesë dialogun rajonal me fokus bashkëpunimin dhe integrimin në BE. Ne duhet të vazhdojmë të shëkëmbëjmë eksperiencat dhe njohuritë. Besoj që sot do të ndajmë mendime për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE.
Shqipëria vlerëson procesin e Brdo-Brijuni. Ballkani ka shënuar progres në fushën e demokracisë. Por Rajoni ynë përballet me kërcënime sigurime, veçanërisht nga lufta ruse mbi Ukrainë dhe ndikimet e saj në rajon. Integrimi europian nuk ka lidhje vetëm me anën politike, por edhe me rritjen e sigurisë për rajonin”, tha Begaj.
Pritet që në përfundim të samitit të miratohen konkluzione të përbashkëta, të cilat synojnë të shërbejnë si një shtysë konkrete për rritjen e bashkëpunimit dhe përparimin në rrugën e integrimit europian për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Pjesë e këtij procesi janë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia, vende që përballen me sfida të përbashkëta në rrugën drejt BE-së, por që përmes kësaj platforme synojnë të forcojnë dialogun politik dhe ndërtimin e besimit reciprok.
Takimet në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni janë mbajtur çdo vit që nga viti 2013. Vitin e kaluar, u mbajt në Mal të Zi, ku udhëheqësit theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal në një deklaratë të përbashkët dhe u zotuan për reforma të mëtejshme, forcimin e dialogut strategjik me BE-në dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
