SDSM akuzon Mickoskin: Po përgatitet skenar për zgjedhje të parakohshme dhe tensione ndëretnike

Partia opozitare LSDM sot akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se po përgatit një skenar për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nxitje artificiale të tensioneve ndëretnike, të cilat, sipas partisë, janë të koordinuara me shërbimet ...

gusht 25, 2026 - 14:30
SDSM akuzon Mickoskin: Po përgatitet skenar për zgjedhje të parakohshme dhe tensione ndëretnike

Partia opozitare LSDM sot akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se po përgatit një skenar për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nxitje artificiale të tensioneve ndëretnike, të cilat, sipas partisë, janë të koordinuara me shërbimet serbe dhe ruse.

Në konferencën e sotme për media, sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Andrej Zhernovski, tha se detyrë e partisë është t’i paralajmërojë qytetarët për zhvillimet që, sipas tij, priten në periudhën e ardhshme.

“Duam të shpjegojmë skenarin e drejtuar nga Mickoski, ose më saktë nga shërbimet serbe dhe ruse, të cilin, për fat të keq, do ta shohim në periudhën e ardhshme. Si LSDM, e kemi për detyrë t’ua prezantojmë këtë skenar qytetarëve për t’i paralajmëruar se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Zhernovski.

Sipas tij, arsyeja kryesore për kërkesën për zgjedhje të parakohshme është buxheti i zbrazët dhe mungesa e rezultateve ekonomike të pushtetit aktual.

“Mickoski kërkon dëshpërimisht një alibi për zgjedhjet. Kujdes, vetë thotë se nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme, por në të njëjtën kohë lutet që opozita t’i hedhë një litar shpëtimi”, tha Zhernovski.

Ai theksoi se LSDM nuk do të bëhet “alibi” për një skenar të tillë dhe akuzoi Mickoskin se nuk dëshiron të pranojë se problemi kryesor dhe arsyeja për të cilën kërkon zgjedhje të parakohshme është, sipas tij, gjendja e buxhetit.

“Pas Bullgarisë, objektivi do të jenë shqiptarët”

Zhernovski tha se pas dështimit të skenarit fillestar me Bullgarinë, fokusi i Qeverisë do të zhvendoset te marrëdhëniet ndëretnike me shqiptarët.

“Tani nuk do të jenë bullgarët argumenti kryesor apo alibia për zgjedhje, por, kujdes, do të jenë shqiptarët”, tha ai.

Sipas Zhernovskit, një skenar i tillë nuk i nevojitet vetëm fushatës nacionaliste të VMRO-së, por edhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Ky skenar nuk është menduar në kokën e Mickoskit. Është alibi që ia japin shërbimet ruso-serbe”, deklaroi Zhernovski, duke pretenduar se Vuçiq ka nisur të përdorë të njëjtat akuza dhe të njëjtin skenar.

Duke folur për retorikën e Qeverisë ndaj opozitës dhe liderit të saj, Venko Filipçe, Zhernovski tha se po përdoret një strategji për përçarjen e qytetarëve.

Ai përmendi sulmet ndaj Filipçes lidhur me spitalet modulare, duke thënë se për pesë vite ndaj tij është zhvilluar një “fushatë morbide”, ndërsa është quajtur edhe “vrasës” dhe “doktor Mengele”.

LSDM: Nuk do të bëhemi pjesë e këtij skenari

Nga LSDM-ja deklaruan se nuk do të bëhen pjesë e një skenari të tillë dhe se do të angazhohen për, siç thanë, zbardhjen e përpjekjeve për destabilizim.

“LSDM deri në fund do të luftojë për ta demaskuar këtë skenar. Për fat të keq, do ta shohim sërish skenarin e viteve ’90, do të shohim nxitje artificiale të konflikteve në atë që ende është e brishtë – tensionet ndëretnike dhe ndërnacionale. Maqedonia nuk duhet ta lejojë këtë. LSDM nuk do të marrë pjesë në këtë skenar”, përfundoi Zhernovski.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.