Skandal: Ndalohen në kufi Azgan Haklaj dhe Ferdinand Samarxhiu, pretendohet se janë në “Stop-listë”
Ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Azgan Haklaj, i është ndaluar hyrja në Maqedoninë e Veriut në pikën kufitare Bllatë–Dibër, me arsyetimin se përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare dhe publike”. Sipas informacioneve të publikuara...
Ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Azgan Haklaj, i është ndaluar hyrja në Maqedoninë e Veriut në pikën kufitare Bllatë–Dibër, me arsyetimin se përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare dhe publike”.
Sipas informacioneve të publikuara nga KOHA, emri i Haklajt figuron në të ashtuquajturën “Stop-listë”, masë që autoritetet kufitare e përdorin në raste të caktuara që lidhen me sigurinë publike ose kombëtare.
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut që sqaron arsyen konkrete të ndalimit, bazën ligjore të masës apo kohëzgjatjen e procedurës.
Haklaj udhëtonte drejt Shkupit së bashku me gazetarin shqiptar Ferdinand Samarxhiu, i cili, sipas raportimeve, ndodhet gjithashtu në vendkalimin kufitar.
Të dy ishin nisur për në Shkup, ku sot zhvillohet Marshi Protestues në mbështetje të krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Kush është Azgan Haklaj?
Azgan Haklaj është ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe një figurë e njohur në jetën politike, kulturore dhe publike shqiptare. Ai është nga Tropoja dhe prej vitesh është angazhuar në aktivitete kulturore dhe në promovimin e historisë dhe traditave shqiptare.
Haklaj drejton Unionin Artistik të Kombit Shqiptar dhe është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Gjatë veprimtarisë së tij publike, ai ka mbajtur qëndrime të deklaruara në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare, luftës së Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.
Flaka do të përcjellë çdo informacion zyrtar nga institucionet kompetente lidhur me rastin.
The post Skandal: Ndalohen në kufi Azgan Haklaj dhe Ferdinand Samarxhiu, pretendohet se janë në “Stop-listë” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.