RMV, me mashtrime të rreme për aksidente në trafik zhvasin me mijëra euro nga qytetarët
Po rritet numri i qytetarëve të mashtruar që u kanë dhënë para policëve të rremë për “ndihmën” që ua kanë dhënë për ta fshehur faktin se ndonjë i afërm i tyre ka shkaktuar aksident në trafik në të cilin e ka humbur jetën një person, madje edhe një fëmijë. Kohëve të fundit në Kumanovë ka […]


Po rritet numri i qytetarëve të mashtruar që u kanë dhënë para policëve të rremë për “ndihmën” që ua kanë dhënë për ta fshehur faktin se ndonjë i afërm i tyre ka shkaktuar aksident në trafik në të cilin e ka humbur jetën një person, madje edhe një fëmijë. Kohëve të fundit në Kumanovë ka pasur disa raste, në një nga të cilët një grua ka paguar deri në 30 mijë euro për ta kuptuar pastaj se e kishin mashtruar, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Vajza juaj ka goditur me makinë një fëmijë emigrant”, i ka thënë një 65-vjeçareje nga Kumanova mashtruesi i cili i ishte prezantuar si polic e i cili e kishte kontaktuar atë në fillim të muajit shkurt.
Nëse ajo nuk donte që vajza e saj të dënohej për këtë vepër, mashtruesi i ka thënë asaj se do i mbaronte punë nëse ajo do t’i paguante atij 30 mijë euro. Ajo pa e menduar gjatë ia ka dërguar paratë në vendin e dakorduar paraprakisht, ndërsa më vonë kur ka biseduar me të bijën e ka kuptuar se ishte mashtruar, njoftuan nga policia më 1 shkurt dhe thanë se po ndërmerrnin masa për ta zbardhur rastin.
Një ditë më parë në SPB Kumanovë janë denoncuar tri raste të të njëjtit lloj të mashtrimit. Dy persona të moshuar nga Kumanova kanë dhënë para për t’i shpëtuar të dashurit të tyre, i pari 100 mijë denarë, ndërsa i dyti 2.500 euro. Në rastin e tretë kumanovari ka dyshuar dhe nuk i ka paguar 4 mijë eurot që i janë kërkuar, por rastin e ka denoncuar në polici.
“Në të tri rastet personi mashtrues është prezantuar si zyrtar i policisë, personat e targetuar i ka njoftuar se familjarët e tyre të ngushtë, djemtë apo vajzat, kanë shkaktuar një aksident në trafik në të cilin kanë goditur një fëmijë emigrant, pas çka u ka kërkuar të holla që të mos i ndjekin penalisht”, thonë nga SPB Kumanovë.
Vitin që shkoi në Kumanovë janë regjistruar dy mashtrime me aksidente në trafik.
Nga fillimi i vitit 2025 e deri më tani në SPB Kumanovë janë raportuar gjithsej 5 mashtrime të këtilla.
“Për shkak të shpeshtimit të mashtrimeve në periudhën e kaluar policia po ndërmerr aktivitete parandaluese dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët po i informon për mënyrën e kryerjes së mashtrimeve që kanë të bëjnë me aksidente të pretenduara në trafik”, thonë nga SPB Kumanovëë.
Shtetas bullgarë të përfshirë në mashtrim
Dy raste të tentativave për mashtrim zbuloi edhe Radio Evropa e Lirë. Ajo që kanë të përbashkët këto dy tentativa është se në shënjestër kanë pasur banorë të Shkupit, se kanë ndodhur në të njëjtën periudhë, pra në fillim të muajit shkurt dhe që të dy mashtruesit gjatë të folurit kanë përdorur fjalë nga gjuha bullgare, gjë që aludon se janë nga ky vend fqinj.
Në rastin e parë në telefon fiks ata e kanë kontaktuar një grua nga Shkupi, e cila deshte të mbetet anonime. Ajo e ka ende të njëjtin numër telefoni për shkak të komunikimit me të atin, prandaj ishte habitur kur në telefon kishte pranuar një telefonatë nga një numër i fshehur.
Bashkëbiseduesi i saj ishte një mashkull, për të cilin ajo thotë se fliste në bullgarisht. Ajo kishte dyshuar menjëherë, por e kishte lënë atë të fliste.
“Ai u prezantua si inspektor policie dhe më pyeti nëse kisha një vajzë, ndërsa unë pa u menduar e gënjeva se kam dhe këtë e bëra vetëm për të parë se deri ku do të shkonte. Ai më tha se bija ime kishte shkaktuar një aksident automobilistik ku kishte vrarë një person dhe se nëse doja që ajo të lirohej nga ndjekja penale do më duhej të paguaja.
I thashë se bija ime nuk i jep makinës dhe menjëherë pas kësaj ai filloi të thoshte se në të vërtetë ishte djali im ai që e kishte shkaktuar aksidentin. Kur u binda se ishte një mashtrim i vërtetë, e ndërpreva telefonatën”, thotë gruaja që dëshmoi për Radion Evropa e Lirë.
Por ajo rastin nuk e ka denoncuar në MPB. Në të njëjtën periudhë, gjegjësisht në fillim të muajit shkurt, një pensioniste nga Shkupi me të cilën ka kontaktuar RLE, ka marrë një telefonatë në telefonin e saj fiks nga një mashtrues i cili ka folur në mënyrë të pazakontë.
“Më tha se djali im kishte goditur me makinë një fëmijë dhe se për një veprim të tillë me siguri do të përfundonte në burg, por se dënimi mund të ulej nëse i jepja para. Më pyeti se ku i mbaja paratë dhe kur mund t’ia dërgoja. E gjithë kjo mu duk shumë e çuditshme. Kur kërkova të flisja me djalin tim, ai më tha se djali im ishte plagosur gjatë aksidentit me makinë dhe se nuk mund të fliste. E mbylla telefonin dhe menjëherë i telefonova djalit. Atëherë e pashë se ai nuk kishte pësuar asgjë dhe mu vërtetua dyshimi im se ky mund të ishte një tentim për mashtrim”, tha kjo pensioniste për RLE.
Përndryshe, nëse shihen buletinet policore të viteve të fundit në të cilat publikohen raste të tilla, mund të shihet se në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas bullgarë.
Më 30 maj të vitit 2024 SPB Ohër ka njoftuar se kanë ngritur kallëzim penal kundër një shtetasi nga Ohri dhe një shtetasi bullgar, të cilët kanë mashtruar banorë të moshuar të Ohrit duke u thënë se të afërmit e tyre kanë qenë të përfshirë në një aksident trafiku në të cilin ka pasur edhe viktima. Në disa raste ata kanë marrë para nga disa banorë të Ohrit dhe kanë mbledhur gjithsej 30 mijë euro.
Në tetor të vitit 2022 në pikën kufitare Deve Bair policia e arrestoi N.P.S. (34) nga Pleven, Republika e Bullgarisë. Në bashkëpunim me policinë bullgare ai u arrestua nën dyshimin se ka mashtruar disa shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe ka arritur të përfitojë 40 mijë euro dhe ar me vlerë prej 10 mijë eurosh.
Mashtruesi ka arritur t’i mashtrojë viktimat nëpërmjet telefonatave ku u ka thënë se një anëtar i familjes së tyre të afërt dyshohet se ka shkaktuar një aksident trafiku, në të cilin viktimë ka qenë një fëmijë dhe nëse do të donin që ta shpëtonte nga burgu do u duhej tu paguanin një shumë të madhe parash viktimave, thuhej atëkohë në buletin.
Pse njerëzit u japin para mashtruesve?
Lajmi i fundit nga dje, më datë 2 dhjetor, është se një 87-vjeçare nga Shkupi dy ditë më parë është mashtruar nga një burrë i cili ka arritur të zhvasë nga ajo 6 mijë euro.
Sipas raportit policor personi i ka telefonuar dhe i ka thënë se vajza e saj në Kanada ka shkaktuar një aksident automobilistik ku kishte rastin nuk e ka denoncuar në MPB dhe se nëse nuk donte që ajo të përfundojë në burg do duhej të paguante një shumë të caktuar të parave. Gruaja i kishte lënë paratë në vendin e dakorduar paraprakisht.
Sipas profesoreshës në Fakultetit Filozofik, Tanja Stojanovska Ivanova, kur një personi i komunikohet një informacion i tillë, ai nuk mund të mendojë racionalisht.
Ajo thotë se frika, stresi dhe empatia e bëjnë të japë gjithçka pa menduar, vetëm që fëmija i tij të mos gjendet në një situatë të tillë.
“Po, mund të thuhet se njerëzit janë të gatshëm të korruptojnë, por nuk duhet harruar se kujdesi për të dashurit e tu është më i madh se fakti se duhet të bësh diçka që është e paligjshme. Sado që të keni vlera të tilla si ndershmëria, drejtësia, përgjegjësia dhe sado që është pjesë e sistemit tuaj të vlerave dhe diskursit moral të silleni në mënyrë të këtillë gjatë gjithë jetës tuaj, kur bëhet fjalë për diçka që ka të bëjë me ndonjë anëtar më të afërt të familjes tuaj, ju i kaloni të gjitha këto në një plan të dytë. Është sikur e vini në një piedestal, si ta shpëtoj apo ta ndihmoj të dashurin tim”, thotë Tanja Stojanovska Ivanova, profesoreshë në Institutin e Sociologjisë.
Vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 25 mashtrime të ngjashme, 15 prej të cilave në Shkup. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur katër kallëzime penale, dy prej të cilave për një autor të panjohur.
Sipas sociologëve për disa nga viktimat e mashtrimit rol luan edhe situata e përgjithshme në vend, ku ka shumë aksidente trafiku me përfundime tragjike, e ku si autorë ashtu edhe viktima janë të rinjte.
Rasti i fundit i tillë ishte ai që ndodhi më 29 janar, kur në një aksident automobilistik e humbi jetën 22 vjeçarja Frosina Kullakova. Në bulevardin Partizanski Odredi teksa ajo po kalonte rrugën në një vendkalim për këmbësorë është goditur nga një automjet i drejtuar nga 20-vjeçari Vasill Jovanov. Më pas u zbulua edhe se ai i kishte dhënë makinës pa pasur një patentë shoferi, se kishte kaluar në semafor të kuq, se ishte nën efektin e alkoolit dhe se e kishte ngarë makinën me shpejtësi mbi shpejtësinë e lejuar.
Si pasojë e kësaj u organizuan protesta në Shkup në të cilat u përcoll mesazhi “Drejtësi për Frosinën“. Pakënaqësia u bë edhe më e madhe kur u publikua informacioni se ai edhe më parë kishte shkaktuar aksident në trafik, por se kishte kaluar vetëm me një gjobë, si dhe se ishte kapur edhe me një sasi të madhe të drogës, por se ishte dënuar vetëm me një masë korrigjuese. Në protesta kërkohej drejtësi, por edhe dënime më të rrepta për ta rritur sigurinë në trafik.