Skandal në Gjykatën e Tetovës: Rifillon nga pika zero gjyqi për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës

Procesi gjyqësor për parregullsitë e pretenduara gjatë ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ka rifilluar formalisht nga pika zero. Kjo rinisje erdhi si pasojë e kalimit të afatit ligjor prej 90 ditësh nga seanca e fundit, gjë që detyroi palët të pajtohen për riprodhimin e procesverbaleve të deritanishme në mënyrë […]

Mars 16, 2026 - 14:00
 0
Skandal në Gjykatën e Tetovës: Rifillon nga pika zero gjyqi për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës

Procesi gjyqësor për parregullsitë e pretenduara gjatë ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ka rifilluar formalisht nga pika zero.

Kjo rinisje erdhi si pasojë e kalimit të afatit ligjor prej 90 ditësh nga seanca e fundit, gjë që detyroi palët të pajtohen për riprodhimin e procesverbaleve të deritanishme në mënyrë që gjykimi të mund të vazhdonte ligjërisht. Fokus kryesor i seancës ishte dëgjimi i dëshmive të ekspertëve të propozuar nga mbrojtja e kompanisë “Urban Plan Construction”.

​Para trupit gjykues dëshmoi arkitektja Dushanka Popova, e cila sqaroi raportet midis sasive të materialeve ndërtimore të përdorura dhe vlerës së tyre të faturuar. Pas saj, Jane Demjanski nga Instituti për Ekspertizë dha vlerësimet e tij mbi menaxhimin financiar dhe kontabël të projektit, dëshmi për të cilën prokuroria nuk shfaqi interes për pyetje shtesë.
​Ky rast përfshin katër persona të akuzuar, duke filluar nga pronari i kompanisë ndërtuese Sejdi Shasivari, ish-drejtuesit e Qendrës për Kulturë në Tetovë, Haki Fazliu dhe Artan Arslani, si dhe inxhinierin mbikëqyrës Bajram Muça. Ata ngarkohen për vepra që lidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe parregullsi në prokurimet publike gjatë periudhës 2015–2020.

Edhe pse procesi ka nisur vite më parë, të akuzuarit vazhdojnë të mbrohen në liri duke mohuar fajësinë. Seanca e radhës, ku do të vijojë prezantimi i provave nga mbrojtja, është caktuar për më 20 prill 2026.