SHBA rikthen vëmendjen për Ballkanin: AARC takim me senatorin Cory Booker, në fokus edhe Maqedonia e Veriut

Këshilli i Miqësisë Shqiptaro-Amerikane (AARC) zhvilloi një takim të rëndësishëm dhe përmbajtësor me senatorin amerikan Cory Booker, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet në Ballkan dhe roli i shqiptarëve në rajon. Në një klimë të polarizuar politike në SHBA, në takim u theksua se mbështetja për Kosovën […]

Prill 19, 2026 - 13:00
SHBA rikthen vëmendjen për Ballkanin: AARC takim me senatorin Cory Booker, në fokus edhe Maqedonia e Veriut

Këshilli i Miqësisë Shqiptaro-Amerikane (AARC) zhvilloi një takim të rëndësishëm dhe përmbajtësor me senatorin amerikan Cory Booker, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet në Ballkan dhe roli i shqiptarëve në rajon.

Në një klimë të polarizuar politike në SHBA, në takim u theksua se mbështetja për Kosovën dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane mbetet e fortë dhe bipartizane. Të dyja krahët politikë në Uashington e konsiderojnë faktorin shqiptar si element kyç për stabilitetin në Ballkan.

Gjatë bashkëbisedimit, senatori Booker u pajtua se është në interes strategjik të SHBA-së që Kosova të integrohet në NATO dhe që shqiptarët në rajon të kenë një rol më të fuqishëm si faktor stabilizues dhe kundërpeshë ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, ku përfaqësuesit e AARC ngritën shqetësimet lidhur me zbatimin e të drejtave të gjuhës shqipe dhe protestat e fundit studentore. U theksua nevoja për respektim të standardeve demokratike si parakusht për stabilitet afatgjatë në vend.

Po ashtu, u diskutua edhe për rolin e SHBA-së në dialogun Kosovë–Serbi, ku AARC kërkoi një angazhim më të fuqishëm amerikan, me njohjen e ndërsjellë si objektiv final, në përputhje me politikat afatgjata të Uashingtonit.

Takimi përfundoi me diskutime konkrete për një vizitë të mundshme të senatorit Booker në rajon në të ardhmen e afërt.

AARC konfirmoi se do të vazhdojë aktivitetin e saj lobues për të mbajtur çështjet shqiptare në fokus të politikës së jashtme amerikane dhe për të forcuar më tej lidhjet strategjike ndërmjet SHBA-së dhe shqiptarëve në Ballkan.(INA)