Shkup, 9 Maji në hijen e historive të këqija të eurointegrimit
Duke vendosur kurorë me lule në memorialin në varrezat partizane në Butel të Shkupit, një delegacion qeveritar i Maqedonisë së Veriut ka shënuar ditën e Europës dhe ditën e fitores mbi fashizmin. Maqedonia e Veriut nuk ka pasur ndonjë arsye tjetër të veçantë për të shënuar këtë datë, sikur për shembull Mali i Zi dhe […]


Duke vendosur kurorë me lule në memorialin në varrezat partizane në Butel të Shkupit, një delegacion qeveritar i Maqedonisë së Veriut ka shënuar ditën e Europës dhe ditën e fitores mbi fashizmin. Maqedonia e Veriut nuk ka pasur ndonjë arsye tjetër të veçantë për të shënuar këtë datë, sikur për shembull Mali i Zi dhe Shqipëria, për të cilat komisionerja europiane Marta Kos njoftoi ditë më parë se do të jenë vende anëtare të BE-së deri në fundt të mandatit të komisionit aktual, shkruan Portalb.mk.
Prandaj edhe autoritetet kompetente gjatë shënimit të ditës së Europës përsëritën ambiciet europiane por jo edhe arritjet në këtë rrugë. Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në fjalimin e tij tha se 9 Maji nuk është vetëm një datë në kalendar, por është dita kur sakrifica e miliona njerëzve ndriçoi rrugën drejt një fillimi të ri.
“Si Ministër për Çështjet Evropiane, dua të them se e ardhmja jonë Evropiane nuk është një deklaratë, është një vendim. Është një zgjedhje për një aleancë që na bashkon rreth paqes, lirisë dhe drejtësisë. Evropa nuk është vetëm gjeografike, është një hapësirë morale, e krijuar pikërisht për shkak të sakrificave të tilla si ato të heronjve të cilëve u vëmë lule sot”, tha Orhan Murtezani, ministër i Çështjeve Evropiane.
Nga ana tjetër, ish-zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiç, në një intervistë për Racin.mk, duke komentuar qëndrimin e Marta Kos, tha se kjo ndarje, në histori të suksesshme dhe të të këqija që bëri komisionerja, është diçka kundër së cilës Maqedonia e Veriut ka luftuar gjatë viteve.
“Tani, në një farë mënyre, po na kthehet si bumerang dhe po na godet në kokë. Çfarë do të thotë kjo? Në dhjetë vitet e fundit ose shtatë-tetë vitet e fundit, ne kemi këmbëngulur në dy gjëra. Së pari, që të mos trajtohemi njësoj si të gjitha vendet e rajonit, domethënë që çdo vend të trajtohet sipas suksesit dhe meritave të tij, dhe së dyti, që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet një perspektivë e qartë dhe e saktë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Mariçiç.
Sipas tij, ajo që është për të ardhur keq për Maqedoninë është se përfunduam në anën e historive të këqija, dhe jo në anën e historive të suksesshme, ku mund të kishim përfunduar. Ekziston një përgjegjësi e madhe për atë rezultat nga ana jonë, në kontekstin tonë të brendshëm politik, por ka edhe një përgjegjësi nga ana e Bashkimit Evropian”, theksoi ish-zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Mariçiç.
Mariçiç vlerësoi se nëse diçka nuk bëhet shumë shpejt për t’u bashkuar me vendet që kanë një shans për t’u bërë anëtarë të BE-së deri në vitin 2030, Maqedonia e Veriut nuk do të ketë argument për të justifikuar veten para gjykatës së historisë kur pas dhjetë vjetësh ose pesë vjetësh do të kemi një situatë në të cilën Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian.
“Po flasim për vende që ishin shumë prapa nesh në këtë proces. Me Shqipërinë përfunduam skriningun së bashku dhe ishim shumë përpara tyre në prezantimin e reformave tona. Mali i Zi, ne e dimë që kur ishim kandidat për anëtarësim në vitin 2005, nuk ishte ende shtet i pavarur, por ata vazhduan dhe do të jenë anëtarë pas disa vitesh”, tha Mariçiç.
Kujtojmë se, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet është betonuar qëndrimi i tyre se pa garanca se ndryshimet kushtetuese do jenë pengesa e fundit drejt BE-së, Maqedonia e Veriut nuk do e ndërmerrë asnjë hap në rrugën drejt BE-së. Së fundmi argument shtesë në këtë drejtim qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut i ka dhënë vet shefi i ri i Diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, i cili tha se “regjistrimi i bullgarëve si popull shtetformues nuk është kushti i vetëm”.
Nga ana tjetër për mos t’u mbajtur mend si histori e trishtueshme, BE mbetet decide se, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së dhe se shtimi i bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë është për të mirën e vendit. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
- LEXO: Ministria e Jashtme e Bullgarisë: Ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm ndaj RMV-së
- LEXO: Kos: Askush nuk mund të garantojë se edhe pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë pengesa për RMV-në drejt BE-së
- LEXO: Edhe pse Maqedonia e Veriut ka disa kushte në rrugën drejt BE-së, zyrtarët thonë se nuk po e kushtëzon BE-në