Si funksiononte falsifikimi i letrave për toka me makina shtypi të moçme? Detaje nga dosja e Prokurorisë për aferën 16 milionëshe
Shkumbin Qehajës, emrit që ka përveçësuar Prokuroria Themelore në Prishtinë për falsifikimin e dokumenteve me qëllim të përfitimit të pronës milionëshe në Veternik, ju kapën makina të ndryshme të shkrimit. Siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, Qehaja më 2022-ën në bashkëpunim me të dyshuarit Venhar Hana, Dritmir Islami dhe Slavica Mikiq e kishin falsifikuar një


Shkumbin Qehajës, emrit që ka përveçësuar Prokuroria Themelore në Prishtinë për falsifikimin e dokumenteve me qëllim të përfitimit të pronës milionëshe në Veternik, ju kapën makina të ndryshme të shkrimit.
Siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, Qehaja më 2022-ën në bashkëpunim me të dyshuarit Venhar Hana, Dritmir Islami dhe Slavica Mikiq e kishin falsifikuar një aktgjykim të Gjykatës së Prizrenit, kinse të dates 28 prill 1976. Qehaja me makinë shkrimi dhe letër papirus të viteve 1970-1998 e kishte përpiluar, vulosur dhe nënshkruar këtë dokument.
Në dosjen e Prokurorisë tregohet edhe çfarë lloj makinash shkrimi iu kishin konfiskuar Qehajës në katër lokacione të ndryshme.
“Dokumente të ndryshme të falsifikuara apo përdorim për falsifikim si makine shkrimi mekanike – olympia, makine shkrimi – mekanike smith corona me nr. serik: sv 23532, makine shkrimi mekanike me qante Olympia, makine shkrimi mekanike olympia traveler deluxe”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Policia e Kosovës në njoftimin për arrestimin e të dyshuarit ka publikuar makinat e shkrimit të kapura në lokacionet e ndryshme të bastisura të Qehajës. Policia realizoi kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrje të të dyshuarit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, ekziston dyshimi i bazuar se Qehaja është takuar në një kafiteri në lagjen Ulpiana të Prishtinës me të pandehurit Slavica Mikic dhe Venhar Hana, ku janë koordinuar për autorizimet ligjore që duhej t’i jepeshin avokatit Hana nga Mikic, lidhur me procesin e regjistrimit të një prone publike në mënyrë të kundërligjshme.
Prokuroria thotë se ky takim është dëshmuar nga dëshmitarë bashkëpunues, të cilët kanë përshkruar rolin e Qehajës si ndërmjetës në këtë proces, si dhe përfshirjen e tij në përfitime financiare pas shitjes së pronës në fjalë. Në kërkesë citohet edhe deklarata e të pandehurës Slavica Mikic, e cila ka rrëfyer se pas shitjes së pronës është kontaktuar nga Qehaja për t’i dorëzuar atij një shumë parash.
“Pas një kohe, te restoranti … ishte ulur Shkumbin Qehaja dhe unë duke kaluar më tha: ‘Ty t’prita’. E pyeta ‘për çka?’ dhe ai më tha: ‘Shko nxirre 5 mijë euro prej bankës edhe bjermi’. Unë shkova te pika e … te Qafa dhe bëra tërheqjen prej 5 mijë eurove, të cilat ia dorëzova Shkumbinit”, thuhet në deklaratën e Mikiq dhënë në Polici dhe në Prokurori.
Në të njëjtën kërkesë, Prokuroria përfshin edhe deklaratën e të pandehurit Dritmir Islami, i cili ka treguar për një marrëdhënie financiare të dyshimtë me Qehajën. Sipas Prokurorisë, Islami ka deklaruar se Qehaja e kishte thirrur në një kafene në lagjen Ulpiana, ku i kishte kërkuar që së bashku me Slavica Mikic të shkonin në bankë për të tërhequr shuma të ndryshme të parave dhe t’ia dorëzonin atij.
Islami ka rrëfyer se fillimisht kishte një borxh personal prej 6 mijë euro ndaj Qehajës, por më vonë ishte detyruar të tërhiqte rreth 180 mijë euro në emër të këtij borxhi dhe t’ia dorëzonte Qehajës. Prokuroria e cilëson këtë si pjesë të një skeme më të gjerë për pastrim parash dhe përfitim të kundërligjshëm, që lidhet me shitjen e pronës publike në Veternik. Sipas Prokurorisë, kjo pronë kishte vlerën rreth 16 milionë euro.
Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari Shkumbin Qehaja gjatë vitit 2021-2022 në Prishtinë, në bashkëkryerje me të dyshuarit Dritmir Islami, Venhar Hana dhe Sllavica Mikiq, pas një marrëveshje, e kanë falsifikuar tërësisht aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, të datës 28 prill 1976. Gjithashtu, thuhet se gjatë kontrollit/bastisjes që i është bërë në shtëpinë e të dyshuarit, në një shportë të mbeturinave i është gjetur një armë- pistoletë dhe 103 fishekë.
Me këto veprime, i pandehuri Shkumbin Qehaja në bashkëkryerje me të dyshuarit: Venhar Hana, Dritmir Islami dhe Sllavica Mikiq dyshohet se ka kryer veprat penale “Falsifikim i dokumentit” nga neni 390, par. 3 lidhur me par.1, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll pse posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme nga neni 395 i Kodit Penal.
Avokati Hana ka qenë subjekt i hulumtimit të rastit të një prone milionëshe në “Veternik”./Insajderi.org
