Shqiptari i Maqedonisë së Veriut me tre atdhe apo pa atdhe!
Shkruan: Sefer TAHIRI Gazetari sportiv Dëfrim Methasani në një intervistë televizive rrëfente se gjyshi i lojtarit të kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, i cili kishte ftesë të luajë për Maqedoninë e Veriut dhe Zvicrën i kishte lënë amanet “Nëse je nipi im, do të veshësh vetëm fanellën e tokës amë, atdheut tonë-Shqipërisë”! Bajrami është me prejardhje […]
Shkruan: Sefer TAHIRI
Gazetari sportiv Dëfrim Methasani në një intervistë televizive rrëfente se gjyshi i lojtarit të kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, i cili kishte ftesë të luajë për Maqedoninë e Veriut dhe Zvicrën i kishte lënë amanet “Nëse je nipi im, do të veshësh vetëm fanellën e tokës amë, atdheut tonë-Shqipërisë”! Bajrami është me prejardhje nga fshati Bogovinë, që gjendet në rajonin e Tetovës dhe sot luan për kombëtaren e Shqipërisë.
Jasir Asani, poashtu një lojtar i Shqipërisë kishte pritur 7 vite të marrë ftesë nga Tirana, ndërsa atë nga Maqedonia e Veriut e kishte injoruar. Që të luajë në fanellën kuq e zi nuk kishte menduar dy herë. Menjëherë pas telefonatës me Federatën Shqiptare të Futbollit kishte telefonuar prindin e tij dhe i kishte thënë “Babë po të realizohet ëndrra”. Asani është me prejardhje nga fshati Moranë i Shkupit.
Omer Xhemaili, njëri ndër kardiokirurgët më të njohur shqiptarë, i emëruar drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Cyrih ligjëratën e tij në Fakultetin Mjekësisë të Universitetit të Shkupit e nisi me fjalët “Gëzohem që kam rastin të mbaj një ligjëratë në universitetin ku nuk më pranuan për arsye politike”. Një pjesë e profesorëve të pranishëm ulën kokën në heshtje. Si Xhemaili, që janë penguar nga sistemi i këtushëm shtetëror, por që kanë arritur suksese planetare fatmirësisht ka shumë shqiptarë jashtë vendit, në Evropë, Amerikë e gjetiu. Ka edhe nga ata që pavarësisht kapaciteteve intelektuale që i kanë pasur, për shkak të refuzimit që ua ka bërë sistemi kanë ngelur në margjinat e shoqërisë, brenda dhe në të shumtën e rasteve jashtë vendit.
Prandaj përtej komponentës së lidhshmërisë sentimentale etnodimensionale me indin shqiptar, nuk është aspak fare çudi fakti që shumë pak, ndoshta nuk mbërrijnë as sa gishtat e dorës numri i atyre që kanë ndjekur ndeshjen e fundit për kualifikim në Botëror mes Maqedonisë së Veriut dhe Danimarkës. Madje, duket joreale, por një pjesë e madhe gëzohen kur Maqedonia e Veriut pëson disfatë në sport, ne veçanti në futboll! Një lloj hakmarrje me inat ndaj shtetit!
Mijëra e mijëra shqiptarë, i madh e i vogël në shtëpitë e tyre, kafene e ambientet tjera publike përmes ekraneve, por edhe në stadiume kanë ndjekur ballafaqimin mes Shqipërisë dhe Polonisë dhe mes Kosovës e Sllovakisë e sidomos ndeshjen vendimtare për kualifikim mes Kosovës dhe Turqisë! Përtej se shqiptarët kudo që jetojnë kanë një spektër të larmishëm kodues, por përbashkues identifikimi, fakti i refuzimit të përfaqësueses së Shkupit tregon më së miri qasjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj shtetit të tyre, por sidomos e përkufizon qartë qasjen e shtetit ndër vite e dekada ndaj shqiptarëve.
Diskriminimi sistematik institucional që ka ekzistuar në periudhën e komunizmit, por edhe pas filleve të pluralizmit deri në vitin 2001 me intensitet të lartë apo me brutalitet shtetëror, ndërsa pas luftës së 2001 me taktika dhe “lojëra” juridike -kushtetuese brenda labirinteve institucionale ka ndikuar që sot shqiptarët të mos e ndjejnë si atdheun e tyre shtetin e tyre ku jetojnë, punojnë, ku paguajnë tatime e ku i kryejnë të gjitha detyrimet ligjore!
Flamuri shtetëror nuk përdoret fare në dasma, ndërsa ai kombëtar valon lartë, festa e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut-8 shtatori për shqiptarët është një ditë e zakonshme, vetëm ditë jopune. 28 nëntori është ditë e madhe festive, siç kremtohet është edhe 17 shkurti, dita e pavarësisë së Kosovës.
Në tubimet politike gjithnjë mungon himni shtetëror, ndërsa ai kombëtar intonohet me krenari. Flamuri shtetëror i Maqedonisë së Veriut në tubime përdoret rrallë, ndërsa flamujt kombëtarë valohen me qindra. Në fillimet e veta, Bashkimi Demokratik për Integrim, krahas flamurit kombëtar, atij të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ekspozonte edhe flamurin shtetëror. Ngjashëm veproi edhe Lëvizja BESA, e cila i përdorte të dy flamujt, shtetëror dhe kombëtar, por kjo praktikë më nuk është ekzistente në hapësirën politike shqiptare.
“Maqedonia e Veriut është atdheu im” është vetëm një slogan politikanesk, i cili mund të përdoret aty-këtu nga ndonjë politikan kur është në pushtet, sa për të dëshmuar konstruktivitet para faktorit ndërkombëtar dhe para opinionit maqedonas. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në një intervistë për RTK-në menjëherë pasi e mori postin e ri, në qershor të vitit 2024 deklaroi se “Kosova është atdheu, vendi i prindërve të mi”. Por pas reagimeve të shumta negative në opinionin publik maqedonas dhe sidomos pas reagimit të kryeministrit Hristijan Mickoski se Gashi ka gabuar, vetë kryeparlamentari për javoren Fokus deklaroi se “Maqedonia e Veriut është atdheu im dhe nuk mund të thotë dikush që e do më shumë se unë Maqedoninë e Veriut”? Shkurt, Afrim Gashi e do Kosovën, kryeparlamentari Maqedoninë e Veriut!
Për dy përfaqësueset shqiptare nuk bëjnë tifo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe politikanët, pavarësisht se cilës parti politike i takojnë. Kjo është e kuptueshme duke u bazuar në argumentimet etnokulturore-historike, por fakti që kur luan Maqedonia e Veriut shqiptarët nuk kanë asnjë pikë emocioni dhe asnjë përqindje të manifestimit publik të luajalitetit ndaj shtetit dhe simboleve të tij, por edhe përfaqësueseve të saj sportive duhet të jetë alarm për shtetin, qeverinë, kuvendin, institucionet e ndryshme, arsimin, kulturën, sektorin joqeveritar, mediat, natyrisht edhe qytetarët. Kjo ndodh edhe duke pasur parasysh faktin që në përfaqësuese luajnë Bardhi, Musliu, Alioski e lojtarë të tjerë dhe në të kaluarën kanë luajtur edhe shumë futbollistë shqiptarë si Nexhmedin Mehmedi e Artim Shaqiri.
Krijimi i mirëbesimit mes shtetit dhe shqiptarëve ka qenë njëra ndër kryeshtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, por në këtë drejtim është bërë pak. Në procesin e ndërtimit të marrëdhënieve reciproke të besimit të ndërsjellë mes shtetit dhe qytetarëve, përgjegjësia gjithmonë bie mbi shtetin. Nëse qytetarët nuk kanë aspak lidhshmëri e shtetin si koncept konkret apo nuk e kanë të brumosur aspak sentimentin e përkatësisë së tyre simbolike ndaj tij, shteti duhet të shqetësohet dhe të kërkojë gjenezën e refuzimit kolektiv që i bëhet. Institucionet dhe bota akademike duhet të japin përgjigje se pse shqiptari sot nuk ka ndjesi mbi atë që në përkufizimin postmodern e quajmë dhe e njohim si patriotizëm.
Patriot do të thotë ai që do atdheun dhe popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit të vet, atdhetar!
Gjithsesi se nuk flasim për faktin që shqiptarët të arrijnë nivelin e patriotizmit me dimensione emotive dhe semiotike, pasi kjo është e pamundur për shkak të korpusit identitar, i trashëguar dhe i formësuar e mbindërtuar shekuj me radhë. Flasim për arritjen e nivelit të patriotizmit etatist përkatësisht minimalisht mos refuzimin dhe respektimin e shtetit ku jetojnë!
Në një debat televiziv me një ish diplomat retrograd maqedonas, diku në vitin 2017 në Televizionin Kanal 5, duke mbrojtur nevojën e madhe dhe urgjente të zyrtarizimit të gjuhës shqipe, pashë që anash në ekran transmetoheshin komente të tipit “Shko në Shqipëri, atje e ke vendin”. Kur shkoj në Shqipëri më thonë “Shkoni në shtetin tuaj, keni ministra në qeverinë tuaj, deputetë, keni përfaqësuesit tuaj politik, nga ata kërkoni tua realizojnë të drejtat”!
Shqiptari i Maqedonisë së Veriut edhe pse duket se i ka tre atdhe shpesh e ndjen veten pa atdhe!
*Kolumnë e shkruar për Gazetën Lajm dhe Lajm TV