“Së shpejti do ta kuptoni pse ndodhën këto gjëra”, tha Dimitrieska-Koçoska për përplasjen verbale me Petrovskën në Kuvend
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ka ripërsëritur sot se për të tashmë është mbyllur çështja për përplasjen verbale me deputeten Sllavjanka Petrovska në Kuvend të enjten e kaluar, por se së shpejti për të gjithë do të bëhet e qartë pse ndodhi kjo, transmeton Portalb.mk. “Më vjen keq që ka pasur defokus për sa i […]


Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ka ripërsëritur sot se për të tashmë është mbyllur çështja për përplasjen verbale me deputeten Sllavjanka Petrovska në Kuvend të enjten e kaluar, por se së shpejti për të gjithë do të bëhet e qartë pse ndodhi kjo, transmeton Portalb.mk.
“Më vjen keq që ka pasur defokus për sa i përket asaj që kam thënë dhe si është interpretuar. Kam bërë thirrje disa herë që njerëzit të dëgjojnë të gjithë komunikimin në Kuvend dhe të nxjerrin përfundimet e veta”, tha ajo.
Në pyetjen e gazetarëve se pse nuk i ka kërkuar falje deputetes Petrovska, ajo ka përsëritur se disa herë ka thënë se nëse ka gabuar do të kishte kërkuar falje.
“Sa i përket kërkimit të faljes, mendoj se e kam shprehur mendimin tim. Nëse do të kisha gabuar, do të kërkoja falje. Nuk kishte asgjë tendencioze, as nuk kisha ndonjë qëllim. Unë fola për koston e jetesës dhe në bazë të kësaj nuk do të doja të komentoja më tej për atë temë. Për mua, siç thashë, është një çështje e mbyllur”, tha ministrja.
Ajo kërkoi nga qytetarët që të kenë durim, sepse koha do të tregojë se kush kishte të drejtë dhe pse po ndodhte e gjithë kjo.
“Lërini kohës, shumë shpejt do ta kuptoni pse po ndodhnin të gjitha këto”, thotë Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska ishte në qendër të vëmendjes së publikut javën e kaluar pasi u përplasen me deputeten e LSDM-së Sllavjanka Petrovska gjatë seancës për pyetje deputetësh të enjten e kaluar.
Në pyetje, Petrovska iu referua deklaratave të fundit të ministres për çmimet e ushqimeve, si bizelet e konservuara dhe sasinë e qumështit që duhet të konsumojë një familje. Në vend që të përgjigjej, ministrja e Financave sulmoi deputeten në baza personale për gjendjen e saj familjare.
Më pas, ministrja tha se asnjëherë nuk ka pasur qëllim të ofendojë deputeten Sllavjanka Petrovska dhe se deklarata e saj është nxjerrë jashtë kontekstit, duke shtuar se kjo temë është e mbyllur për të.
Petrovska ka parashtruar ankesë në Komisionin për mbrojtje nga diskriminimi, ndërsa Lidhja Socialdemokrate (LSDM) ka kërkuar që Ministrja e Financave të japë dorëheqje nga pozita e saj.
E pyetur për ta komentuar përplasjen verbale mes ministres së Financave dhe deputetes, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha se nuk është keq që njeriu të kërkojë falje dhe se fjalët duhet të maten në Kuvend.