Studentët përballen me tatime për punën jashtë vendit

Drejtoria e të Ardhurave Publike do t’i tatimojë të ardhurat e studentëve të realizuara përmes programit “Work & Travel”. Studentët të cilët kanë qenë pjesë e programit në Gjermani thonë se kanë marrë njoftim nga DAP për obligimin që të deklarojnë të ardhurat e fituara jashtë vendit, edhe pse ka marrëveshje për tatim të dyfishtë […]

Mars 31, 2026 - 22:00
Studentët përballen me tatime për punën jashtë vendit

Drejtoria e të Ardhurave Publike do t’i tatimojë të ardhurat e studentëve të realizuara përmes programit “Work & Travel”. Studentët të cilët kanë qenë pjesë e programit në Gjermani thonë se kanë marrë njoftim nga DAP për obligimin që të deklarojnë të ardhurat e fituara jashtë vendit, edhe pse ka marrëveshje për tatim të dyfishtë midis dy vendeve.

Bazuar në marrëveshje tatimi i paguar në Gjermani nuk duhet të tatohet përsëri te ne. Megjithatë një pjesë e studentëve thonë se nga DAP u është thënë se institucioni do të bëjë përllogaritjen e të ardhurave totale, në bazë të tatimit të kthyer, pas çka do të ketë tatim shtesë prej 10%.

“Drejtoria e të Ardhurave Publike kërkon që këto të ardhura të deklarohen dhe të paguhet tatim rreth 10%. Megjithatë, disa studentë që janë drejtuar dhe kanë pyetur në DAP kanë marrë informacion se, përveç pagesës së një përqindjeje mbi tatimin e kthyer, duhet gjithashtu të paguajnë tatim në DAP edhe për të gjitha të ardhurat e realizuara në Gjermani”, deklaroi “Studentaria”.

Kërkuam përgjigje edhe nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, por nuk morëm përgjigje. Ndërkohë Parlamenti Studentor kërkon që të respektohet marrëveshja për tatimin e dyfishtë.

“Mbështesim kërkesat e studentëve dhe do të realizojë takim me udhëheqjen e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ku do të diskutohet për gjendjen faktike aktuale dhe tejkalimin e saj”, theksuan nga Parlamenti Studentor.

Nga ana tjetër ministrja e Arsimit thotë se paratë e fituara duhet të tatohen, por nuk duhet të tatohen dy herë.

“Nuk jam eksperte në këtë fushë, por sigurisht çdo fitim tatohet kudo, prandaj supozoj edhe në vendin tonë, sa kam dijeni unë, tatimi i dyfishtë nuk është i dëshirueshëm dhe nuk duhet të ekzistojë”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Drejtoria e të Ardhurave Publike ka filluar me arkëtim retroaktiv të tatimit për qytetarët që kanë realizuar të ardhura jashtë vendit, të cilat më parë nuk janë tatuar në vend./Alsat/