S’ka diskutime për të pagjeturit në Bruksel, kritikohen negociatorët
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka zhvilluar një takim të enjten në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq. Pas takimit Bislimi ka deklaruar se njëra ndër temat e trajtuar ka qenë ajo e çështjes e personave të pagjetur, ku ka theksuar se Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka zhvilluar një takim të enjten në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Pas takimit Bislimi ka deklaruar se njëra ndër temat e trajtuar ka qenë ajo e çështjes e personave të pagjetur, ku ka theksuar se Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët e cila ishte miratua më 2 maj të 2023-te nga kryeministri kosovar dhe ai serb si pjesë e dialogut të nivelit të lartë politik.
Qerkini: Në Bruksel nuk po diskutohet për të pagjeturit, politika e ka bllokuar
Bajram Qerkini nga kjo Shoqatë ka deklaruar për “Front Online” se në tavolinën e Brukselit nuk po diskutohet për të pagjeturit.
“Çështja e personave të pagjetur është bllokuar. Gjithçka e zezë në Kosovë është bërë nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit, por në tavolinë nuk po diskutohet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur”, u shpreh ai.
Sipas tij, përzierja e politikës tek të zhdukurit nuk le hapësirë për zgjidhje.
Qerkini thotë se më përpara po mbrohen kriminelët në liri se sa fati i të pagjeturve që po zbulohet.
“Derisa nuk largohet politika nga kjo çështje nuk ka zgjidhje, po dalin kriminelët më të fortë e po mbrohen në liri”, tha Qerkini.
Deputetja e VV’së: Serbia është në gjendje t’i ruaj eshtrat e të pagjeturve vetëm të mos e tregoj të vërtetën
Anëtarja e Komisionit për Personat e Pagjetur, nga radhët e “Vetëvendosjes’, Labinotë Demi-Murtezi, ka folur për “Front Online” lidhur me takimin e Bislimit në Bruksel me Lajçak e Petkoviq, ku temë ishin të zhdukurit.
Deputetja e VV-së deklaron se me të pagjeturit është bërë lojë e keqe.
Sipas saj, Serbia është në gjendje të ruaj eshtrat e që mos t’i dorëzoj në Kosovë.
Ajo nuk shprehet optimiste që do të ketë epilog kjo temë me shtetin serb.
“Me të pagjeturit është bërë loja më e keqe e tyre, janë thyer zemra e popullit dhe familjarëve që presin zhbllokim të këtij procesi. S’jam optimiste, duke u bazuar në shpirtligësinë e tyre, sa edhe eshtrat janë të gatshëm me i ruajtur e mos me i tregu ku janë”, deklaron Demi-Murtezi.
Musliu-Shoshi: Besnik Bislimi s’ka bërë përpjekje për zbardhjen e të pagjeturve
Ndryshe nga partia në pushtet, opozita ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi se Serbia po e bllokon zbatimin e deklaratës për të pagjeturit.
Anëtarja e Komisionit për të Pagjeturit, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se me këtë deklaratë Bislimi tregon se Qeveria ka dështuar.
“Kjo deklaratë e Bislimit është vazhdë e dështimeve të qeverisë Kurti në adresimin efektiv të dialogut me Serbinë e në veçanti me çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë”, tha deputetja e PDK-së.
Musliu-Shoshi shprehet për “Front Online” se kryeministri aktual ka dhënë premtime boshe.
Sipas saj, Bislimi refuzon të përballët me opozitën në Komision pasi s’ka bërë përpjekje për zbardhjen e të zhdukurve.
“Është tema më e ndjeshme me të cilën nuk është marrë Kurti, ka dhënë premtime boshe për përfitime elektorale. Bislimi refuzon të vijë e të raportoj në Komision sepse e din që nuk ka pasur as përpjekje minimale për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, deklaroi ajo për “Front Online”.